ARSIMI

Sa është realizuar Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë?

Shkruan: Ismajl Kurteshi

Në konferencën e organizuar nga Rrjeti Kosovar për Edukim dhe Punësim (KEEN), me 20 janar 2020 në Prishtinë, u bë vlerësimi i zbatimit, të tri viteve të para (2017-2019), të Planit Strategjik për arsimin në Kosovë 2017 – 2021.
PSAK-u (Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë), përcakton shtat objektivat strategjike që synojnë: gjithë përfshirjen, përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e llogaridhënies në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, që ishte edhe diskutuesi i par i kësaj konference, fjalën e tij e filloj me konstatimin se gjatë tri viteve të fundit ( 2017 – 2019), vitet që ishim objekt i diskutimit të kësaj konference, “… arsimi në Kosovë nuk ka shënuar përparim,…pra ka stagnuar…”. Diskutuesi i njëjtë përveç tjerash tha se në Institucionet e Arsimit të Lart në sektorin privat në Kosovë po lëshohen diploma pa vlerë.
Se në fushën e arsimit nuk ka pas përparim gjatë kësaj periudhë dëshmojnë edhe të gjeturat e analizës së KEEN-së të financuara nga Bashkimi Evropian dhe të menaxhuara nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në këtë shkrim do t’i gjeni vetëm disa nga të gjeturat kryesore të kësaj analize.
Analiza fillon me konstatimin se: pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin parashkollor është e ulët. Përafërsisht kështu ishte gjendja me përfshirjen e parashkollore edhe para tri viteve.
Sipas analizës së lartpërmendur, fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët me talente të veçanta mbeten kategori të margjinalizuara në arsimin para universitar. Gjendja e këtyre kategorive ishte e njëjtë edhe para tri viteve.
Në analizën e lartpërmendur konstatohet se: Investimet në përmirësimin e cilësisë në arsim janë shumë të vogla. Ky është një defekt kronik në fushën e arsimit në Kosovë dhe një ndër shkaktarët kryesor të gjendjes së krijuar në arsim edhe pse në rezolutën e Kuvendit të Kosovës për arsimin, të aprovuar me nëntë shkurt 2017 kërkohet rritje e investimeve.
Legjislacioni si në arsimin para universitar dhe si në arsimin e lart duhet të ndryshohet, plotësohet dhe harmonizohet. Gjendja në këtë fushë nuk ka shënuar asnjë përparim gjatë 3 viteve të fundit me të cilët është marr analiza. GIZ ka dal me propozime konkrete si të rregullohet kjo qështje, por për shkak të mos angazhimit të MASHT-it dhe pengesave kushtetuese që parashohin shumicën e dyfishtë (veton e komuniteteve pakicë), në këtë drejtim nuk ka ndryshuar asgjë.
Procesi i vlerësimit të performancës të mësimdhënësve nuk është realizuar sipas planit të veprimit të PSAK-së. Sipas kësaj analize, deri në qershor të vitit 2019, vetë rreth 2% e mësimdhënësve i janë nënshtruar procesit të vlerësimit të performancës (për periudhën 2017-2019 ka qenë e planifikuar të realizohet 60% e vlerësimit të performancës. As procesi i licencimit të mësimdhënësve, sipas sistemit të gradimit nuk është shënuar asnjë sukses. Gjendja është përafërsisht e njëjtë edhe me shkallën e vlerësimit të jashtëm e cila është rreth 4% edhe pse sipas këtij plani është dashtë të jetë rreth 60%.
Edhe zbatimi i kurrikulës së re, është përcjellë me sfida të shumta, përfshirë mungesën e mekanizmave të mbikëqyrjes, përkrahjes dhe llogaridhënies në procesin e zbatimit të kurrikulës.
Në nivel të vendit janë angazhuar 645 koordinator të cilësisë por shumë prej tyre kryejnë punë të tjera, kështu angazhimi i tyre nuk ka ndikuar mjaftueshëm në ngritjen e cilësisë.
Puna që po e kryejnë inspektorët e arsimit nuk është e kënaqshme edhe pas miratimit të ligjit të ri për Inspektoratin e Arsimit dhe rritjes së numrit të inspektorëve.
Lidhja e arsimit profesional me tregun e punës, sipas analizës, vazhdon të mbetet problem serioz në sferën e arsimit si që është problem edhe mungesa e shërbimeve në sferën e këshillave për orientimin në karrierë. Këshillat industriale për arsim profesional që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shkollave profesionale dhe bizneseve kryesisht kanë mbetur të pa themeluara në komunat tona.
Pajisja me teknologji arsimore dhe mjete mësimore, digjitalizimi i shërbimeve arsimore, shfrytëzimi i burimeve online, krijimi i ekipeve për identifikimin e nevojave të shkollave për teknologji arsimore, po ashtu janë objektiva të pa realizuara.
Ngecja e vazhdueshme në fushën e zhvillimit profesional, dëshmojnë se institucionet që kanë rol dhe përgjegjësi në këtë fushë , nuk kanë arritur ta kuptojnë rendësin e zhvillimit të mësimdhënies në funksion të ngritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe mësim nxënies. Për pasoj veprimet kryesore janë orientuar vetëm në përmbushjen e kërkesave administrative. Në vitet e fundit MASHT e ka zvogëluar buxhetin për trajnimin e mësimdhënësve, kështu është zvogëluar numri i mësimdhënësve të përfshirë në trajnime dhe numri i orëve të trajnimeve si dhe formave të tjera të zhvillimit profesional.
KEEN në këtë analizë i ka identifikuar edhe të metat në teksteve shkollore në Kosovë siç janë:
1. Mungesa e harmonizimit të teksteve me kurikulën e re;
2. Ngarkesa e madhe e teksteve shkollore me tekste të gjata, fakte, formula, kapituj etj;
3. Përmbajtja me fakte të gabuara dhe koncepte të pa definuara;
4. Mungesa e balancimi të kapitujve;
5. Struktura joadekuate të përmbajtjeve;
6. Mungesë e lidhjes së njohurive dhe përvojave më të hershme të nxënësve/ studentëve me tekste. etj.
Për ta kuptuar gjendjen në arsimin e lartë, mjaftojnë të dhënat se raporti profesor – student në Institucionet Publike të Arsimit të Lart është 1 me 55, kurse në institucionet privatë 1 me 32. Kur kësaj ja shtojmë edhe faktin se shumë mësimdhënës të këtyre institucioneve punojnë në dy, tri e më shumë vende pune, se mungojnë tekstet dhe kushtet për punë, kushte për hulumtime shkencore nuk ka. Në shumë Institucione të Arsimit të Lartë, zhvillohet mësim në programet e pa akredituara del se gjendja në arsimin e lartë është e rëndë.
Këtu duhet të përmendet edhe e vërteta e hidhur se brenda periudhës që është analizuar, AKA (Agjencini Kosovar i Akreditimit) është përjashtuar nga EQAR-i (Institucion Evropian për vlerësimin e cilësisë).
As në fushën e hulumtimeve shkencore nuk ka përparim. Kosova përballet me mungesën e rregulloreve për kërkim shkencor. Kosovës i mungon Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe zbatimi i një programi të përditësuar për shkencë. Po ashtu buxheti i ndarë për kërkime shkencore është i kufizuar dhe nuk i plotëson nevojat e komunitetit kërkimor në vend.
Të dhënat (analizat) e publikuara nga KEEN (Rrjeti Kosovar për Arsim dhe Punësim), një pjesë e të cilave u prezantuan në këtë shkrim, me qëllim të njoftimit të opinionit me të gjeturat e kësaj analizë, janë vërejtje serioz, për institucionet dhe qytetarët e këtij vendi, që kërkojnë angazhim shumë të madh dhe investime të mëdha në fushën e arsimit me qëllim të daljes nga kjo situatë.
Ismajl Kurteshi, janar 2020

You Might Also Like