Libri

Shkrimtari Mehmetali Rexhepi dhuron libra për shkollat

Sot, më 4 dhjetor 2017, shkrimtari Mehmetali Rexhepi vizitoi bibliotekat e dy gjimnazeve në Gjilan, përkatësisht bibliotekën e Gjimnazit të Shkencave të Natyrës dhe atë të Gjimnazit për Shkencat e Shoqërisë “Zenel Hajdini”. Me këtë rast, ai zëvendësdrejtorit të Gjimnazit për Shencat e Natyrës i dhuroi tri botimet e tija të këtij viti: vëllimet në prozë, publicistikë historike dhe poezi. Me zëvendësdrejtorin z.Agim Asllani, meqë fondi i librave ishte i pakët për një gjimnaz që mëton të ngre nivelin e dijeve të brezave deri në shkallën elitare, shkrimtari shtroi domosdonë e gjetjes së mënyrave për paisjen e kësaj biblioteke me libra e literaturë bashkëkohore, që do t`iu hynte në përdorim të gjithë atyre nxënësve të cilët joshen nga pasioni dhe magjia e leximit dhe zgjerimi i horizonteve të dijes e kulturës së përgjithshme njerëzore. Aty ai vuri re disa libra të dhuruara nga Instituti i Albanologjisë, një nismë me vlerë, e cila do të duhej të vijonte pandërprerje. Përderisa në bibliotekën e gjimnazit për Shkencat Humanitare bie në sy një fond më i madh librash, kryesisht nga letërsia, biblotekari z. Fatmir Osmani shpreh brengosjen e tij për hapësirën e ngushtë të vendosjes së fondit bibliotekar.Shkrimtari Mehmetali Rexhepi, u ndje i kënaqur, ngase vetëm para gjashtëmbëdhjetë muajsh ishte mësimdhënës i rregullt i këtij gjimnazi; ndërsa teksa shpalonte regjistrat e titujve të librave të lexuar nga nxënësit bibliotekari i përgjegjshëm Fatmir Osmani, nënvizonte numrin gjithnjë në rritje të nxënësve që i lexojnë dhe i kthejnë librat e lexuar të padëmtuar.Shkrimtari Mehmetali Rexhepi edhe më parë kësaj biblioteke i kishte dhuruar libra të autorëve tjerë, shqiptarë dhe të përkthyer. Me nëndrejtorin z.Nexhat Buzuku kishte shfaqur interesim për organizime takimesh letrare brenda shkollës, për shkëmbime kulturore mes lexuesve të rinj,për zbulimin e talentëve me prirje krijuese e të ngjashme.Në orët letrare do të mund të hapeshin tema interesante për librin e mirëfilltë, për kahet e letërsisë e të identitetit kombëtar brenda identitetit evropian e çështje tjera të aktualitetit tonë. Shkrimtari gjilanas M. Rexhepi, takimin me lexues dhe shkrimtarë e sheh si një mundësi mjaft frytdhënese në kahet: libri- lexuesi-krijuesi . Brezave tanë të lexuesve iu duhet qasja e fisnikërisë që ngërthen libri. Ndaj, pohoi- vlerat e ngërthyera duhet zbërthyer , ndryshe do të na mbetet në dorë vetëm dryri pa çelësin e tij përkatës. •

You Might Also Like