Libri

MËKATET E EVËS PASOJË E GLOBALIZMIT DHE E PARAGJYKIMEVE

Mr. Arsim Halili

MËKATET E EVËS PASOJË E GLOBALIZMIT DHE E PARAGJYKIMEVE

Analiza e një romani nuk është gjë e lehtë. Veçmas kur subjekti është i mbyllur dhe në të njëjtën kohë i gjerë nga se gjatë veprës do të mbarështohen çështje, të cilat gjenerojnë paradokse te romanit, siç thekson njëra nga studiueset e letërsisë së post modernizmit, Linda Hutcheon: “Paradokset mund të na zhgënjejnë dhe të na trazojnë, varësisht nga tekat e karakterit tonë”[1].

Emri i shkrimtarit Nasi Lera në letërsinë shqipe, sidomos kur flitet për prozën, zë vend meritor, qoftë për atë shkurtër, për tregimin, qoftë për atë të gjatë, roman.

Meqenëse në këtë takim kulturor të vjeshtës letrare të Gjilanit, do të trajtoj njërin nga romanet e Nasi Lerës, paraprakisht më lejoni t’ju kujtoj disa nga romanet e botuara nga ky shkrimtar: “Gjaku i prillit” , “Të jetosh kohën”, “Orët e qytetit të vogël”, “Balada e vetvetes”, “Nata e premierës”, “ Ngjallja e diktatorit”, “Ana ZH”, “Njeri pa stinë”, “Sytë e Sofisë” etj. Siç shihet krijimtaria e Nasi Lerës është mjaft e gjerë dhe e pasur.

Në vijim po e vështroj romanin e tij “Të gjithë premtojnë Parisin”.

Që në titull të romanit kuptojmë njërën nga fjalët që në diskursin e përditshmërisë sonë nuk shmanget mes palëve, pavarësisht raporteve sociale: premtimi si kontratë e pashkruar tekstualisht, thënë gojarisht. Ka raste kur realizohet në plotëni, por me raste mbetet vetëm një fjalë goje që në përmasa psikologjik e kalon stadin e një gënjeshtre, stadin e mos besimit mes palëve, mosfunksionimin e raporteve sociale nga ato më të ngushta familjare, dashurore deri ato të një përmase më të gjerë politike.

Duket qartazi se Nasi Lera në këtë roman është përqendruar në dukuri ku në këtë shekull, të globalizmit të shumë çështjeve (gjë të cilën po e jetojmë) në emër të tranzicionit politik, ekonomik e kulturor.

A do të duhet të bëhemi pashmangshëm arbitër të një realiteti me pak piktoresk, apo më pak ngjyra, thënë më qartë ku e drejta dhe e padrejta, premtimi dhe mos realizmi, dashuria dhe urrejtja bashkëjetojnë. Kjo gjë është shqetësim në vete edhe për vetë autorin e këtij romani.

Përroi i ndërgjegjes

Romani shquhet për përshkrimin e brendshëm të përvojës.[2] Kështu në “Të gjithë premtojnë Parisin” kemi një shumësi individësh përballë një bote tjetër vetmitare, të cilët i shpalosin muskujt, e tregojnë fuqinë e tyre patetike, duke u treguar të ndërgjegjshëm që t’i shpëtojnë të tjerët nga përroi i ndërgjegjes[3], me gjasë se e bartin mëkatin bashkë me Evën e Nasi Lerës. Eva sado që duket shpërfillëse ndaj konditave tradicionale, një vajzë e cila ka guxuar të veprojë brenda kushteve të realitetit të sotëm, pjesëmarrëse në show-realitet televizive, duket se pala tjetër, vërshon me epitete që te ky personazh krijon bartësen e mëkateve.

Prania e autorit në roman

Rrëfyesi gjendet në të gjitha veprat e artit narrativ, në ep e në tregim, në novelë e në anekdotë. Volfgang Kajzer në punimin e tij “Kush e rrëfen romanin” mendon se rrëfyesi në roman nuk është autori, por transformimi i tij në personazhin kryesor.

Po e marr një shembull: personazhi Dr. Gjilpëra, ku Faik Koica transformohet në personazhin e Dr. Gjilpërës.

Edhe te romani i Nasi Lerës a nuk kemi një alter- ego të shkrimtarit me bartësin kryesor Simonin, ndonëse personazhit të romanit, Simonit, duket se në fillim është i predispozuar t’i dështojë romani, e që ai paraqitet një qëmtues aq zhbirues sa që përmes Evës, mendoj se bëhet burim frymëzim nga dashuria për të filluar romanin e dështuar në fillim, në një roman të realizuar mrekullisht  nga vet autori  i romanit  që po diskutojmë, z Lera. Vërehet se me anë të nënkuptimeve dialoguese, jepen copëza informacioni, në disa drejtime se çfarë ka ndodhur më saktësisht në Shqipërinë post- komuniste, se duhet sqarohet drejt  kjo gjë, jo  në kuptim gazetaresk, por atë artistik,  nga një realitet i izoluar, duke tejkaluar tranzicionin, mbase të ecur jo në paralele me kohën, e që për fat të keq gjithnjë, nënkuptohet, ku ky tranzicion u keqpërdor thuajse në gjitha skenat sociale.

Andromaka e Lerës sjell dramë të re

Konvencat zhanrore na mundësojnë ta kuptojmë ndërthurjen erotike, ta zëmë, me Andromakën, e cila mbeti besnike për jetë edhe pas vdekjes së Hektorit, po shtrohet çështja pse shkrimtari Lera sjell këtë konvencë skenike në një kohë dhe rrethana të tjera. A ka nevojë për një Andromakë që në skenë do të debutonte një rol zhgënjyes, që disa shtiren engjëj e në realitet përfaqësojnë një botë hipokrizie. Personazhet e Lerës, Eni D, Vesa Destani më pas edhe Eva dhe Simoni, duket qartazi se do të lindë një provokim ndjenjash, apo do të jenë vetëm fjalët elekuente, për të realizuar një projekt të tij një roman, apo të krijojë drama të njëpasnjëshme. Nga e gjithë kjo lind pyetja : A do të duhej të shfaqeshin disa Andromaka nëpër kohë?!

Në realitetin e sotëm Lera është i vetëdijshëm se secila pjesë skenike, nuk e kishte besnikërinë e Andromakës së zanafillës në dramën e Rasinit. Si e tillë kjo lëkundje dramatike tipizon diçka tjetër atë të lakmisë e që kostoja e saj paguhet me çmimin e shthurjes që këto shigjeta lakmitare nuk vijnë nga një drejtim i vetëm.

Hapësira kohore dhe topike në roman.

Duhet thënë se e gjithë ngjarja ka një itinerar kohor jo më të gjatë, mbase çështje javësh, me përqendrim në zonën bregdetare, pikësynim topik ka malin e Robit, po desteninacioni i vajzës ëndërrimtare e tejkalon këtë hapësirë, ajo ëndërron Parisin, Parisin e salloneve mondane, Parisin e VIP -ve të modelimit dhe të shfaqjeve të mëdha televizive, Parisin e Luvrit , Parisin me Kështjellën e Shën Elizesë, ndoshta aty ishte edhe pikënisja e saj për t’u futur brenda mureve të “kështjellarit” të Shqipërisë së saj. Eva, kjo vajzë e cila s’kishte mëkate, e zbulon se mëkatet e saj shpërfaqen publikisht e brenda atyre mureve të kështjellës. Duket se me futjen në kështjellën e premtimeve boshe, qoftë edhe nga politikanët e ditës, e ndjen se gabimisht e kishte kafshuar mollën e ndaluar të mitit të Evës në Edenin real. Në diskursin narrativ gjatë gjithë kohës; moti në këtë roman, vërehet se është gri. Dhe pse ndodh gjatë gjithë kohës ky mot me shi, edhe në det edhe në Malin e Dajtit, edhe në bar-restorane në Tiranë, në Budva e gjetiu. A mbetet vetëm në korniza kur shkrimtari i quajtur Simon e dëshiron një gjë tillë si burim frymëzim për të shkruar romanin e tij, apo vetë shkrimtari Lera ka kërkesa më të mëdha se kjo kornizë e ndërfutur në gjitha episodet skenike? Mbase moti është shkas i efektit që John Ruskin e quajti mashtrim patetik, projektim i emocioneve njerëzore mbi fenomenet në botën natyrore: “Të gjitha ndjenjat e dhunshme, përshtypjet tona për gjëra të jashtme prodhojnë falsitet, që në përgjithësi do t’i karakterizoja si mashtrim patetik”[4].

Shihet se autori Lera nuk e ka krijuar rastësisht këtë mot me shi, këtë mot gri, sepse ai vëren qartazi falsitetin e njerëzve, që dinë që brenda fjalëve të mëdha të mashtrojnë, e brenda atij mashtrimi edhe të përfitojnë.

Brenda kësaj vepre janë të pranishme edhe situata groteske, ku njëra anë merr guximin, në rastin konkret aktorët e politikës ditore, të tejkalojnë limitet deri në marrëzi e me raste në disa sekuenca mes të bukurës si fenomen estetike bien në kundërvënie me gjithë atë në praktikën jetësore. Këtë vijë harmonike autori e shpreh me një gjuhë të pasur poetike, ku dialogu është mënyra më e pranishme shtjelluese shprehës. Nasi Lera jo rastësisht brenda këtij grotesku fut edhe simbolikisht disa nga kafshët që shprehin veçantinë siç është macja, qenët që dallohen për besnikëri dhe vjen një çast kur qeveria (shteti) i shet në ankand si diçka të pavlerë. Pra, shkrimtari na ballafaqon me realitetin që të shqetëson dhe shenjëzon se deri në çfarë pike mund të arrijë politika e ditës ku të gjithë ata që janë në shërbim të tyre një ditë mund të transformohen në qenie të pavlerë. Jo rastësisht është futur edhe dhelpra, simbolizim i dinakërisë, brenda dialogut të personazheve të romanit. Duket se autori mjeshtërisht fut në funksion fabulor, sado që mund të duken sipërfaqësore, edhe dukuri të tilla, po simbolika e tyre nuk është pa shkas artistik.

Ngushtë lidhur me këtë po sjell mendimin e Mario Vargas Llosa, ku ndër të tjera thuhet: “Është plotësisht e vërtetë që modernizmi krijon shumë forma të zhdukjes tradicionale, por të njëjtën kohë, hap edhe mundësi të reja dhe strukturon një hap të rëndësishme për një shoqëri si tërësi“ [5].

Duhet thënë se shkrimtari Nasi Lera nuk është kundër botës së modernizmit e as për zhdukjen e tradicionales, po kundër fenomeneve që bëhen në emër të tranzicionit patetik e të cilat e degjenerojnë shoqërinë po dhe marrëdhëniet e mirëfillta njerëzore.

[1] Linda Hutcheon, Poetika e postmodernizmit, Shb OM, Prishtinë, 2013, f. 9.

[2] David Lodge, Arti i fiksionit, Armagedoni, Prishtinë 2022, f. 60.

[3] Duhet thënë se fraza “Përroi i ndërgjegjes “ është krijuar nga psikologu Wiliam James.

[4] David Lodge, Arti i fiksionit, vep e përmendur. f. 116.

[5] Metafora. Revistë letrare, Prishtinë 2011, f. 21.

You Might Also Like