Libri

FUSTANI I HËNËS

Tregim
FUSTANI I HËNËS
Liqeni.
Bukuria.
Ëndrra me barkë, liqeni!
Vetë kënga kaltërsore e poetit.
Lëshohet muzgu. Me krahët e lehtë. Aty.
Vijnë kafshët më të bukura të pyllit.Kaprojtë,drenushat, sutat, lepujt…
Shuajnë etjen. Me vete marrin ngapak kaltëri liqeni.Përzier me magji. Dhe bëjnë gjumë të blertë.
Vjen shpesh edhe hëna. E kam parë. Si vashë e bukur me buzëqeshje.
Zbërthen fustanin me kopsa ëndrrash.Lanë gërshetat e argjendta.
Oh, ç`bukuri!
E dini ç`ndodhi një natë?
Ndoshta keni dëgjuar? Po e teproj?
-S`dimë asgjë. Kanë harruar të na tregojnë gjyshet!
-Tregona ti, më mirë!
Ani.
Erdhi hëna si çdo natë. I ra liqenit me not! Skaj më skaj! Si peshk! Kur doli në breg, s`e gjeti fustanin! Kuku! S`ishte aty ku e kishte zhveshur!
Shikoi andej,shikoi këndej, ai askund! Njëherë mëndoi. E kanë marrë valët e liqnit. Por, ai ishte i qetë. Valët flinin!
-Ma ktheni fustanin!- thirri përvajshëm me zë të lartë.
Mjellmave, u doli gjumi. Edhe dallëndysheve. Hepën dritaret e çerdheve.
-Fustani im s`i bie askujt!
-Ne s`dimë asgjë! Ju betohemi!- thanë mjellmat.
Hëna sërish ngriti zërin:
-Ai fustan është vetëm për mua.Më kuptoni? Ai që ma fshehu, të ma kthej! Ndoshta ka dashur të bëjë shaka. Do t`ia fal gabimin.Do t`ia fal mënjëherë.Ju betohem!
Askush nuk e solli.
As nuk tha: Unë e kam.
-Na vjen shumë keq!-tha nëna e mjellmave nga ballkoni i çerdhës.
Një dallëndyshe e përgjumur, duke fërkuar sytë, foli me bindje:
-Sigurisht këtë hajni e ka bërë hutini. Ai, zemërkeqi.
-Sigurisht! Sigurisht!- thanë dy dallëndyshe veshur me pizhame. Iu kishte ikur ëndrra.
-Mos u merakosni, motra! Unë do t`ia jap fustanin tim,- tha dallëndyshja më e madhe.I kam dy. Dhe u bë gati t`ia jap hënës, por…
-Ç`ndodhi?
-Ra nga dega?
-Ndoshta e lëndoi këmbën, ë?
Pritni pak!
Dy yje zbriten te buzë e liqnit. Në dorë kishin një fustan të çepur me fije rrezesh.
Sa i kishte hije hënës!
E morën. Atje lart. E bënë motër të tyre.
Tash, çdo natë, kur bie terri, ajo shetitë në qiell. Me yjet për dore!
Sërish zbret te liqeni. Por s`ka frikë. Askush më s`ia vjedh fustanin. Hutinit me syze ia kanë mbyllur derën e përrallës.
Fëmijët i zuri gjumi.
Avdush Canaj

You Might Also Like