OPINION

Manastiri sipas udhëpërshkrueseve dhe gazetarëve francezë gjatë viteve 1912 deri më 1918

Dr. Enver Sadiku

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, një numër i madh i udhëpërshkrueseve francezë dhe i reporterëve të gazetave, kanë përcjellë dhe raportuar për zhvillimet luftarake që janë zhvilluar në Betejën e Manastirit më 16, 17, 18 dhe 19 nëntor 1912, në mes të Armatës Osmane të Vardarit dhe Armatës së Parë Serbe.Përpos rëndësisë strategjike dhe ushtarake, Manastiri nga ana e udhëpërshkrueseve dhe e shtypit francezë përshkruhet si një qytet i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, i cili ka rreth 60 mijë banorë. Sipas shoqërive gjeografike franceze, të cilat janë marrë me banorët e Perandorisë Osmane në pjesën evropiane Manastiri hynte në mesin e qyteteve më të mëdha në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane pas Stambollit, Selanikut, Edrenesë dhe Prizrenit.[1]Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, për të marrë këtë qytet shumë ishin angazhuar Serbia dhe Bullgaria, por pretendimet e saja i ka patur edhe Greqia. Serbia dhe Greqia nuk janë pajtuar që Manastiri të bie në duart e bullgarëve, derisa bullgarët kanë insistuar se ky qytet i përket atyre, ngase sipas tyre:

“ Ne nuk do të lejojmë të dorëzojmë këtë qytet, ngase ne nuk përzumë turqit për t’ia dhënë këtë qytet serbëve apo grekëve”.[2]

Bullgarët dëshirorin të kenë Prilepin dhe Ohrin, që të vinin në kufi me Shqipërinë, në të cilën do të kishin ndikim në mënyrë që më lehtë të vijnë deri te Deti Adriatik.[3]

Alfons Muze (Alphonse Muzet), autor i librit „Për Vendet Ballkanike pas luftërave të vitit 1912 – 1913”, jep të dhëna për Manastirin dhe ai shkruan:

„Manastiri në të kaluarën është quajtur Heraklea, qytet i madh, i cili ka rreth 60 mijë banorë. Qytetet e kësaj treve kanë kështjella dhe mbetje që tregojnë se me shekuj në këtë vend kanë qenë perandori të ndryshme dhe sundime të ndryshme siç ishin ato bizantine, serbe, bullgare e osmane. Manastiri gjendet skaj një kodrine dhe duket si një rend i madh me shtëpi të bardha, që janë të mbuluara me kulme të kuqe skaj të cilave ka gjelbërim. Pamje të veçantë këtij qyteti i jep edhe numri i madh i plepave dhe minareve e gjithashtu edhe kupolat e xhamive këtij qyteti i japin pamje turke. Në kodrinë gjenden gërmadhat e një kështjelle që është djegur në kohën e Bazilit të Dytë. Brendia e qytetit është sikur e të gjithë qyteteve turke me shtëpitë nga druri dhe ballkone të mbyllura”.[4]

Perfektura në Manastir e pushtuar ushtarakisht nga serbët.[5]

Përshtypjet e Pjaro de Mondezirit nga udhëtimi në Manastir

Misionin e tij në Ballkan më 1913 e pati gjenerali francez Zhan Pjero de Mondezir (Jean Piarron de Mondesir[6] 1857 – 1943). Ai si anëtar i një misioni ndërkombëtar, që është marrë me pasojat e luftërave Ballkanike, më pas i ka përshkruar përshtypjet nga udhëtimi i tij. Në ditarin e tij ai ka shkruar se të enjten me 15 maj 1913 ka arritur në Shkup.

Më 17 maj 1913 ky udhëpërshkrues ishte edhe në Veles, duke udhëtuar nga Shkupi për në Selanik. Pasi kaloi Prilepin, ai përshkruan Manastirin:

„Ky është një qytet shumë tërheqës, që ka lagje të vjetra turke, që ka shtëpi të vogla, por që gjithashtu ka një rrugë të gjerë të qytetit skaj të cilës ka ndërtesa të bukura të cilat i kanë ndërtuar grekët, të cilët më herët në këtë qytet kishin banka dhe shitore që kishin lulëzuar. Një kafiteri e duhur, e cila i ngjanë njërës që kam parë në Selanik dhe hoteli në të cilin jam vendosur, që është i pastër dhe i ngjanë atyre që janë në Francë. Manastiri ka edhe një numër të madh të rrjedhave të lumenjve me ujë të pastër, skaj të cilëve janë një numër i madh i shtëpive, ku gati secila e ka një urë të drunjtë[…]. Lidhja me Selanikun këtë qytet e ka bërë shumë modern. Në këtë qytet jeton edhe një numër i konsiderueshëm i hebrenjve, sikurse në tërë orientin”.[7]

Manastiri ka lënë përshtypje të madhe te udhëpërshkruesit francezë e njëri ndër ta ka qenë Franz de Jessen, i cili së bashku me Armatën Franceze në dhjetor të vitit 1915 ka udhëtuar nga Selaniku parmës Kanjonit të Vardarit deri në Manastir.

„Asnjë nga qytetet nuk më është dukur më tërheqës dhe më i bukur se ai që grekët e quajnë Manastir kurse sllavët Bitol.”. [8]

Pas marrjes së Manastirit nga ana e aleatëve, koloneli francez André Orioni u bë komandant i ushtrisë në këtë qytet. Manastiri është bombarduar me aeroplanë gjatë ofensivës së Ushtrisë Franceze për të marrë këtë qytet. Pas hyrjes së ushtrisë, përkundër shkatërrimeve të mëdha në këtë qytet, koloneli Andre Orioni më 20 shtator 1918 ka shkruar:

„Manastiri ka qenë një qytet i bukur dhe simpatik […], nëpër të cilin kalojnë dy rrjedha lumi. Shëtitoret skaj këtyre dy lumenjve të përkujtojnë qytetet evropiane. Para luftës, Manastiri kishte 60.000 deri në 80.000 banorë. Në këtë qytet bullgarët kanë zhvilluar një propagandë të madhe për të fituar simpatitë e popullatës”.[9]

Manastiri – Veturat e para të Armatës Franceze futen në qytet.[10]

Hyrjen e trupave franceze në këtë qytet e përshkruan oficeri ushtarak francez Pjer Demikelis (Pierre Demichellis), i cili pas marrjes së qytetit nga aleatët ka shkruar:

„Disa qytetarë shikojnë nëpër dyer, ata janë turq me fesa të kuq, shqiptarë me plisa të bardhë dhe sllav me të veshur me rroba të leshta me skaje të ndezura. Rrugët kryesore të këtij qyteti edhe më tej mbajnë emra gjermanë të shkruar me qymyr nëpër mure: Hauptstrassse, Prinz-Borisstrasse, Mackensenstrasse. Rrugët e ngushta të dyqaneve janë të zbraztë, dyqanet e mbyllura me dry të mëdhenj dhe kapakë të drujtë. Disa nga këto dyqane janë të shkatërruar dhe lëngje të ndryshme rrjedhin nëpër rrugë. Para se të tërhiqen, bullgarët i kanë vënë flakën disa prej tyre.[11]

  1. 58. Shikimi në Manastiri – Ana jugore – Në fund shihet mali Moqiqovë.[12]

Koloneli Ordioni, në letrat që ua ka shkruar më të dashurve të tij në Francë ka përshkruar Manastirin. Në ato letra, sa i përket monumenteve kulturore që ekzistojnë në Manastir, koloneli Ordioni përmend një xhami të bukur[13], e cila ka një deriçkë të vogël, të ultë e të ngushtë  dhe e cila është e ndërtuar në një livadh të gjelbër dhe në të cilën në brendi, në murin e bardhë janë të shkruara citate në me shkronjë të alfabetit me shkrim turk.[14]

„Manastiri ka një xhami të bukur, një kishë ortodokse (të Shën Dhimitrit) një kullë  katërkëndëshe në të cilën ka shkallë rreth 140 metra […]. Në kishën e Shën Dhimitrit kam parë një vepër të madhe të gravuar në dru, të cilën ortodoksët e quajnë ikonostas, sikurse edhe disa gravura në thellësi 4,5 deri në 6 cm dhe të cilat kishës ia japin në pamje të veçantë.[15]

Përpos monumenteve kulturore, Manastiri veçohet edhe përmes ndërtesave moderne të cilat ekzistojnë në këtë qytet dhe të cilat janë ndërtuar përmss parimeve evropiane, por të cilat janë me orendi orientale.

Edhe në librin „Një parisien në Selanik, të botuar në vitin 1918 e në të cilin përshkruhen ngjarjet në frontin jugor, autori i këtij libri C. Altam flet për nisjen e trupave aleate nga Dardanelet dhe në mënyrë indirekte ai flet edhe për Manastirin, duke thënë se skaj tij rrjedh lumi Dragora,[16] derisa oficeri ushtarak Pjer de Mikelis, duke dhënë një pamje të përgjithshme për Manastirin shkruan:

„Me shokët e mi unë shkoj kah xhamia e madhe. Në të hyjmë nëpërmjet një deriçke të vogël, të ngushtë dhe të ultë dhe përnjëherë na paraqitet një xhami e bukur në një fushë të gjerë e të gjelbër të rrethuar me mure […]. Xhamitë ngritën më lartë se grupi i shtëpive të vogla , dy lumenj të ngushtë e të shpejtë rrjedhin nën numrin e madh të urave prej druri, të cilat gati se janë të njëjta.[17]

Sipas kolonelit Ordioni, në kohën kur nuk kishte lufta, Manastiri ishte një vend i njohur për tregtinë e gjedhëve dhe të vajit, por që lufta zvogëloi numrin e banorëve dhe shkatërroi një pjesë të madhe të qytetit.[18]

[1] “La Turquie de l’Europe”, Union géographique du Nord de la France, Bulletin 1912, Douai, Imprimerie Bassée, 1912, 54.

[2] Jean Pélissier, Dix mois de guerre dans les Balkans, octobre 1912-août 1913…, 260.

[3] Ibidem. 256 – 260.

[4] Alphonse Muzet, Le monde Balkanique, Paris, Ernest Flammarion Editeurs, 1917, 190-193.

[5] Agence Rol. Agence photographique, a préfecture de Bitol à Monastir occupée militairement : [photographie de presse] / [Agence Rol], Rol, 25349, Bibliothèque nationale de France, département Estampes et photographie, EI-13 (217), https://gallica.bnf.fr/ark:/12148/btv1b531144550.r=Monastir?rk=236052;4

[6] Lucien-Jean-Frédéric Piarron de Mondésir – ( 13.12.1857 – 11.08.1943) https://data.bnf.fr/fr/13077961/lucien-jean-frederic_piarron_de_mondesir/

[7] Ibidem. 342.

[8] Franz de Jessen, Les troupes françaises en Macédoine – De Salonique par la valle du Vardar et vers le Monastir, La Revue hebdomadaire : romans, histoire, voyages, Paris, 23.10.1915, 545 – 546.

[9]Ecrits de colonel Ordioni, présentés par son petit-fils Dominique Danguy des Déserts…, 62.

[10]Section Photographique de l’armée, „Monastir – Les premiers autos de l’armée française entrent dans la ville”, L’Art et les artistes : revue mensuelle d’art ancien et moderne…, T22, SER3, N1, mars 1917, Paris, 27.

[11] Pierre Demichellis,“Vers Monastir”,Revue franco-macédonienne, entièrement rédigée par les officiers, sous-officiers et soldats de l’armée d’Orient nr. 6, Salonique, 12.1916, 45.

[12]Section Photographique de l’armée, „Vue de Monastir – Cote est – Au fond le mont Mocicovo”, L’Art et les artistes : revue mensuelle d’art ancien et moderne…, T22, SER3, N1, mars 1917, Paris, 28.

[13]Ecrits de colonel Ordioni, présentés par son petit-fils Dominique Danguy des Déserts…, 68.

[14] Pierre Demichellis,“Vers Monastir”…,45.

[15]Ecrits de colonel Ordioni, présentés par son petit-fils Dominique Danguy des Déserts…, 68.

[16] C. Altam,  Un parisien a Salonique, Paris, Collection Patrie, 1918, 34.

[17] Pierre Demichellis, “Vers Monastir”,45.

[18] Ecrits de colonel Ordioni, présentés par son petit-fils Dominique Danguy des Déserts…, 35.

You Might Also Like