Osman Ibrahimi, Sali Hasanaj, Ali Latifaj, Ramush Rrahmani e të tjerë, kanë ndërtuar një vig mbi përroskë, në shpatet e Artanës, ku dalin për të ecur çdo mëngjes, për të mos iu dorëzuar pleqërisë.
Ata janë më shumë se tre veta që çdo ditë kapërcejnë malet e Stanishorit, sikur për t`u matur me pleqërinë, të cilës nuk duan t`i dorëzohen assesi. Për ta lehtësuar kalimin e një përroske, që kur bie shi fryhet bukur shumë, Osman Ibrahimi, Sali Hasanaj, Ali Latifaj, Ramush Rrahmani e të tjerë, kanë ndërtuar një vig, i cili do të njihet me emrin ura e pleqve.
Ibrahimi është njëri prej tyre që i kalon me vrap dhjetëra kilometra, nëpër shtigjet që i kanë rregulluar vetë qytetarët. Bashkë me shokët delverës dhe dimrit, në këto bjeshkë qëpër pleqtë janë kthyer në një oazë shëndeti. Nisin me një ecje gjysmë ore, për të vazhduar për një orë tjetër me ushtrime trupore dhe aktivitete tjera fizike.
Ky vend ka shërbyer edhe për njerëz të cilët deri dje kanë lëvizur me vështirësi e tash vrapojnë sikur të ishin të rinj. Ajri dhe uji i këtyre shpateve largojnë edhe pleqërinë, kur kombinohen me shëtitjet e mëngjesit në këtë zonë. Bukuritë e maleve të Stanishorit i lakmojnë edhe të huajt, sa herë që kanë rastin të kalojnë këndej pari.
Osmani me shokë janë prej atyre pleqve që lindja e diellit igjen në shpate.Ata janë shembull se si njeriu mund të bëjë jetë të shëndetshme edhe në vitet e pleqërisë, duke mos iu dorëzuar shtratit dhe jetës së mbyllur brenda mureve. Në vend të ilaçeve për të qetësuar dhimbjet e moshës, ata kanë zgjedhur aromën dhe ujët e malit, për t`ia zgjatur vetes jetën.
“Zgjohemi pa le dielli dhe nisemi drejt malit, ku fillon dita jonë”, thotë Osmani.
Thotë se do të mbetet përjetësisht i lidhur me natyrën, derisa ta mbajnë këmbët. I ndjen personalisht dobitë nga ky raport me natyrën, ku pos vrapimit shijon edhe ajrin dhe ujin e mirë, që i japin jetëgjatësi njeriut. Osmani është njëri nga pleqtë që kanë ndërtuar edhe urën, për të dalë më lehtë në anën tjetër, andej ku ndjehet sikur të ishte një djalë i ri dhe jo me 80 vjet mbi supe.
Dhe kur një ditë, ata nuk do të jenë më, atje do të mbetet ura e pleqve. Ajo është simbol i një ure që lidh njeriun me natyrën.
I.MUSLIU