OPINION

KRESHNIKU I KARADAKUT

aliriza  Shkruan: Aliriza Selmani

Idriz Seferi u lind rreth vitit 1847, në fshatin Sefer të karadaket malor, të njohur si njëra ndër vatrat më patriotike shqiptare antiosmane. Rrjedh nga një familje e njohur në këto anë për  bujari, trimëri dhe traditë luftarake. I ati i Idrizit qe një malësor trim dhe i nderuar i cili qysh në fëmijëri ua mbolli djemve ndjenjat patriotike antiosmane.

Koha kur lindi Idriz Seferi ishte koha kur Perandoria Osmane, pas Tanzimatit (1839) po jepte premtime të mëdha për përmirësimin e gjendjes së popujve të nënshtruar.  Qysh atëherë Idrizi si i ri, por i zgjuar dhe trim pati rastin të dëgjonte nëpër oda për kërkesat e rilindasëve dhe kryengritjet e shumta shqiptare antiosmane si dhe  të marrë pjesë në ngjarjet e ndryshme lokale.  Të gjitha këto ndikuan shumë në formimin dhe ngritjen e ndërgjegjes se tij kombëtare. Më 1875, në moshën 28-vjeçare, në një konflikt të armatosur me ushtarët osman ishte plagosur dhe zënë rob , pastaj ishte dërguar në burgun e Nishit si i dënuar me 101 vjet burg. Mirëpo, pas tre vjetësh lirohet pas marrjes së Nishit nga  nga ushtria serbe  në luftërat ruso-osmane të viteve 1876/78. Pas kthimit në vendlindje prap u gjend në mal, për qka? Pushteti osman u përpoq ta vriste, por arriti vetëm ta plagosë.

Në Revolucionin e Osmanëve të Rinj të vitit 1908, Idriz Seferi u gjend në krye të mijëra kryengritësve të pjesës juglindore të Vilajetit të Kosovës (e cila përfshinte pjesët që tani hynë në komunat e Gjilanit, Vitisë, kamenicës e Preshevës), që marshonin në drejtim të Ferizajt, ku në korrik 1908 ishin tubuar mijëra veta të armatosur dhe së bashku me udhëheqësit Isa Boletinin, Bajram Currin e të tjerë nënshkruan telegramin me të cilin e detyruan Sulltan Hamitin q ëta rikthejë Kushtetutën e vitit 1876, me të cilën do të sigurohej autonomia shqiptare.

Kur reaksioni i osmsnëve të rinj, që filloi rreth çështjes së alfabetit dhe pasoi me ekspeditën e Xhavit Pashës më 1909, arriti kulmin me aksionin  mbyllje së klubeve e të shkollave në gjuhën shqipe, ndeshi në kundërshtimet e rretheve patriotike shqiptare, pra edhe të Idriz Seferit, i cili ndodhej në kontakt të vazhdueshëm me deputetët patriotë si Hasan Prishtina, Nexhip Draga e të tjerë.

Idriz Seferi në ballë të disa mijëra vullnetarëve marshoi drejt Kaçaikut, ku për disa ditë gjatë fundit të prilit 1910, gozhduan ushtrinë e madhe osmane prej mëse 30 batalionesh, të udhëhequr nga gjenerali Shefqet Turgut Pasha, ku pas shumë luftimesh të përgjakshme dhe qëndresës heroike të kryengritësve shqiptarë, por në munges të municionit dhe pas djegjes së shumë fshatrave, kryengritësit filluan të tërhiqen duke vazhduar rezistencën në Moravën e Epërme dhe në viset e tjera, veçanërisht në Grykën e Carralevës, si pikë qëndresë tjetër me rëndësi. Në saje të superioritetit të forcave ushtarake osmane, ku sipas të dhënave të kohës kishte 42 batalione më rreth40 mijë ushtarë të pajisur me artileri të kohës, shqiptarët u detyruan të tërhiqen, kurse ushtria osmane marshoi në viset e Kosovës, por duke hasur çdokund të rezistencë të shqiptarëve, të udhëhequr nga Idriz Seferi, Isa Boletini, Hasan Hysen Budakova, Bajram Curri e të tjerë. Gjatë luftimeve në Kaçanik dhe në Moravëtë Epërme pushteti osman e kishte shpallur Idriz Seferin dy herë si të vrarë, e për çka kishte shkruar edhe shtypi i kohës.

Më vonë shumë kryengritës me Isa Boletinin u tërhoqën në Mal të Zi dhe një numër i vogël në Serbi. Në këtë situatë Idriz Seferit iu ofrua strehim në Serbi dhe në Bullgari, por ky nuk pranoi ofertën e tyre. Edhe pse i ndjekur këmba-këmbës dhe disa herë i rrethuar nga ushtria osmane, idrizi qëndroi gjithë kohën në malet e Karadakut dhe në vise tjera të Kosovës.

Kur në qershor 1911, Sulltan Mehmet Reshati V erdhi në Kosovë që t’i qetësonte shqiptarët, provoi t’i përfitonte Idriz Seferin dhe Isa Boletinin, duke ua zgjatur dorën e pajtimit dhe duke u dhënë premtime të shumta, mirëpo patriotët në zë nuk i lanë malet për t’iu ofruar sulltanit, sepse ishin të vendosur në vazhdimin e luftës deri në fitoren e plotë.

Duhet thënë se ideologu dhe prijësi kryesor i kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912, Hasan Prishtina, çmonte lart plakun, trimin dhe strategun e shumë betejave, Idriz Seferin, dhe bashkëpunimi i tyre pati rëndësi të veçantë, sidomos në kryengritjen e këtij viti, në të cilën Idrizi qe ndër udhëheqësit kryesorë.

Pas çlirimit të shumë qyteteve dhe marshimit të kryengritësve në rrafshin e Kosovës, filluan negociatat shqiptaro-osmane në Prishtinë, ku Idriz Seferi së bashku me Bajram Currin, Isa Boletinin e të tjerë po qëndronte si krah i djathtë i Hasan Prishtinës, i cili kryesonte palën shqiptare,  e cila ishte e vendosur në kërkesat e veta për autonominë kombëtare. Pas ndërprerjes së bisedimeve, forca të mëdha kryengritësish, të udhëhequra nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi, Isa Boletini e të tjerë depërtuan në Shkup- në qendër të Vilajetit të Kosovës, të cilin e çliruan më 12 gusht 1912. Vazhdimi i bisedimeve me qeverinë e re osmane, sepse ajo e mëparshmja kishte rënë më 5 gusht pas kërkesave të shqiptarëve, dhe aprovimi i kërkesave më 18 gusht, edhe pse të mjegulluara mjaft, i shtynë udhëheqësit e kryengritjes me Hasan Prishtinën në krye t’i pranonin, sepse ishin si rezultat i gjendjes së brendshme të lëvizjes dhe sidomos i rrethanave të reja, të krijuara, sepse ishte në prag lufta ballkanike, e cila parashihte copëtimin e tokave shqiptare. Prandaj qëndresa e armatosur duhej të kthehej kundër pushtuesve të rinj, por jo për ta mbrojtur Perandorinë osmane, por për ta ruajtur lirinë e pavarësinë kombëtare, e për çka ishin të njoftuara edhe fuqitë e mëdha. Në këtë situatë kur duhet mbrojtur tokat nga pushtuesi i ri, sipas marrëveshje ssë krerëve në Shkup, Idriz Seferi me të tjerë mori përsipër të organizojë mbrojtjen në pjesën juglindore të Vilajetit të Kosovës dhe me mijëra vullnetarë për një ditë i bëri ballëushtrisë së madhe dhe të armatosur mirë të aleancës ballkanike, por në mungesë të municionit filluan të tërhiqen në grupe.

Gjatë Luftës së Parë Botërore Idriz Seferi i moshuar qëndroi pranë familjes në fshatin Sefer, i mbajtur nën vërejtje të autoriteteve pushtuese bullgare, me të cilët ra në konflikt dhe qe i burgosur në burgun e Zajeqarit e të Nishit për t’u mbajtur afët dy vjet, nga ku lirohet në vjeshtë të vitit 1918.

Pas formimit të Mbretërisë SKS, kur idriz Seferi ishte në moshë të shtyer mbi 72 vjeçare, u vendos në fshatin Zhegër ku qëndroi deri në fund të jetës, por përherë nën mbikëqyrje të pushtetit antipopullor serbomadh. Idriz Seferi vdiq më 27 mars 1927 në fshatin Zhegër, ku edhe u varros.          

You Might Also Like