Ka një dekadë pritjeje për hapjen e vendkalimit kufitar në Stanqiq, i cili do të lidhte Gjilanin me komunën e Kumanovës.
Pala kosovare kaherë ka ndërtuar rrugën, e cila prej magjistralit Gjilan – Ferizaj, nëpërmjet Zhegrës dhe fshatrave të Grykës së Karadakut shkon deri në kufi. Punët kishin ngecur në anën maqedonase, ku dhjeta kilometra rrugë nuk u rregulluan me vite të tëra. Tashti, si duket punët edhe në atë anë po ecin më mirë, ngase në komunën e Likovës po vazhdon ndërtimi i rrugës që shkon deri në kufi.
Qytetarët shumë po i gëzohen ndërtimit të kësaj rruge, ngase për ta ajo është një lidhje jetike.
Hapja e këtij vendkalimi është shumë e rëndësishme për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, ku do të përfitojnë qytetarët e dyja vendeve, sikurse edhe ata të Kosovës Lindore, por punët kishin ngecur falë neglizhencës së palës maqedonase
Gjilani dhe Kumanova në Maqedoni janë komuna fqinje dhe që të dyja janë me shumicë shqiptare. Gjithnjë këto dy qytete kanë pasur lidhje familjare, lidhje miqësie kanë tregtuar mes vete, por që prej se u shpërbë Jugosllavia këto dy qytete mbetën larg, më shumë se 100 kilometra, ngase me gjithë se rruga ekziston, nuk ka ndonjë vendkalim kufitar. Tashti, kur të dy qeveritë janë zotuar se do t’a hapin pikën kufitare, këto dy qytete duan që ky zotim të jetësohet, por punët po ecin ngadalë.
Kreu i Gjilanit Lutfi Haziri, disa herë ka theksuar se me hapjen e kësaj pike kufitare Gjilan-Kumanovë, Gjilanit i rikthehet atributi i Qendrës më të madhe të Anamoravës dhe Kosovës Lindore. Ai ka theksuar se ky vendkalim kufitar do t’i afrojë këtë vende si në kuptimin fizik dhe gjeografik dhe ky është qëllimi kryesor i hapjes së korridoreve jo vetëm të qarkullimit të njerëzve, por edhe të mallrave.