Përkujtimi i Dëshmorit Mulla Nusret Hajdari: 25 Vjet pas sakrificës për lirinë”
Në 25-vjetorin e çlirimit të shtetit të Kosovës, përkujtojmë me krenari Mulla Nusret Hajdarin nga Mireshi (Dobërqani), i cili një jetë së bashku me familjen e tij ia kushtoi atdheut për tu çliruar nga okupatori serb.
Mulla Nusret Hajdari, idealet atdhetare i kishte marrë nga gjyshi i tij Haxhi Sylejmani, i cili ishte një atdhetar i madh i kombit shqiptar, duke kontribuar gjithmonë për të mirën e popullit shqiptar.
Mulla Nusret Hajdari ra në lulen e rinisë në altarin e lirisë në moshën 31-vjeçare, duke mbrojtur familjen e tij dhe fshatin e popullit.
Mulla Nusreti ishte një njeri i dashur e i nderuar nga të gjitha shtresat. Ai ishte i popullit dhe për popullin e tij derdhi gjakun e njomë që ne sot ta gëzojmë lirinë e shumë pritur me shekuj.
Mulla Nusreti në vitin 1988-89 mbaroi me sukses Medresen e Mesme “Alaudin” në Prishtinë, duke u treguar një atdhetar e fetar i madh i kombit shqiptar, ashtu siç ishin shumë Rilindas shqiptarë, që krahas fesë ishin patriotët më të shquar të kombit.
Nusreti menjëherë për një kohë të shkurt shërbeu në xhaminë e fshatit Pogragjë dhe në xhaminë “Atik” në Gjilan, ndërsa nga viti 1992 iu besua ta udhëheqte si Imam xhaminë e poshtme të fshatit Miresh deri në momentet e fundit të jetës së tij.
Mulla Nusreti gjatë viteve të 90-ta ishte shumë aktiv duke kontribuar në mënyra të ndryshme dhe pa ndërprerë për ta mposhtur armikun shekullor.
Në fund të luftës në Kosovë, forcat paramilitare ushtarake e policore serbe, kur po kapitullonin ishin detyruar të tërhiqeshin nga toka e Kosovës. Në tërheqjen e tyre, këto forca gjakëpërse vranë e dogjën gjithçka që ju dilte përpara nga mllefi i tyre, duke e ditur se në këtë tokë nuk do të ktheheshin kurrë.
Dita e kobshme ishte 13 Qershori i vitit 1999, kur forcat paramilitare ushtarake e policore në rikthimin e tyre drejt Serbisë, duke kapitulluar nga forcat UҪK-së e NATO-së, ndalën në fshatin Miresh për të kryer edhe një masakër, siç kishin kryer shumë të tilla në gjithë tokën e Kosovës.
Shumë familje të fshatit Miresh u detyruan ti braktisnin shtëpitë për tu strehuar në malet përreth fshatit, ndërsa tek xhamia e fshatit, pas një konfrontimi me paramilitarët serb, mbetet i vrarë Mulla Nusret Hajdari. Po ashtu plagoset mësuesi i fshatit Basri Bislimi, së bashku me Hafiz Hajdarin, ndërsa i rrahën e i maltretuan Hamdi Kastratin e Haxhi Jonuz Hajdarin. Ndërkohë që forcat paramilitare kishin shtruar dhunë të paparë ndaj familjes së Mefail Xhelilit.
Forcat paramilitare serbe, të etura për gjak, i vunë flakën xhamisë së epërme të fshatit, e ndërtuar në vitin 1527, e cila kishte bërë ballë edhe Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore.
Dëshmori i kombit Mulla Nusret Hajdari në kushte të jashtëzakonshme u varros në oborrin e xhamisë më 14 Qershor 1999.
Mulla Nusret Hajdari, i cili ëndërroi që me dijet e tij t’i shërbejë popullit në lëminë e fesë islame dhe të kontribuojë për atdheun, ra në pidestalin më të lartë të lirisë duke mbrojtur familjen dhe fshatin e tij.
Mulla Nusreti pas vete la gruan me një djalë, prindërit, motrat e vëllezërit, farefisin dhe fshatarët, për t’i përkujtuar gjatë sa të jetë kjo tokë.
Sot, me shumë krenari, emrin e Nusretit e mban nipi i tij 7-vjeçar, i cili do ta marrë këtë emër me dinjitet dhe krenari.
Njerëzit si Mulla Nusret Hajdari nuk vdesin kurrë, pasi që lavdia u takon dëshmorëve të rënë.”