Libri

MITOLOGJIA NË FUNKSION TË MODERNES POETIKE

Sherafedin KADRIU

MITOLOGJIA NË FUNKSION TË MODERNES POETIKE

(Për vëllimin poetik të Arsim Halilit, Muzeu i hijeve” botuar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu, Gjilan, 2023, me redaktor, dijetarin Anton Nikë Berisha).

Vëllimi poetik “Në muzeun e hijeve”i poetit Arsim Halili, përbëhet prej tre cikleve: Pamje të grisura, Hapërimi i kodit të vdekjes dhe Rrugët bartin pluhurin e gërshetit tënd. Të tria këto cikle formësojnë një unitet të arrirë, patjetër me ndonjë karakteristikë tematike a nënkuptimore, gjersa synohet modernia duke mos e melodizuar tej mase lirikën. Edhe ashtu, vetë modernia nuk më duket aq melodike.
Titulli domethënës i kësaj vepre dhe emërtimi i cikleve, qysh në krye të herës arsyetojnë të hirtën e jetës të transponuar në art sipas një shijeje personale në linjë të arsyetimit të shprehjeve antike, të cilat modelohen poetikisht në funksion të kuptimit të fshehjes së të nënkuptuarës.
Duke qenë se autori është njohës teorik dhe praktik i krijimtarisë artistike, ai i ka vënë vetit detyrë për të krijuar vepër interesante. Jo ndonjë vepër të zakonshme. Ndoshta për këtë arsye, poezitë e kësaj përmbledhje janë të mira. Nuk janë të dala nga ndonjë proces ngutjeje, por poezi që janë marrë shpeshherë nëpër duar, dhe tek më pas ato i janë afruar publikut lexues me një element të theksuar intelektual.

Projektimi i së vërtetës

Poezia është pasion, muzikë, kuptim, strukturë, gjendje, ankth, është krijim që ngjitas ka kënaqësinë që e përjeton vetë krijuesi dhe lexuesi medoemos. Po që të ndodh ky proces, sa shpirtëror, aq mendor, poeti duhet ta projektojë të vërtetën e arsyes:
Kam frikë nga ëndrra
A mos babai dashurohet
Në një Evë lakuriqe
Në parajsën me shkallë të shtrembëruara
…………………………………………..
(Kam frikë nga ëndrrat)
Për mendimin tim poezia nuk është moskuptim, edhe pse imagjinata pranon të vërtetën në përballje me realitetin e arsyes. Po prandaj, mund të thuhet se autori qëllimshëm ka zgjedhur melodinë e ritmit të shkallëve, të atyre shkallëve të shtrembëruara, ani pse koha e shkallëve të tilla ka përfunduar bashkë me botën e kaubojve amerikanë. Nëse gjendet një “parajsë” çfarë e përshkruan autori, është parajsa e vetme që zë vend në “Muzeun e Hijeve”, ku patjetër që arkivohet me karakteristikat e saja burimore.
Për më gjerë, poezia e këtij poeti arrin të dalë nga emocioni me vargjet që kanë domethënie për arsyen. Bile, edhe kur duket se mungon imazhi i qartësisë, dhe ne zhytemi në ritmin e muzikës, mu atëherë shpërfaqet kuptimi, ai kuptimi i imagjinuar kushtëzuar nga përvoja e marrësit:

Gëzimet e Niobës u sosën
Katërmbëdhjetë gurët u rrotulluan
Të shtunën e parë

Në Olimp ofrohet kali jelebardhë
Zeusi përtyp statuja të vetmisë

Të shtunën e dytë i lakmoi Niobës
Eunukët i bien dajres së djallit

Buzëqeshjes së Arkimedit nuk i besoi
Diametrin e dhembjes gabimisht e peshoi

Të shtunën e fundit Nioba
U shfaq lakuriq për dritaren e errësuar

Në Teatrin e Markezit nuk bënte ftohët
Pelerina të bardha vallëzojnë
Të dielën u nisën drejt altarit
Rrokullisen gurët përsëri
(E shtuna e Niobes)

Nioba vjen nga mitologjia greke. Në një ndejë ajo refuzon t’i ofrojë flijime hyjneshës Leta dhe fëmijëve të saj, Apollonit dhe Artemisës. Krenaria e tepruar sjell dështimin. Leta e dënoi. Apolloni ia vret shtatë djemtë, ndërsa Artemisa shtatë vajzat. Nga dhembja, Nioba shtanget. Era e çon të shtangur në vendlindje. Ajo qëndron në një mal të Turqisë të quajtur Sipulidag.
Artistët antikë i ka tërhequr fati i Niobës për të formuar pamjen tragjike të jetës së saj. Është interesant se në antikë Nioba është konsideruar më shumë si simbol i gruas mendjemadhe se sa simbol mjerimit (Vojtech Zamarovsky, Heronjtë e miteve antike, Prishtinë, 1985, 359).
Duke e njohur këtë histori mitologjie dhe simbolikën që përfaqëson ajo, duket se autori e ka trajtuar qëllimshëm për ta aktualizuar atë dhimbjen për humbjet njerëzore që vjen si pasojë e egërsisë po nga njeriu. Dhe, dhimbja shtohet edhe më, pse në këtë botën tonë e keqja jeton në ne dhe me ne, prandaj nuk pushon, ajo nxit nga përbrenda të rrokullisen gurët përsëri.
Kjo është qasja për të depërtuar në kuptimin simbolik të ngjyrimit mitologjik, antikë e fetar të shumicës së poezive të këtij autori.
Ç’është e vërteta, kuptimi që ne kemi shkëputur nga kjo poezi e Arsimit, nuk është e thënë që të konsiderohet pa alternativë sepse poeti nuk e ka limituar thënien artistike, prandaj kuptimet tjera vetëm sa i bëjnë nder poezisë.
Si e këtillë, poezia Arsim Halilit di të aktivizojë poetikisht probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga vetmia individuale, shoqëria, etnikumi i gjerë i tij, dhe gjithsesi duke gjurmuar në kohë edhe prehistorike simbolikë trashëguese dhe përfaqësuese në raport me të sotmen. Njeriu i kësaj poezie, i vetëm apo si grup, i theksuar si plisbardhë, kalon nëpër situata thellësisht ironike:

Te Hani i Çaushit
I ndërronin cigaret plisbardhët

Në oazë rrotulloheshin
Psherëtimat e javës në pritje
Dikush ecte rrugës së mollës
Dikush sillte mollë
Në mëngjesin e kryqëzuar.
(Në mëngjesin e kryqëzuar)

Këtij njeriu edhe në ëndrra i publikohen çelje agu të zorshme, që vijnë si pasojë e agresivitetit të së nesërmes, e cila i ka mbytur gjelat e mëngjesit.

Natyrshmëria tematike e tejkaluar

Për poetin Dodona është një femër si shoqe e Kleopatrës, ndërsa ato të dyja edhe mund të zihen mes vete. E pra, në të këtilla raste, fjalët e përzgjedhura dhe modelimi i tyre, nuk drejtohen kah arsyeja, por nga imagjinata, prandaj Dodona nuk vjen as si toponim i tempullit të orakullit, as si antroponim hyjnie, sikundër edhe Kleopatra, që nuk vjen as si njëra nga tri Kleopatrat mitologjike, as si faraonia e fundit historike e Egjiptit (Vojtech Zamarovsky, Heronjtë e miteve antike, Prishtinë, 1985, 278):
Dodonë kthehu
Kam frikë se me Kleopatrën
Mund të ziheni…
(Ndjej gërvishtje buzësh)

Dhe të dyja, edhe Dodona, edhe Kleopatra e Halilit dalin nga rrezja e personazheve mitologjike dhe historike klasike, por mjaftojnë emrat e tyre për ngritjen e simbolikës antike në periudhat moderne. Në këtë aspekt poezia e Arsimit, paraqitet si negacion i qëndrimeve antike. Kështu ndodh në poezinë “Profetët mund të kenë gabuar“, në të cilën profetizojnë, sepse Në skenat e dashurisë / S’kishin qasje publike Bile, sipas autorit, në të tilla raste, profetët mund të kenë gabuar, nëse kanë profetizuar, – do të shtonim ne.

Të shprehurit poetik dhe simbolika mitologjike

Autori ka zgjeruar fjalorin që del të jetë më kërkues në paraqitje poetike nëpërmjet mitologjisë greke, romake dhe ilire. Si paraprijëse të tyre, me të drejtën historike, janë mitet dhe legjendat pellazge. Herë tjetër fjalori poetik i poetit është pasuruar edhe me antroponime e toponime evropiane dhe tej Atlantikut. Një fushë interesimi paraqet gjuha fetare e konfesionit të krishterë, katolik në radhë të parë, që del krejtësisht simbolike në poezinë e këtij poeti. Më e rrallë është edhe fusha semantike e matematikës dhe gjeometrisë, e mësuesit të fillores, tani magjistër i letërsisë, që me shprehje përfaqësuese provokon të ambientohet në vargun poetik.
Një përbërje e tillë gjuhësore e strukturuar në varg, synon konsolidimin modern të kësaj përmbledhje në tërësi, duke e ngucur lexuesin me disa ndërtime strukturore konceptuale, si dhe me një simbolikë të angazhuar, duke shtuar kërshërinë për komunikim me mitologjinë antike.
Kjo pasuri e traditës kombëtare, rajonale dhe botërore është shfrytëzuar dhe herë tjera nga autorë të ndryshëm të etnitetit tonë, por një rikthim në antikitet, tani në këtë periudhë lirie, duket se ndodh për përplotësim të shpirtërores së munguar e të trazuar hera-herës.
Kjo ekonomi e përmbajtur fjalësh e shprehjesh, mund të vërehet jo vetëm në secilin shembull të ofruar në këtë shkrim, por edhe në tërësinë e vetë veprës.
I rëndësishëm mbetet mendimi i redaktorit të librit, dijetarit të njohur, Anton Nikë Berisha, i cili mes tjerash thotë: “autori (Arsim Halili) i këtij vëllimi poetik përfton një poezi moderne nga fakti se njeh natyrën e kësaj poezie, përdor një gjuhë dhe sistem të të shprehurit poetik që i përgjigjet mirëfilli asaj dhe komunikimit që duhet të nxisë ajo”.
Mendimin e ka mbyllur me vlerësimin krahasimtar: “kjo përmbledhje me poezi, me vlerat që ka, mund të radhitet me disa nga veprat e shquara të poezisë sonë të botuara në dhjetëvjetëshin e fundit”.
Këtë përfundim kaq domethënës po e shoqërojmë me një poezi të plotë, e cila shpërfaq sistemin e të shprehurit poetik të autorit, si dhe unitetin domethënës e komunikimin simbolik me marrësin:
Ç’e do atë pasaportë të bardhë
Në valixhe të harruar

Në simetrinë e portretit
Rrugët bartin pluhurin e gërshetit tënd

Adresa për Naisus
Çmend engjëjt me krahë të cunguar

Mëngjesi pa diell
Pak kohë dhembje të shton

Stina kërkon të thithë gjirin tënd
Hapi sytë të shohësh
Cilët meteorë godasin masën e tërbuar
(Gërshet i shprishur)

Qe pra, edhe një dëshmi më shumë për gjuhën poetike, përmes së cilës Arsim Halili ka zgjedhur dhe vazhdon të komunikojë me lexuesin. Sepse ndryshe nuk do të cilësohej poet…

( Korrik, 2023 )

You Might Also Like