Prof. dr. Bahtijar Kryeziu Drejtshkrim
PROBLEME STANDARDOLOGJIKE QË DUHEN DISKUTUAR
Në kontekst të këtij parimi, pikërisht dhe ne, duke çmuar gjithnjë bazën e përbashkët të standardit të shqipes, e “në favor të rregullimit më të mirë të rregullave të drejtshkrimit” – siç theksoi para një kohe akademik Kolec Topalli (Elas Demo, Diskutimi i standardit: nga do të mbajë? (“Shekulli” në internet, 8.12.2010), po shprehim opinionet tona se: prurjet e reja dialektore nga e gjithë hapësira shqiptare, si nevojë e madhe e pasurimit të gjuhës; mundësia e zëvendësimit të trajtave të fjalëve basmë, dasmë etj., me ato basëm e dasëm (siç është biseduar në takimin e Këshillit Ndërakademik (më 12 maj 2006); normëzimi i formës dysore (dubletit gegë) borë e jo edhe dëborë (krahaso: borëbardha, lulebora… e jo dëborëbardha e as luledëbora), ose dhe: krua – kroi, ftua – ftoi dhe të tjera si këto; kodifikimi i fjalës së gegërishtes: e ejte (për e enjte të toskërishtes); mospra¬nimi i ambigjinisë tek emrat me shumës në –E: male të lartë, mendime të drejtë… (Akademik Gjovalin Shkurtaj, Një tezë e Selman Rizës për gjuhën letrare shqipe (internet), siç ka kërkuar prof. S. Riza (e jo male të larta, mendime të drejta… – siç e kemi të kodifikuar tani); rrafshimi i dallimit të numërorit tre (për gjininë mashkullore e femërore) – një trysni mirëfilli toske, në thelb e pamirë, por thuajse e përfillshme sepse po përgjithësohet, sikurse që u tret dallimi i numërorit dy (për gjininë mashkullore) dhe dy (me Y të gjatë për gjininë femërore, që ka mbetur vetëm në gegërishten); formimi i shumësit me –A, si te shembujt: mësuesa, maturanta (“Raporti i përfaqësuesavet të P. T. Ministris s’Arsimit në provimet e semimaturës në Liceun franceskan të Shkodrës”, 30 Qershor 1939, nënshkruar nga Eqrem Çabej. Sipas një shkrimi të prof. Emi Lafe, “Nga iberalizimi gjuhësor te shqipja standarde”, del se origjinali ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë), studenta, profesora, shofera, oficera, instrumenta etj., që vjen nga ndikimi i gegërishtes, por që po gjen përdorim të gjerë e pëlqehet si një shumës më i qartë ndaj formave përkatëse me –Ë, që këshillon norma e sotme morfologjike e drejt¬shkrimore (Akademik Gjovalin Shkurtaj, po aty), kuj¬tojmë se janë në të mirë të standardit – sot ose nesër.
Sipas gjedheve të lartshënuara, kemi bindjen se edhe disa emra të përgjithshëm, si: çam, nip e ndonjë tjetër i këtij lloji që, siç dihet, kanë dy forma të shumësit, ku njëra formë sajohet duke i prapavënë njëjësit të tyre mbaresën –Ë ose -A (çamë, nipa…), siç përdoren kryesisht në gegërishte, kurse forma tjetër e shumësit të këtyre emrave sajohet me mbaresën –ËR (çamër, prindër, nipër etj.), si në toskërisht, ose edhe një tip tjetër emrash të përgjith¬shëm: drapër, gjarpër dhe gisht, që në shumësin e pashquar dalin si: drapinj dhe drapërinj, gjarpinj dhe gjarpërinj, gishta dhe gishtërinj etj., përdorimi i të cilëve nuk bie ndesh me normën letrare (Grup autorësh, Gjuha letrare shqipe për të gjithë, Tiranë, 1976, faqe 27 dhe 28.), më mirë është të kodifikohen me format që i karakterizon një ekonomizim gjuhësor. Pra, kujtojmë se më mirë është të thuhet: një çam – disa çamë, një lab – disa labë, një nip – disa nipa, sesa: disa çamër, prindër, nipër, ashtu siç do të shqiptoheshin më lehtë edhe format e shumësit të emrave: drapinj, gjarpinj (ose dhe drapij, gjarpij), arij, barij, huj, budallej, fukarej, lumej, ullij…), gishta, sesa: drapërinj, gjarpërinj, arinj, barinj, hunj, budallenj, fukarenj, lumenj, ullinj, gishtërinj etj., e që edhe ky parim mendojmë se mund të përputhet me mendimin e prof. Rizës “për rolin ndërtues e pasurues të folësve gegë në gjuhën letrare shqipe të njësuar”, si një mendim e tezë frymëgjatë ndaj ardhshmërisë së standardit të gjuhës shqipe.
Po ashtu është koha për të rishqyrtuar përdo¬rimin e fonemës LL në vend të L-së (përkundër Drejt-shkrimit…, Shënimi 1, f. 105) te disa emra të përveçëm sllavë, si: Millan, Millosh, Valldimir…, analogjikisht me Jugo¬sllavi, jugosllav, sllav etj., për Milan, Milosh, Vladimir, kur dihet se këta emra dhe shumë të tjerë si këta, në gjuhët burimore (sllavojugore) dhe nga folës të atyre gjuhëve, nuk përdoren me L por me LL. Edhe shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, por edhe të disa krahinave të Shqipërisë këta emra i shqiptojnë kryesisht me LL, sado që në të shkruar, për të respektuar paragrafin e cituar të standardit tonë gjuhësor, i shkruajnë me L. Arsyeja për të bërë një korrigjim në këtë pikë është se edhe gjuhët sllave me të cilat shqipja ka kontakte më të shpeshta, kanë fonemat L e LL, të cilat në disa raste formojnë edhe kundërvënie fonologjike (ludi “njerëz” – lludi “budallenj, të marrë” etj.). Pra L e LL janë dy fonema të ndryshme me të cilat, bie fjala, serbishtja dhe kroatishtja formojnë alfabetin e tyre prej 30 fonemash. Prandaj emrat e tillë e të ngjashëm mund të normëzohen dhe të shqiptohen e të shkruhen pa pengesë si: Millan, Millorad, Millosh, Mlladenov, Vlladimir…, ashtu sikurse që do të duhej të përdoreshin dhe përdoren me L e jo me LL emrat e përveçëm: Lubomir, Lilana, Lublana e jo Llubomir, Llillana, Llubllana.
Edhe kodifikimi i fjalës Europë për Evropë – siç ka zënë vend tanimë edhe në FESh dhe siç përdoret edhe gati në të gjitha vendet evropiane, është mirë të përdoret edhe në gjuhën tonë me EU- e jo me EV-, pra Europë e jo Evropë. Madje “është në të mirë të thjeshtimit të përjashtimeve shkrimi me EU e jo me EV edhe i fjalëve të tjera të radhitura përkrah fjalës Europë në “Drejtshkrim”: nevralgji, nevralgjik, nevrasteni. Derisa është vendosur të shkruhen neurolog, neurologji, neurozë, nuk ka arsye që formime të tjera me po këtë temë – rrënjë neuro të shkruhen ndryshe” (Mariana Ymeri, Europë apo Evropë?, “Gjuha jonë”, nr. 3-4, ASH e RSh, Tiranë, 1991, faqe 43).
Po edhe të shkruarit e datave me një zero përpara si në shumë gjuhë të tjera dhe siç e kërkon tanimë edhe teknologjia informative bashkëkohore, kur datat e ditëve dhe muajt janë njëshif¬rorë (përtej standardit të shqipes); përdorimi i shkronjës së madhe tek emrat e popujve; tek emrat e festave fetare, ashtu sikurse edhe për emrat Zot, Perëndi, Allah etj., nuk do të ishin mëkat standardologjik, por fjalë të cilat shumë shpejt do të mund të fitonin qytetarinë në standardin e gjuhës së sotme, që nga veriu e gjer në jug.
Dhe në fund do të themi vetëm edhe këtë, se standardi i shqipes as nuk duhet t’i përjashtojë e mohojë dialektet dhe prurjet e reja, por as të krijohen nga ai “statuse të reja dialektore”; as të tabuizohet por as të copëzohet a rrënohet. Ai duhet të jetë një mjet njësimi, mjet bashkimi për kombin dhe kulturën tonë, të cilin mendim shumë mirë e përligj një thënie e shkurtër e klasikut të fundit të albanologjisë – akademik Idriz Ajeti, kur thotë se “Gjuha letrare s’është vetëm thesar i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë sonë”. Në kohën e kërkesave gjithnjë e më të theksuara për variantizimin dhe copëzimin e standardit të shqipes, të shpërfytyrimit të gjuhës dhe trysnive të globalizmit, ky mendim vetëm sa fuqizohet edhe më.