ARSIMI

Një vit nga shkuarja në amshim e profesorit, historianit e veprimtarit Reshat Ramadani

Ka një vit që Gjilani e Kosova janë pa historianin Reshat Ramadani, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 83- vjeçare.

Reshat Ramadani ishte i pasionuar pas ndriçimit të të kaluarës, gjithnjë i përkushtuar në zgjerimin e njohurive tek nxënësit, por edhe në zhvillimin dhe rritën e jetës kulturore në Gjilan e më gjerë, shkruan kryelajmi.com.

Ai u lind në vitin 1939 dhe shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Gjilan, kurse në vitin 1960 ishte punësuar mësimdhënës i lëndës së historisë dhe të gjeografisë në ish-shkollën “Vuk Karaxhiq”, tashti “Thimi Mitko” në Gjilan, për të vazhduar më pas në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Diplomoi në degën e Historisë në Shkup në vitin 1969, kurse në vitin 1971 kaloi në Entin Pedagogjik në cilësinë e këshilltarit për lëndë shoqërore. Më 1973 u emërua drejtor i Qendrës për Aftësim Profesional, prej 1975 deri më 1982 ishte drejtor i Entit Regjional për Punësim e në shtator 1982 emërohet kryeshef i shtabit të Mbrojtjes Territoriale deri në vitin 1988, kur kalon si drejtor i Qendrës për Arsim dhe Kulturë deri në fillimvitet 90-ta kur ndërrohet nga pozita e drejtorit e më pas largohet tërësisht nga puna, bashkë me kolegët e tij e më pas në vitin 1994 del në pension të parakohshëm.

Reshat Ramadani, përpos si mësimdhënës i historisë në shkollat e mesme të Gjilanit, ka qenë i njohur edhe si veprimtar i shquar kulturor, solist i njohur i këngëve popullore dhe udhëheqës i institucioneve kulturore.

Ai u mor me arte, atë dramatik e skenik, por sidomos ishte i dhënë pas artit muzikor e folklorik, në kultivimin e këngës së mirëfillte shqipe, të asaj popullore e qytetare duke qenë anëtar i Shoqërive Kulturore e Artistike “Drita” dhe “Zenel Hajdini” të Gjilanit.
Ai ishte një njohës i shkëlqyeshëm i Gjilanit e Anamoravës dhe i personaliteteve të ndryshme që kanë lënë gjurmë në këtë rajon. Ai i ka takuar gjeneratave të para të gjimnazit të Gjilanit, kurse ishte edhe autor i disa librave, fejtoneve, punimeve shkencore dhe monografive. Ai është autor i librit “Gjilani, terrori, represioni dhe eksodi 1944-1956”, sikurse që ishte pjesë edhe e ekipit që shkroi monografinë e Gjilanit.
Profesor Reshat Ramadani, ishte edhe autor i shumë shkrimeve në gazetën online kryelajmi.com, me të cilën ka patur një bashkëpunim të rregullt, andaj qyteti i Gjilanit, familja e tij dhe mbarë shoqëria e jonë duhet të jetë krenare me jetën dhe veprën e profesor Reshat Ramadanit. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like