MEDALJONE TREGIMTARE
METI REXHEPI
Prend Buzhala: QIELLIT I MUNGONIN LOTËT; Lena, Prishtinë, 2022
(Tregime me pak fjalë)
Autori Prend Buzhala ka një jetëshkrim sprovash të dendura të jetës e të shkrimit. Padyshim është njëri nga autorët bashkëkohorë më të frytshëm në letrat e shkrimit letrar-artistik në letërsinë shqiptare; qoftë në fushën e diskurseve kritike-eseistike-studimore, estetike dhe publicistike; gjithsesi, nuk mund të lësh anash pjekurinë e poezisë dhe të prozës tij. Ai shkroi dhe publikoi dhjeta vëllime shkrimesh poetike, diskurse kritike-estetike, vlerësime dorëshkrimesh dhe, vijon të shkruaj në të gjitha gjinitë dhe llojet e shkrimit letrar tek ne. Krijimtaria e gjithanshme e Prend Buzhalës e begatoi shprehjen artistike dhe, artikuloi me kompetencë mendimin për poetikën e shkrimit shqip; gjithnjë kërkueshëm dhe në përkim me përvojat e mendimit evropian.
Prend Buzhala lexuesve dhe studiuesve të përtashëm dhe të ardhshëm, po ua lë opusin e tij të gjerë, llojesh e gjinish letrare të ndryshme, për t`iu qasur shumanshëm nga këndvështrime, sipas përkatësisë, reflektimit dhe interesimeve, që do të zgjojnë në të tashmen dhe të ardhmen, kurdoherë me optikën moderne të shqyrtimit e të vlerësimit.
ÇËSHTJE TË NARRATIVËS TREGIMTARE
Kësaj radhe këndvështrimi im do t`i hedh sytë tek proza më e re e shkurtë, e këtij shkrim-kërkimtari të pasionuar; fjala është për vëllimin “QIELLIT I MUNGONIN LOTËT”, me nënvizimin “Tregime me pak fjalë.” I thjeshtë dhe interesant është përcaktimi sasior i autorit për këtë lloj tregimesh. Këto tregime të shkurta autori nuk i quan skica tregimtare, por “tregime me pak fjalë.” Përse? Ngaqë, me gjithë shkurtësinë e tyre, është bindje-plotë se këto proza janë mirëfilli tregime. Pa hamendje për përkufizime teorike-letrare, këto proza të shkurta janë tregime dhe, si të këtilla shkrimtari Prend Buzhala, deri më tash botoi gjashtë vëllime të këtij lloji: “SINAPSA E HESHTJES” (Tregime me pak fjalë), më 2016; “HEROI I RRUGËS” (Tregime me pak fjalë), më 2017, ribotuar, më 2019; “SHEJZAT E KRYQËZIMIT” (Tregime me pak fjalë), më 2020; “SIZIFI PA GURIN E TIJ” (Tregime me pak fjalë), më 2020; “ZËRAT JASHTË VETVETES”(Tregime me pak fjalë), më 2021 dhe, “QIELLIT I MUNGONIN LOTËT” (Tregime me pak fjalë), më 2022.
Lënda tregimtare e këtij libri është renditur brenda tre ciklesh: I Gruaja më e bukur në botë, ka njëzetepesë tregime; II Endacaku i humbur i yjeve, përfshin njëzetetre dhe, III Fëmija i Zotit, përmbledh njëzetepesë tregime të shkurta.
Në ciklin e parë të titulluar Gruaja më e bukur në botë, ndiqet një kronologji e datave të shkrimit, ngjashëm me kronologjinë e të ndodhurave të një ditari, ndonëse brenda një date mund të jenë shkruar një dhe dy tregime; përderisa në dy ciklet vijuese kemi zhvendosje të rendit kronologjik të datave të përfundimit të tregimeve. Është faktuar se tërë vëllimi i këtij libri përmban shtatëdhjetë e dy tregime, meqë, si duket tregimi “Gjuha e furtunës” i faqeve 61- 62,
gabimisht është përsëritur në faqet 83-84 te cikli Endacaku i humbur i yjeve. Zhvendosja e tillë teknike aspak nuk e dëmton koherencën e librit.
Nën titullin e vëllimit me tregime “QIELLIT I MUNGONIN LOTËT”, shkrimtari përcaktoi dëftimin “Tregime me pak fjalë.” Kjo fjali e ndajshtimit titullit përcakton përmasën vëllimore për shkrimet, që lë të kuptohet se tregimi mund të shkruhet “me pak fjalë”, sikundër shkruhet dhe me shumë fjalë. Këtu mund të prekim në çështje të sintaksës poetike të shkrimit. Përcaktimi sasior nuk e cenon thelbësoren e rrëfimit tregimtar. Teoria për ndërtimin e tregimit ka parashtruar rregulla, si për tregimin ashtu dhe për nivelin dhe prozën e gjatë përkatësisht romanin. Romani modern dhe post modern vetë-lirohet prej disa rregullave kanonike, të cilave i përmbahej proza e tipit të gjatë, romani i shtjellimeve epike klasike. Tashmë për çdo nivel të lexuesve janë të njohura veçoritë e prozës së gjatë. Në prozën e gjatë, në roman ose novelë, strumbullari narrativ, ideor dhe kompozicioni lidhen kryesisht me krye-heroin, si dhe personazhet e kundërvënë e kundërthënës, të cilët përfaqësojnë serinë e të ndodhurave dhe të ngjarjeve, ritmet e pulsimet rrjedhës emocionale, dramën ideore të thurjes e të shthurjes paqësore, tragjike ose fundin me hepy end.
Meqë mes romanit dhe tregimit shfaqet dallimi aq i dukshëm, i gjerësisë e gjatësisë, i përbërësve të shumtë, i shtrirjes tejet të zgjeruar të linjave rrëfimtare në hapësirë dhe kohë, për aq sa krye-heroi a heronjtë tjerë bartës të ideve, lindin burrërohen dhe arrijnë mplakje; pra, gjatë ngjarjeve formojnë dhe sprovojnë karakterin, nismën dhe rrumbullakimin ideor e të kompozicionit; novela paraqitet më e rrudhur, më e dendur dhe më e përmbledhur. Po tregimi? Tregimit i duhet rrudhje e dendësim maksimal të thënies, kapërcim i shpejtë në kohë dhe hapësirë, mjeshtri sintetizuese të rrëfimit, ecje pothuajse në stom të honit me ngërthesa fijesh të holla sintetike:copëza rrëfimi, tkurrje përshkrimi, përmbyllje figurative, rrumbullakim medaljoni.
Romani dhe novela ndonjëherë i kapërcejnë kufijtë brenda llojit të vet, meqë pleksin shumësi ngjashmërish. Përcaktimet e llojit sjellin dilema përkatësish, mbase për njërën ose mëvetësinë e tjetrit: roman a novelë? Një shëmbëllim të tillë e hasim tek romani ose novela “PLAKU DHE DETI” e Ernest Heminguejit.
Jashtë përpjekjeve për shqyrtime teorike, tregimet “me pak fjalë” të Prend Buzhalës, të cilat në pak sosh i kalojnë dy-tri faqe libri të formatit 21 cm, paraqesin veçanti për shqyrtim. Në lëndën e shtjellimit të prozës, të romanit, të novelës, madje edhe në tregime, gjatë rrjedhës narrative e përballjeve ideore-emocionale formësohen karakteret, zgjerohen ide dhe marrin tipare etike, etnike, filozofike, ontologjike dhe ekzistenciale; domethënë hapësira shprehëse jep mundësi të pakufishme përthithjesh komplekse të botës e natyrës njerëzore. Në vëllimin e tregimeve që kemi në dorë, përballemi me mjedisin e fateve individuale dhe të një organizimi shoqëror me trashëgimi plagësh të gjenocidit dhe etnocidit, me plagë të rënda në shpirt dhe trup, me mëkate të vjetra dhe të reja, me mendësi të turbulluar, me flashkësi institucionale, me identitet të pa qartësuar, me shtresimin burokratik të veprimeve të ngathëta për jetën e qytetarëve…
Shkrimtari Prend Buzhala pandalshëm arriti një përvojë krijuese të rrallë në të gjitha gjinitë dhe llojet letrare, duke akumuluar një fond të begatë prurjesh poetike, dijesh e vlerësimesh kritike, diskursesh teorike-letrare. Ai është plotësisht i vetëdijshëm, për forcën dhe kufizimet e ndikimit të artit të shkrimit tek ndërgjegjësimi i masës shoqërore përmes librit. Libri, kjo shenjtëri e gjallë e njerëzimit, në mjedisin e urbanizimit të përciptë, më tepër haset si dekor vitrinash, të cilit i trashet pluhuri mbi kopertina. Autori me anë të këtyre tregimeve të shkurta, gati miniaturale, si duket gjeti mënyrën për t`i shkundur përtacët e leximit, përkatësisht të mos-leximit, të cilët shkasin e kthimit të shpinës librit e kanë në majë të gjuhës: është kohë e jetës dinamike, nuk përballohet dot përqendrimi mbi një vëllim të gjatë libri! Mirëpo, ja që përmes tregimesh të këtilla “me pak fjalë” shkrim-kërkimtari ia doli që të na josh bindshëm.
Brenda tre ciklesh, në shtatëdhjetë e dy tregime të shkurtë, poeti e tregimtari Prend Buzhala, ia doli të ngërthejë e të zbërthejë mozaikë të dendur fatesh njerëzorë, dukuri, bëma, ide kënd-fshehura, përsiatje përbuzjesh e cinizmash, personazhesh anonimë, të cilët jetës i lypin vetëm aq sa për t`u mbajtur biologjikisht, situata paradoksale dhe absurde, brenga e vullnete shpirtçiltra, shpresa brenda dhe tej sferave tokësore.
SPROVA E THËNIES SË SHKURTË
E thënë troç: rrudhja, reduktimi maksimal i thënies, pothuajse e zhvesh përshkrimin e dukurisë a të ngjarjes, frymorit të piketuar për shtjellim. Në secilin tregim autori lë mënjanë shtjellimit shumë hir dhe, vjel vetëm mazën, pra ajkën. Por, a ka dro që tregimi të mbetet krejtësisht i cunguar, pa degëzime, pa gjethe? A ka druajtje autori, që parimi i ajsbergut ta tejkalojë masën e tri të katërtave të fshehjes nën ujë dhe, vetëm një ose gjysmën e njëshit të thënies ta shfaq mbi ujë?
Gjithsesi trinomi i hyrjes, shtjellimit dhe përmbylljes ndiqet, pos me përjashtime, aty ku pleksja poetike i shmanget narratives dhe merr tipare të plota të poezisë, sikurse tek shkrimet “Dy dritëzat e një oqeani”, faqe 44; “Një zog i padukshëm”, faqe 67; “Dorëshkrimi misterioz”, faqe 100; “Duke ecur rrugës mbi valë”, faqe 120.
Me anë të tregimeve “me pak fjalë”, natyrisht vetmet, personazhet nuk kapen në procese ose rrjedha të formësimit të tyre; ata ose ato dalin të tillë çfarë janë, të formësuar a të pa formësuar, me plagë e ëndrra, me vese e paragjykime, me barrë në shpirt e revoltues, të humbur e reflektues nga përditshmëria thellë në brendësi të psikes, të strukur në sferën e ndërdymes, të ndër komunikimit imagjinar me universin dhe sferën Hyjnore…
Njeriu i thjeshtë i këtij mjedisi shoqëror, u shtyp nga trajta të ndryshme të dhunës. Personazhi anonim, i cili ishte pjesëtar i bashkësisë së gjerë, hidhet në rrugë pas rrëmbimit të fabrikës tij, pëson marramendje dhe alivanosje. I shtrirë në spital pa dashjen e tij, ndonëse me shëndet të shkallmuar, ngre një dialog domethënës, nëpërmjet të cilit ndërtohet revolta ekzistenciale me sfondin e saj stoik:
“Përse po më sjell ilaçe !? Nuk t`i kërkova…”
“Që ta largoj dhembjen, e cila po të mundon …”
“Jo, jo… dhembja mbetet. Ti nuk ke mundësi të mi zhdukësh ëndrrat…” *
Në gjysmë faqe tekst tregimi “Ëndrra që nuk ka ilaç” është aq shumë i dendësuar dhe, arriti të shtrojë bindshëm, fare “me pak fjalë” porosi jetike, ekzistenciale, që tejkalon realitetin e jetës së zhveshur nga ndjeshmëria dhe fisnikëria.
Mozaiku ideo-emocional, etik, estetik, filozofik dhe ekzistencial; e folura alegorike, metaforike, ironike, satirike aty-këtu me pleksje të diskursit eseistik e publicistik, përshkon, pothuajse, shumësinë e kësaj proze të shkurtë, të cilën me mjeshtërinë e një kësilloj gdhendjeje të fjalësit, si shkrim-thurësh i mirë, Prend Buzhala e shndërroi në medaljon ose në vistër medaljonesh. Reflektime të tilla zbërthejnë gjatë leximit të një vistre tregimesh, si: “Projekti qiellor për planetin e lumturisë”; “Shitja e shpirtit”; “Dora e padukshme”; “Një qen fisnik”; “Hije të vjetra”; “Drejtpeshimi i rrëmbyer” dhe gjetiu tek tregimet tjerë.
Sprova për depërtimin mjeshtëror në amullinë e absurdit hasim në tregimin “Drejtpeshimi i rrëmbyer.” Stili lehtësisht i kapshëm dhe depërtues i autorit në situata pa vizione të shtegdaljes, përkon me përmbylljen e paragrafit, me ngërthesë të ngjeshur të atmosferës metaforike, e shkrirë përgjatë gjithë sjelljes jashtë arsyes, duke vënë në delir drejtpeshimin e humbur njerëzor:
“E vërteta po i ngjante errësirës me hijet që iu hodhën përsipër” *
*Prend Buzhala: QIELLIT I MUNGONIN LOTËT”, Lena, Prishtinë, 2022, f. 7
*Po aty, f. 23
Moria e motiveve të shpalosura në librin “QIELLIT I MUNGONIN LOTËT” është e gamës së gjerë të së ndodhurës. Shkrim-kërkimtari të ndodhurat, dukuritë i kap kryesisht në lëvizje, në dialektikën e shndërrimit të trajtave, të shkuarjes dhe të ardhjes, por gjithnjë duke e ruajtur masën esenciale të njeriut. Misioni i shkrimtarit në esencën e tij është thellësisht njerëzor. Ai nënvizon prishjen e skajshme të shpirtit amësor, ashtu si e shohim dhe e ndjejmë, tek tregimi “Njëzet vitet që s`kanë nevojë për t`u rrëfyer.” Foshnja e lënë në kontejner! “Po e lë në mëshirë të Zotit!” Përmbyllet:
“Është vëllai im, e gjeta afër një koshi mbeturinash!”*
Motivet që trajtohen në këto tregime pleksin njëkohësisht stil rrëfimtar-poetikë figurative- prozë poetike, të përshkuara me emocione vetash, që ndrydhen e shpërthejnë… Andaj, shfaqet e theksuar nota meditative për dilemat e jetë-vdekjes, motivimet e besimit dhe të dëshpërimit, aq shumë të përtrollitur në jetën tonë shoqërore. Të gjitha këto rrethana ngërthejnë shqetësime për mbrojtjen ose jo të sublimes njerëzore. Dyshimi i vetes anonime të kësaj proze “në gjithçka…” është kumt, shenj alarmuese për kahen e njerëzores! Vardisja e të keqes e shpie personazhin në zgrip të ekzistencës mendore: “si ta mënjanoj krisjen brenda vetës?”
RETORIKA POETIKE E PYETJES
Nga tregimi në tregim vijon prekja e motiveve me plagë shpirtërore, sikurse tek tregimi “Alarmet e amigdales.” Mënyra më e bindshme për të hyrë në brendi të personazhit me amigdalë, ishte njëjtësimi i vetës, drejtpërdrejt nëpërmjet vetës së parë të autorit. Gjithnjë, autori, duke qenë në harmoni me qytetërimin urban, iu rrek temës me shtrirje universale, mendësisë të aparateve shtetërore, që me instrumentet policore “disiplinojnë” masën, por jo dhe burokracinë brenda vetvetes (proza Labirinti i oborrit).
Në penën e shkrimtarit motivuese paraqitet plaga e azil-kerkimit. Kërkimi i lumturisë larg atdheut sjell të papriturat e burgjeve të Evropës. Armiqtë e një gjaku në burgun e huaj, kundruall kanosjes së të huajve i dalin në krah njëri-tjetrit. Solidarizimi për mbrojtjen e armikut të gjuhës e të gjakut të vet, kapërcen pragun e gjakmarrjes dhe, rikthen kërkimin e largët të lumturisë në përqafimin e armikut të djeshëm, sivëllait të sotëm azilkërkues, dyshe e rrezikuar për dhjamë qeni!
Në mozaikun e filozofisë ekzistenciale ndodh përzierja e ngjyrave, disa shkëlqejnë për vete, ca të tjera për gjetiu, për të tjerët. Idealet e vërteta nëpërkëmben nga ato të rremet dhe, të rrejshmet marrin frerët e sundimit, të mënjanimit të vlerave burimore, kësisoj shtresohen revoltat dhe shpërfilljet anarkike, legjitimohet jo-harmonia, trazimi shoqëror.
Prend Buzhala në tregimet “me pak fjalë” preku, shtroi, apostrofoi, nënvizoi shfaqje estetike të së madhërishmes, të bukurës, të shëmtuarës, të ulëtën, tragjiken. Autori këto dukuri estetike dhe jetësore i pikasi me ndjeshmëri, me drithërime, me dritë-hedhje të mendjes rreth e rrotull rrojtjes së vet, andej-këndej ecejakesh ku miopi nuk i shihte, naivi nuk ua perceptonte përmasat madhore të ekzistencës, të një ekzistence dinjitoze.
Çfarë kemi këtu? Këtu kemi përjetime e përjetësime të prekshme, të përtrollitur në realitetin e mjedisit urban, gjithandej kaheve të ecjes së shkrimtarit. Është interesant si e kërkojnë, ku e gjejnë ose nuk e gjejnë lumturinë personazhet e këtyre tregimeve? Intuita e poetit nuhat, me saktësi shqisash për nuhatje, gjetjen e erë-ëndjes dhe të erë-keqes, shkakun e motivimit ideor për kapje të dukurisë për ta shtruar në letër dhe, për ta rrudhur në maksimumin e të mundshmes së reduktuar për thëniet e tekstit figurativ.
*Po aty, f. 41
Në pikëpamje stilistike tek tregimet, që shtrojnë për shtjellim motive të së madhërishmes, kurdoherë në prapavijë kanë sfondin filozofik. Pra, ekzistenca, mënyra e ekzistencës ngërthen dhe filozofi, filozofinë e të jetuarit me intelekt. Andaj, shkrimtari ngre pyetje të shumta: si duhet të jetohet? Me anë të pyetjeve retorike, të cilat i hasim në nismë, në mes dhe më rrallë në fund të ndonjërit prej tregimeve, hapen paranteza. Përgjigjet në rrjedh të shtjellimi janë tri faresh: të drejtpërdrejta, të tërthorta dhe sosh, që kumtin e lënë pezull, të pa përkufizuar, me kureshtje të zgjuar edhe në gjumë. Një stil i tillë, që lë etje në kureshtjen e pagjumë, mbase ngërthen forcën e tërheqjes, le të themi, lë hapur imagjinatën për kërkime motivesh artistike. Ky lloj stili dhe kjo imagjinatë e hapur e vepruese, arrijnë të zënë ritme ngjarjesh, ndodhish, fenomene, gjendje shpirtërore me reflektime të tej-botës, bëma theqafjesh dhe urtësish… Sido qoftë, arti i të shkruarit ka specifikat e veta, parimin e udhërrëfyesit vetjak, pa iu nënshtruar diskursit eseistik, publicistik, sikur mund të ketë edhe rrëshqitje diku:
“E, përnjëmend, kush e krijoi Ëndërrimin për Lirinë? Ëndërrimtarët e Mëdhenj?”*
Qasja si kjo, kur brumi i motivimit është tërësisht i ngjeshur me përsiatje të thella mendimi, proza merr tipare eseistike, ngaqë dalin në pah pyetjet retorike, të cilat mëtojnë t`i zbërthejnë gjësendet, dilemat, emocionet në vetë konstruktin e pyetjeve. Atëbotë, kur forca e fjalës shkarkohet nga emocione, zë e mbushet me fakte mendore, përjashtohet ndjeshmëria hyn diskursi. Megjithatë, përvoja shkrim-ndërtuese e shkrimtarit shpejt e rikthen ndjeshmërinë në objektivin e vet. Në përballjet e shkrimtarit me jetën, Ai nuk lejon që ta humbë luftën, në qoftë se më parë kishte humbur betejën. Por, shpirtërorja ia dëfton edhe një tjetër gjakim:
“Shiko, kjo botë qenka një Gjakim i Bukur për t`iu rikthyer Jetës Përtej Jetës.”*
DIALOGU DHE MONOLOGU IRONIK
Shohim kështu, sepse më parë shkrimtari kishte hapur trasenë të shihnim se ç`ishte arti? Arti i të shkruarit nuk është vetvetiu diçka, veçse për ta përmbushur gjakimin vetjak, për t`u mbyllur “në kullën e fildishtë.” Arti nuk do të ishte art, nëse do të ishte i vetëkënaqur me figurat e indiferencës vetjake. Arti ngërthen porosi për ndryshime… Diskursi për artin mëton t`i zbërthejë ato porosi.
E pohuar paksa shkarazi, por prore janë të mundshme pleksjet e llojeve tjera në brendi të artit të shkruar. Çfarë? Ashtu. Aty ku fjala e tipologjisë poetike e merr rolin moralizues, aty ku tipologjia figurative zhvishet dhe vishet me kostumet, të cilat nuk i shkojnë për shtati bardhësisë së letrës. Arti i të shkruarit ushqehet nga lirika dhe epika, nga fusha dhe mali, nga lumi që rrjedh dhe shtrati i tharë i lumit, me kushtin madhor, që të gjitha prurjet t`i asimilojë brenda gjinisë së vet.
Në tregimin “Kopshti i alkimisë” autori sjell përfundimin eseistik:
“Diçka mund të ndryshojë edhe në këtë shekull dritash e përtej dritash.”*
Reflekset lirike përshkojnë disa nga tregimet e librit “QIELLIT I MUNGONIN LOTËT.” Dalin interesante veçmas ato tregime ku figura i zë vendin rrëfimit, sikurse tek proza poetike “Dorëshkrimi misterioz.” Mandej vijnë përsiatjet e thella të monologut për vetminë, për indiferencën institucionale, për padrejtësinë, e cila e shtynë njeriun të dalë tutje shinave të normales, të bërtas, të rebelohet dhe, bërtitma të mos ketë kurrfarë efekti shoqëror. Ironia dhe stili i të shprehurit ironik e satirik, shfaqet aty ku burokracia mbron aparatin shtetëror me paragjykime dhe, vulosë etiketimet e veta kundruall lirisë dhe të drejtave themelore njerëzore!
*Po aty, f. 68
*Po aty, f. 77; *Po aty, f. 79
Dialogu ironik shpie në përballje me kastën e logjikës pushtuese burokratike-cinike me unin e qytetarit vetëmohues, në tregimin “Njeriu pa dëshminë e lindjes.” Nga intuita e shkrimtarit veçmas dalin vetëmohuese tregimet, të cilat kushtëzohen nga marrëdhënie brenda përbrenda ndërgjegjes të vetave të thyera; intimja brejtëse e ndërgjegjes, reflektimet e karakterit të lig e frikacak. Psikologjia e trazuar dhe mëtimi për gjetje arsyesh demagogjike, për t`u dukur ai i duhuri në situata kritike të dëshmimit? Kategoria e tillë e karaktereve, edhe kur ngre zërin, nuk pret përgjigje ngase zëri i tij ngrihej në heshtje, atje ku nuk fliste heshtja! Fundi i tij është vetëgjykues: “Isha njeri i parëndësishëm.”
STILI I PËRGJITHËSIMEVE ONTOLOGJIKE
Para diskursit le të flasë modeli i kësaj proze të shkurtë:
(ENËT E SHPUARA)
“ Kur isha në mërgim, i lashë gruan, fëmijët, punën dhe ika në luftë.
Sa isha në luftë, më thanë se isha i mirë. E kur shkova në qytet, më thanë: zbriti nga malet një njeri i pagdhendur.
Në trotuar më shikonin të qetë një tufë qensh, dashamirësisht, me sy lutës.
Dy plaka pëshpëritnin: po shkojmë t`i mbushim këto enë të shpuara me ujë.”
Nga ky tregim i shkurtë, si dhe në tërë tipologjinë e kësilloj tregimesh, shkrimtari thuri të folurën e mes rreshtave. Pikërisht e folura e këtillë lexuesit ia nxitë përsiatjet… Le ta pohojmë pa ngurruar mjeshtërinë e hollë për ngërthesa të thella të shkrimtarit tonë.
Nëse ke lexuar përciptazi dhe ke ikur, një magnet i padukshëm ta rikthen kureshtjen: t`ia qërosh lëvozhgën ngërthesës dhe t`ia provosh shijen bërthamës. Duke u identifikuar me Diogjenin, shkrimtari ynë një Diogjen modern, me fanarë në mendje e në dorë, artin e vuri në funksion të sjelljes së përgjithësimeve ontologjike. Le t`i nënvizojmë disa përgjithësime të këtilla: “Njerëzit iu vërsulën fshehtësisë, lehën pas saj, sulmuan heshtjen. Vonë e morën vesh: pasiguria dhe misteri ishin ata vetë.” (Duke ecur rrugës mbi valë)*
Prozës “Heshtja nuk ka kujt t`i rrëfejë histori e kallëzime”, titulli dhe përmbyllja i vijnë në të njëjtin konstatim përgjithësues, për funksionimin, përkatësisht mosfunksionimin e heshtjes, si kategori psikike, filozofike dhe figurative.
Jo rrallë përdorimi i mjeteve retorike jo poetike në shkrimin artistik, e nxjerr prej binarëve ecurinë e figuracionit poetik. Në vëllimin që po shqyrtojmë, autori symprehtë sheh gjithanshëm e, nuk bie në grackën e joshjes të diskurseve. Dialogu artistik i pyetjes retorike me konotacion poetik, i vë frerin e kahes figurative, e drejton dhe arrin përgjithësimin ontologjik:
“- A thua, simbolet njeriu i krijon për gjërat e paarritshme?!”
Në përfundimin e tregimit “Qiellit i mungonin lotët”, sipas të cilit është titulluar ky vëllim tregimesh të shkurta, hasim mbishkrimin e varrit të Justusit ose Njeriut të Drejtë ilir, që shpalon profecinë:
“Mjera bota çka do të shohë mbi ju!
Mjeri qielli që s`do të ketë lot për ju!”
“Pëshpëriti: të vdekurit duan ta ruajnë shenjtërinë e vet edhe për kohën tonë.”*
*Po aty, f. 120
*Po aty, f. 112
JETË PËRTEJ JETËS
Raymond Carver në shkrimin e tij “Rreth të shkruarit”, përkthyer nga Albert Gjoka, apostrofon: Isaac Babel duke shkruar për “Guy de Maupassant” për fiksonin:
“Asnjë hekur nuk mund të shpojë zemrën me një forcë të tillë, sa një rresht i vendosur në vendin e duhur.”
Në të gjitha tregimet me faturë paksa më të zgjeruar të rrëfimit, autori në vetën e parë dhe të dytë, më drejtpërsëdrejti identifikohet me vetat e personazheve anonime, me botën e tyre komplekse, të thjeshtë e të ndërlikuar, secilën herë duke ua matur pulsin veç e veç, duke ua ndjerë dhimbjen, ëndrrat, shkallmimin mental, stoicizmin, mjegullnajën dhe kthjelltësinë, zhgënjimin, shpresat dhe gëzimin, si dhe besimin në diçka të pa korruptuar, qoftë “Jetës Përtej Jetës…” Janë karaktere asisoj, që zihen në vajin e trupit e të jetës së vet.
Për të gjithë adhuruesit e shkrimeve të shkurta dhe, figurave reflektimesh të dendësuara ideore-emocionale, etike dhe estetike, të cilat i përshkon lajtmotivi thellësisht njerëzor, shkrimtari i opusit të gjerë Prend Buzhala, nëpërmjet shtypshkronjës “Lena”, vitit 2022, i solli, pos tjerash, një libër simpatik dhe me vlera.
Gjilan, korrik 2022