Libri

Rrëfimi i babait

Drejtori ishte i shokuar, nuk e kishte pritur që Vera do ta nokautonte babin me një goditje të vetme në nofull, ai kurrë s’e kishte menduar që një vajzë aq e brishtë mund ta bëjë këtë. Zakonisht fëmijët gëzohen kur i njoftojnë se janë gjetur të afërm që dëshirojnë t’i marrin në shtëpi. Por doli që vajza nuk ishte fare e lumtur për babin e saj. Para se ta ftonte Verën në zyrë, drejtori bisedoi me babin e saj dhe mësoi, në vija të trasha, historinë e familjes së saj. Ose vajza nuk e dinte tërë të vërtetën për babin, ose babai kishte fshehur shumë detaje me rëndësi nga drejtori. Sido që të jetë kishte nevojë të qartësohet.

Drejtori hyri në mes vajzës dhe burrit, i vështroi ashpër dhe u kërkoi të qetësoheshin. Vera kishte frikë nga drejtori, andaj u ul e bindur në karrige, por vazhdoi ta shikonte babin me mllef. Burri tashmë e kishte marrë veten dhe e fshiu nofullën e mavijosur. Drejtori i kërkoi Verës ta dëgjonte babin dhe të mos e ndërpriste.

– Më fal, Vera. Ke shumë të drejtë të zemërohesh. Nëse do të kisha mundësi do të përmirësoja gjithçka. Nënën tënde e kam dashur shumë, edhe ty, andaj akoma e qortoj veten për atë që ka ndodhur. Në rini kam qenë shumë gjaknxehtë, nuk dëgjoja njeri. Më luste nëna jote që të shoqërohesha më pak me shokë, se do t’më fusnin në mëkat dhe kishte plotësisht të drejtë. U grindëm më të për shkak të shoqërisë dhe unë ika nga shtëpia, duke përplasur derën dhe duke premtuar se s’do të kthehesha kurrë. Shkova te ta, në garazh, ku tuboheshim gjithnjë, dhe pimë. Pastaj prijësi ynë, Beli propozoi të shkonim në dyqanin e afërm. U nisëm të gjithë bashkë, të katër sa ishim gjithsej. Nuk e dija që Beli kishte ndërmend ta grabiste dyqanin. Kur arritëm, në dyqan s’kishte njeri, pos arkëtares. Atëherë ai nxori thikën dhe filloi ta kanoste arkëtaren. Ajo kundërshtoi, filloi të luftonte. Befas ky ia nguli thikën. Ne nuk arritëm as të pipëtinim. Ai qetësisht kaloi prapa banakut, mori paratë nga arka dhe disa produkte gjithashtu. Asnjëri nuk kundërshtoi, madje filluan t’i ndihmonin. Kurse unë nuk munda, fillova ta reanimoja arkëtaren, ishte vajzë krejt e re, por nuk merrte frymë. U frikova, nuk dija si të veproja. Kurse Beli e kishte kuptuar ç’kishte bërë dhe filloi të më kanosej me thikë që nëse e denoncoj, ai do t’më vriste mua dhe familjen. Të gjithë tok ikëm në kryeqytet, u strehuam te disa të njohur të Belit. Por, pas një jave na kapën dhe na dënuan. Pasi në dorën time gjetën gjakun e vajzës, më dënuan me shumë vjet, nuk shfajësohesha dot. Shkrova një letër në shtëpi, çka më kishte ndodhur. Kurse si përgjigje mora një letër-vdekjeje: doli që pas largimit tim gruaja ishte sëmurë, ndihma e shpejtë nuk kishte arritur ta shpëtonte. Babai i saj më fajësonte mua dhe kishte të drejtë, nuk duhej të isha larguar atëherë. Përse nuk e dëgjova?.. Të kam shkruar shumë letra, për ditëlindje, për Vit të ri dhe për festa të tjera, por kurrë nuk mora përgjigje.

Ishte e vërtetë, Vera i kujtoi letrat, të cilat gjyshi i hidhte në zjarr. Me siguri kanë qenë letrat e babait. Pas kësaj gjyshi ishte hund-e-buzë tërë ditën, nuk mund të qetësohej.

– Para pak ditësh më kanë liruar. Në fillim vizitova prindërit, pastaj vendosa të kërkoj ty. Tezja jote më tregoi që ishe këtu. Tani po fitoj mjaft, në burg mësova zanatin e marangozit, çka të duash mund ta punoj prej drurit. Porosi kam shumë, kështu që nuk do të jemi të uritur. Me fal, nëse mundesh. Kurrë më nuk do të zhgënjej.

Drejtori e vështroi Verën. Nëpër faqet e saj ridhnin lot.

Selim Sylejmani

You Might Also Like