OPINION

Qytetet pa zona të gjelbra me drunjë, pa ujë e pa frymë

Shkruan: Bekim Selishta

Në qytetet tona, ku mungojnë hapësirat e gjelbra dhe hijezimi natyror nga drunjtë e ndryshëm, mungesa e pikave të freskimit me ujë të pijshëm është një neglizhencë e pafalshme. Në secilin qytet normal i vendosin pikat mobile me ujë të freskët për kalimtarët, varësisht nga temperaturat, veçanërisht në ditët me temperatura mbi 34°C.

Ndryshe, nga qytetet e zhvilluara që ofrojnë kushte elementare për qytetarët në hapësirat publike, te ne kalimtarët lihen në mëshirë të vapës dhe asfaltit përvëlues, e sheshet e gjata pa hije të drunjtëve.

Tre probleme evidente kërkojnë reagim urgjent:

  1. Rrugët janë bllokuar nga kolona të pafundme, duke dëshmuar mungesën e një plani të qëndrueshëm për transportin urban.
  2. Sheshet e gjata, pa hije dhe pa burime uji, i bëjnë këmbësorët të ndihen të braktisur në qytetin e tyre.
  3. Transporti publik është minimal e në disa qytete nuk fare transport urban, ku automjetet janë të paefektshëm shkaku i kolonave të gjata brenda qytetit e të bezdisshme.

Sidomos në kryeqytet, ku duhej të kishim jo vetëm autobusë të rregullt, por edhe linja tramvaji apo metroje që do të ndihmonin në zbutjen e trafikut të dendur dhe ndotjes së ajrit. Nëse nuk ofrojmë kushte themelore për qytetarin – ujë të mjaftueshëm zona të gjelbëruara dhe lëvizje – si mund të pretendojmë qytete të zhvilluara dhe të jetueshme.

Është koha që institucionet komunale dhe qendrore të dëgjojnë zërin e qytetarit të zakonshëm, jo vetëm atëherë kur kërkojnë votën, por edhe kur kërkohet ajër e ujë për të mbijetuar përmes vapës së betonit. Kjo është një thirrje për humanizim të hapësirës publike.

You Might Also Like