OPINION

Ngjarjet e mëdha të Luftës së Dytë Botërore, sidomos periudha nga viti 1943, shënoi gjallërimin e aktiviteteve politike e ushtarake shqiptare për të realizuar idealin për liri e bashkim kombëtar

Shkruan: Dr. sc. Faik Sahiti

(Punim i paraqitur gjatë moderimit në përurimin e librit të dr. Fatmir Selimit: Masakrat serbosllave në Gjilan, Kamenicë, Viti, Preshevë, Bujanoc, Kumanove e Shkup në vitet 1944 – 1945)

Thonë se “Kujetesa historike është virtyt i popujve, kujtimi për dëshmorët dhe të rënët për liri është obligim i ynë, ndërsa përjetësimi i tyre në shkrime është kujdes dhe respekt” – këtë e bëri Fatmiri me librin e tij.

Ngjarjet e mëdha të Luftës së Dytë Botërore, sidomos periudha nga viti 1943, shënoi gjallërimin e aktiviteteve politike e ushtarake shqiptare për të realizuar idealin për liri e bashkim kombëtar. Përpjekjet për çlirimin e vendit ishin të harmonizuara e të lidhura ngushtë me përmbushjen e aspiratave kombëtare, kaherë të dëshirueshme, por të mohuara nga strukturat jugosllave.

Libri nis me hyrjen, ku autori shpalos motivin dhe jepë arsyet e nxitjes për një nismë të tillë, pastaj vijohet nga rrëfimet e keqtrajtimeve, burgosjeve, vrasjeve  e masakrimeve ndaj shqiptarëve në periudhën 1944 – ‘45 e më vonë deri më 1951 në Gjilan e rrethina, për të vazhduar pastaj me qytetet tjera, gjithashtu me trajtim në lista të gjata të vargut të të vërarëve me tentativë shfarosjeje – pra deri në përmasa të gjenocidit…, nga brigadat partizane të mbushura me njësi çetnike…

Shumica e nacionalistëve shqiptarë, nga përvojat e hidhura që kishin më parë, si në rastin e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ishin të bindur se strukturat e PKJ do të vendosnin sërish pushtetin në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Andaj, kërkohej me çdo kusht mbrojtja e kufirit dhe realizimi i të drejtave të shqiptarëve – liria kombëtare.

Shembëlltyra të luftës së pakompromis për liri e bashkim kombëtar janë trajtuar në këtë libër. Personalite me vyrtyte të larta atdhetare, guximtarë e të pa epur për liri, entuziastë, mendjendritur, të dashur e të vlerësuar në Anamoravë e më gjerë – janë vetëm disa nga pasazhet trajtuese nga Fatmiri.

“Fjalët fluturojnë  i merr era – shkrimet mbesin”, pra në këtë kontekst Fatmiri mblodhi të dhëna nga dëshmitarë dhe të afërm të të rënëve për liri, por jo vetëm… burimet orale i kombinon me foto e dokumente që pasurojnë dhe bëjnë më kuptimplotë trajtesën…

Se u jepet vend meritor krerëve kryesor të angazhuar në Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe mbrojtësve të vijës kufitare nuk ka dilemë, në veçanti pasqyrimet për aktivistë të dalluar të Shqipërisë së bashkuar, si: Halim Orana, Ymer Berisha,  Esat Berisha, e shumë të tjerë të prirë nga Mulla Idris Gjilani., për t’u pasuar me lista të gjata të veprimtarëve e njerëzve të thjeshtë që mbronin shtëpitë e tyre, po ashtu të ekzekutuarish nga armiku, janë tregues i qartë i vuajtjeve dhe sakrificave të mëdha të popullit tonë në përpjekjet për liri…

Kujtimet përjetësohen nëse shkruhen”

Megjithëse nuk është nga fusha e historisë Fatmiri bëri atë që thonë shumë studiues: “Kështjella bëhet me gurë, le të hedhim secili prej nesh nga një të tillë që ta forcojmë atë.”

You Might Also Like