Gjilan

Kontigjent i madh ndihmash arrin në Gjilan nga Austria

Komuna e Gjilanit ka përfituar një kontigjent ndihmash tejet të rëndësishëm për personat me nevoja të veçanta, për familjet në nevojë dhe për shkollat fillore dhe të mesme, donacion ky i organizatës austriake “Rumanienhilfe”.

Donacioni, i cili kap vlerën e mbi 40 mijë euro, përfshinë 40 karroca, 10 shtretër ortopedik, 2 lifta hidraulik, dyshekë e tavolina për shtretër të cilat janë dorëzuar në organizatën “Handikos”, ndërkaq dërrasa të zeza, tavolina, karrika, fletore etj., janë destinuar për shkollat e Gjilanit, përderisa nuk kanë munguar edhe veshmbathjet për familjet me gjendje të rëndë sociale.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka përkrahur këtë iniciativë në sigurimin e transportit dhe procedurave doganore, pasi falënderoi organizatën austriake për donacionin, ka thënë se mbështetja e popullit austriak dhe e bashkatdhetarëve tanë në diasporë është gjithmë aktive dhe kjo dëshmon një lidhje emocionale dhe shpirtërore që ata kanë me vendin e tyre.

Hermann Hochreiter, drejtor i shoqatës bamirëse Rumanienhilfe, ka thënë se të gjitha të gjitha mjetet e dhuruara janë funksionale, ndonëse të përdorura, duke shtuar se ky është kamioni numër 306 që e ka sjellur në Kosovë për familjet në nevojë.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Nexhat Hajrullahu, në emër të kryetarit Haziri, i ka ndarë mirënjohje drejtorit të organizatës Rumanienhilfe, Hermann Hochreiter, për mbështetjen e vazhdueshme për Gjilanin.

Ndërkaq, menaxheri i organizatës “Handikos”, Fatmir Shurdhani, ka deklaruar se ky donacion është një mbështetje tejet e rëndësishme për personat me nevoja të veçanta.

Përndryshe, ky donacion është ndërmjetësuar falë angazhimit të bashkatdhetarit me prejardhje nga Gjilani, Rexhepi Isufi.

You Might Also Like