LAJME

Kuvendi i Gjilanit e miratoi buxhetin 2019 me votat e një pjese të opozitës

Gjilan, 27 shtator / Me 19 vota për dhe 10 kundër, kryesisht të opozitës, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar të enjten buxhetin për vitin 2019 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2020-2021. Po në këtë seancë, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, është miratuar edhe plani rregullues për zonat “Qendra 2”, “Qendra 3” dhe “Lagja e Spitalit”, vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e fushës sintetike për Klubin e futbollit “Gjilani”, pastaj është bërë rishikimi i vendimit për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Komunitete, sipas udhëzimit të MAPL-së, si dhe është dhënë një informatë për fushatën e korrje-shirjeve, ndërkohë që informata për fillimin e vitit të ri shkollor, me propozimin e opozitës (VV) është shtyrë për seancën e ardhshme, meqë nuk ishte plotësuar me raportin mbi përfundimin e vitit të kaluar shkollor, siç ishte kërkuar, derisa vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjet “Tregu”, Stacioni i Autobusëve si dhe kompaninë “Ecohigjiena” është shtyrë me kërkesën e grupit të këshilltarëve të LDK-së, me arsyetim se është e nevojshme të bëhet një koordinim sa i përket përfaqësimit në këto komisione.

Zijadin Maliqi, drejtor financiar, ka thënë se buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin fiskal 2019, sipas qarkores buxhetore, do të jetë 25.508.785 euro. Nga granti i qeverisë do të sigurohet shuma prej 21.042.901 euro, kurse pjesa tjetër prej 4.465.884 euro, nga të hyrat vetanake. Mbi 60 për qind e këtij buxheti do të shpenzohet për paga, mbi 14 për qind për mallra dhe shërbime, rreth 3 për qind për shpenzime komunale, rreth 2.5 për qind për subvencione, derisa pjesa tjetër prej afër 20 për qind (mbi 5 milionë) – për investime kapitale.

Maliqi ka thënë se periudhën 2019-2021, buxheti do të shënojnë një rritje prej 3.5 për qind, nga viti në vit, aq sa lejojnë kufijtë buxhetor, të cilët i përcakton Ministria e Financave dhe përtej tyre nuk mund të dilet. “Komuna nuk mund të dalë përtej këtyre kufijve, se po të kishim këtë mundësi, unë do ta bëja buxhetin 50 milionë euro”, ka thënë Maliqi, duke u ndërlidhur me disa vërejtje dhe pyetje të opozitës.

Përndryshe, Maliqi ka thënë se buxheti i ka kaluar të gjitha procedurat e parapara, përfshirë edhe dëgjimoret buxhetore, ku janë marrë nevojat e qytetarëve, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë dhe ato janë përfshirë në buxhet.

Subjektet e koalicionit qeverisës, LDK, AAK, AKR sikurse edhe Nisma, si subjekt opozitar, i kanë dhënë mbështetje këtij projekt-buxheti, derisa opozita (PDK e VV), kanë pasur vërejtje te planifikimi dhe përcaktimi i prioriteteve, që sipas tyre, nuk është bërë në mënyrë të drejtë.

Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se për të arritur deri te ky projekt-buxhet, është dashur të kalohen disa faza, përfshirë edhe dhjetë dëgjime buxhetore nëpër lokalitete, ku janë marrë kërkesat dhe nevojat e

qytetarëve, përfshirë edhe gratë, shoqërinë civile dhe komunitetet. Ndryshe, ai ka thënë se është i vetëdijshëm që Gjilani si komunë meriton më shumë buxhet, por këtë nuk e lejon niveli qendror.

Nevzad Isufi (LVV) ka thënë se buxheti nuk është i planifikuar mirë dhe sipas tij, shuma prej 25.5 milionë euro, ku vetëm 20 për qind e saj është paraparë për shpenzime kapitale, është i pamjaftueshëm. Isufi ka thënë se prioritet do të duhej të ishte arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe zhvillimi ekonomik, por me planifikimin që është bërë, nuk mund të flitet për prioritete në këto fusha.

Edhe Riza Abduli (PDK) ka pasur vërejtje sa i përket planifikimit të buxhetit, duke thënë se prioritet në investime i është dhënë infrastrukturës, ndërsa do të duhej të ishin arsimi, shëndetësia dhe të tjerë sektorë. Ai ka pasur vërejtje edhe për sa i përket organizimit të dëgjimeve publike, duke thënë se në këtë proces nuk është përfshirë sa duhet qyteti. Sipas tij, investimet nuk janë të shpërndara në mënyrë proporcionale.

Enver Hajrullahu (Nisma) kërkoi që të rishikohet ndarja e buxhetit te disa kategori që, siç tha ai, kanë të bëjnë me luksin dhe ato mjete të orientohen te kategoritë ku përfitues janë qytetarët.

Shemsedin Ramushi (AKR) ka thënë se kuvendarët duhet ta kuptojnë që komunat nuk mund të dalin jashtë kufijve të MF-së, ndërkaq duke u ndërlidhur me disa prej vërejtjeve të opozitës rreth tabelave, ka shtuar se në një projekt buxhet nuk ndryshojnë tabelat, por ndryshojnë shifrat.

Arta Nuhiu (AAK) ka pasur vërejtje sa i përket ndarjes së buxhetit për kulturë, rini dhe sport, duke thënë se kësaj drejtorie, e cila vazhdimisht ballafaqohet me probleme financiare, është dashur t`i ndahen më shumë mjete.

Shefik Surdulli (PDK) ka bërë vërejtje sa i përket transparencës në investime, duke thënë se mungon lista e projekteve, derisa Arijeta Rexhepi (LVV) ka thënë se buxheti nuk është planifikuar në bazë të prioriteteve.

Me pyetje dhe diskutime në këtë temë kanë kontribuar edhe Gentrit Murseli, Arbëresha Hyseni, Shemsedin Elezi, Fitim Guda dhe të tjerë, ku pos drejtorit Zijadin Maliqi, përgjigje kanë dhënë edhe Naser Korça (Shërbime Publike) e Ramiz Ramadani (Bujqësi dhe Pylltari).

Maliqi ka thënë se është e vërtet se prioritet për vitin 2019, është infrastruktura, sepse planifikimi bazohet tek kërkesat e qytetarëve, të cilat duhet të merren parasysh brenda mundësive, por nuk janë lënë anash as sektorët tjerë, si arsimi, shëndetësia, bujqësia, zhvillimi ekonomik dhe fushat tjera, ka thënë ai.

Interesim të madh tek anëtarët e Kuvendit ka zgjuar edhe plani rregullues për zonat “Qendra 2”, “Qendra 3” dhe “Lagja e Spitalit”, të cilin e ka paraqitur drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami, duke thënë se këto hapësira kanë nevojë të përshtaten me nevojat e reja zhvillimore, ndërsa e kanë prezantuar shefi i Planifikimit, Fadil Sherifi, si dhe përfaqësuesi i kompanisë projektuese, Shaqir Jashari.

Opozita ka votuar kundër, duke kërkuar që kjo pikë të shtyhet për më vonë. Bujar Nevzati ka thënë se nuk mund të ndryshohen planet rregulluese pa miratimin paraprak të hartës zonale, të cilën qyteti nuk e ka ende, derisa Nehat Osmani ka thënë se plani ka nevojë për një shqyrtim shtesë.

Sa i përket rrugës me katër krosi, nga Livoçi deri në qendër të qytetit, Naser Korça, drejtor për Shërbime Publike, tha se Komuna ka bërë kërkesë për revidimin e planit, duke sqaruar se rruga nuk do të shkojë deri te semaforët, siç ishte planifikuar, por do të përfundojë te Stacioni i autobusëve, përkatësisht furra “Qerimi”, për të vazhduar në pjesën tjetër vetëm me rregullimin e infrastrukturës bazike, pa ndërhyrë në gjerësinë e saj, as në pjesën e parkut.

Ndërkaq, rishikimi i vendimit për caktimin e përbërjes së Komitetit për Komitete, sipas rekomandimit të MAPL-së, ka mundur të bëhet falë këshilltares së pavarur, Festa Shabani, e cila vullnetarisht ka pranuar të kalojë në një trupë tjetër komunale, pasi LVV ka refuzuar ta tërheq nga Komiteti për Shërbime Publike, anëtaren e vetë, Arbëresha Hyseni, edhe pasi e propozoi në Komitetin për Komitete, duke thënë se përfaqësimi në dy trupa komunalë, njëri obligativ dhe tjetri joobligativ, nuk përbën kurrfarë shkelje në aspektin ligjor.

Shpresa Kurteshi, kryesuese e Kuvendit, kërkoi mirëkuptim nga LVV, për të ofruar një propozim tjetër për Komitetin për Shërbime Publike, për të mos e komplikuar procedurën e rishikimit të këtij vendimi, me gjithë respektin që ka për Arbëresha Hysenin, e cila kaloi në Komitetin për Komunitete.

Përndryshe, sa i përket informatës për korrje-shirje, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani ka thënë se rendimentet e kësaj vere, rreth 4 mijë kilogramë për hektarë, mesatarisht, janë të mira, por jo ato që janë pritur, për shkak se kushtet e pavolitshme atmosferike e kanë bërë të veten.

You Might Also Like