Shkruan: Dr. Enver Sadiku
Pushteti serb që në ditët e para të futjes së tyre në territoret e banuara me shqiptarë nisin dhunën e terrorin mbi popullatën shqiptare, me synim përfundimtar ndryshimin e strukturës etnike, të cilat do të shkonin në dëm të shqiptarëve. Dhuna e vrasjet mizore, bënë që turma të mëdha të popullatës shqiptare të tërhiqen në drejtim të Turqisë, Maqedonisë e Shqipërisë. Pushtimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare u shoqërua me shpërngulje të shumta të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre amtare.
Sipas dokumenteve që gjenden në ish-Arkivin e Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme në Beograd, në Fondin “Politiçko Odeljenje” (Njësia Politike), numër 1246 të datës 12.06.1914 nga Konsulati gjeneral jepen të dhëna për shpërnguljen e shqiptarëve nëpër Selanik në Turqi. Sipas këtij dokumenti vetëm në Turqi, janë shpërngulur 239807 persona. Në këtë shifër theksohet se nuk janë përfshirë fëmijët që ishin nën moshën 6-vjeçare. Gjithashtu, theksohet në këto dokumente, se nëpër Kavallë kanë kaluar edhe 4 mijë familje myslimane, por edhe po aq përmes rrugës tokësore. Të gjithë këta persona thuhet se i kanë bartur në Turqi me 395 anije evropiane,[1] ndërkaq sipas historiografisë shqiptare vetëm gjatë periudhës së Luftës së Parë Ballkanike u shpërngulën nga vise të ndryshme të vilajetit të Kosovës rreth 150 000 shqiptarë.[2]
Për ta plotësuar këtë numër të të shpërngulurve, qeveritarët serbë pas “çlirimit” nga osmanët më 1912, në Gjilan e rrethinë sollën shumë familje serbe nga Vraja, Vllasotinca, Prokupla e qytete të tjera të Serbisë e shumë familje koloniste erdhën edhe nga Lika e Hercegovina, duke u vendosur kryesisht nëpër fshatrat e Moravës së Epërme e disa u vendosën edhe në qytet. Kolonët gëzonin shumë të mira nga regjimi serb, shumica nga këto familje koloniste morën tokë nga reforma agrare, kurse një pjesë tjetër me vetiniciativë nga viset pasive të Serbisë erdhën në rrafshinën pjellore të Moravës së Epërme e të Poshtme. Gjatë vendosjes së kolonëve, fare nuk u mor parasysh interesi ekzistencial i fshatarëve shqiptarë dhe kishte raste kur shqiptarëve u ishte marrë gjithçka rreth shtëpisë, ndërsa për të hyrë në shtëpitë e tyre duhet të kalonin nëpër pronën e kolonëve.[3] Pas pushtimit serb, në Gjilan, në fund të vitit 1913 u fillua me vendosjen në qytet e në rrethet e tij të familjeve koloniste serbe e malazeze. Në Moravën e Epërme ardhja e serbëve nis që nga viti 1912.[4]
Popullata shqiptare që ishte në shumicë dhe ajo turke që ishte më në pakicë, të shtrënguara nga ardhja e kolonistëve u shpërngulën për në Turqi e vendet tjera. Gjilani dhe rrethina e tij, që kishte tokën tejet cilësore për bujqësi, ishte njëri ndër qytetet e Kosovës në të cilin që nga pushtimi serb më 1912, ka qenë tejet i theksuar procesi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi.[5] Valë të shpërnguljes për në Turqi nga Gjilani e rrethina ka pasur sidomos pas Luftërave Ballkanike të viteve 1912 – 1913 dhe nga kjo kohë ka filluar një proces intensiv, i pandërprerë dhe shpesh tejet masiv i shpërnguljeve të motivuara nga politika diskriminuese serbomadhe.[6] Gjilani me rrethinë ka qenë pjesa me numrin më të madh të të shpërngulurve me dhunë nga trojet e tyre etnike, si pasojë e politikës antishqiptare, të dhunës e të gjenocidit ndaj popullit autokton shqiptar me qëllim të serbizimit të këtyre trojeve. Intensiteti i këtij procesi, gjatë kësaj periudhe, do të ndryshojë varësisht prej evoluimit të rrethanave politike të kohës.[7] Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Mbretërisë serbe (1912-1915) në Kosovë ishte planifikuar të kolonizohen 20 mijë serbë në zonën e pushtuar nga serbët dhe 5 mijë malazezë në zonën e Kosovës të pushtuar nga malazezët.[8]
Shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi
Nga Morava e Epërme dhe e Poshtme menjëherë më 1912 janë shpërngulur në Turqi 54 shtëpi muhaxhirësh, kurse kanë mbetur edhe nëpër gjini 107 familje me 265 anëtarë.[9]
Rrethi i Gjilanit dhe sidomos Morava e Epërme, për shkak të tokës pjellore, por edhe shkaku i afërsisë së kufirit me Serbinë ishte tërheqëse për ardhacakët serbë. Me ardhjen e kolonëve serbë, të cilët vinin nga vise të ndryshme të Serbisë, nisën edhe konfliktet e para mes shqiptarëve vendas dhe kolonistëve serbë e malazezë. Pushteti i instaluar serb, fajtorë për këto konflikte gjithnjë i gjente shqiptarët, mbi të cilët ushtronte dhunë, gjë e cila bëri që kjo të ketë ndikim në shpërnguljen e popullsisë vendase. Gjithashtu, pushteti serb, kolonistëve u dha tokë e mal sa të donin dhe ku të donin, kjo sidomos ndodhi me kolonistët që u vendosën në Gjilan e rrethinë e që ishin nga vise të Serbisë, rrethi i Nishit, i Vrajës, Pqinjes, Cërna Travës, Pirotit etj.[10]
Kolonët serbë jo vetëm që ishin më të privilegjuar se shqiptarët në çdo pikëpamje, ata ishin më të priveligjuar edhe ndaj serbëve vendorë. Pushteti i instaluar serb, përpos që u jepte kolonëve toka falas, ata kanë mundur të marrin ndihma nëpërmjet shërbimeve bujqësore dhe këto të holla është dashur të harxhohen vetëm për ndërtime shtëpish, ndërtesa ndihmëse, për blerje bagëtish, mjete e farëra. Kolonët kishin edhe shumë të drejta që nuk i gëzonin shqiptarët e as serbët autoktonë, ata kishin të drejtë të bënin prerjen e druve të punës në malin e komunës dhe në malet shtetërore, për ndërtimin e shtëpive dhe objekteve ndihmëse. Këto të drejta të kolonëve, shqiptarët autoktonë nuk i gëzonin në asnjë fushë, por përkundrazi shqiptarët tatimet mbi tokat, pyjet, malet etj., i paguanin me çmime të trefishuara, ndërsa kolonët ishin të liruar nga tatimet për tokë, për kafshë për tre vjet dhe nga të gjitha tatimet komunale e shtetërore.[11]
Kolonët sllavë u vendosën në këto vendbanime të komunës së Gjilanit: Bresalc, Bukovik, Capar, Gjilan, Livoç i Epërm, Livoç i Poshtëm, Llashticë, Malishevë, Pogragjë, Përlepnicë, Ponesh, Stublinë, Velekincë, Vërbicë e Kmetocit, Vrapçiq, Kufcë e Poshtme, Nasalë. Partesh, Dobërçan, Zhegër e fshatra të tjera.[12]
Në kushte të tilla të diskriminimit të hapur, jeta për shqiptarët ishte bërë e padurueshme dhe e papërballueshme, andaj të gjitha këto veprime të ndërmarra nga aparati shtetëror serb dhe nga kolonët bënë që nga fshatra të ndryshme të Gjilanit me rrethinë të nis shpërngulja e banorëve për në Turqi. Pushteti serb, me qëllim të nxitjes së shpërnguljes sa më të madhe të shqiptarëve përdorte format nga më të ndryshme të presionit. Ai përpos dhunës dhe persekutimeve fizike, përdorte edhe presion politik, duke mos përjashtuar as presionin ekonomik dhe sidomos të atyre të tatimeve të mëdha për tokë. Presion ushtrohej sidomos ndaj shqiptarëve që ishin më të pasur dhe që kishin sasi më të madhe të tokës së punueshme, duke i ngarkuar me tatime të papërballueshme. Duke përdorur këtë mënyrë të presionit, pushteti serb mëtonte të shpërngulte njerëzit më të pasur e më me ndikim, në mënyrë që me ata që ishin më të varfër më pas t’ia bënte më lehtë. Qytetarë që shpërnguleshin për në Turqi, ka pasur raste kur para se të niseshin kanë qenë të detyruar të nënshkruajnë dokumente se tërë tokën e tyre ia falin “shtetit”, ngase tokën e tyre nuk e kishin marrë përsipër as të afërmit e tyre, shkaku i pamundësisë së pagesës së tatimeve që ishin shumë të larta. Një praktikë e tillë është përdorur sa herë që është nevojitur të shpërngulen shqiptarët. Duke pasur parasysh rendimentin e dobët të tokës, shumën e tatimit që ishte e papërballueshme dhe mblidhej me dhunë, atëherë popullsia ishte e pakënaqur dhe jeta e tyre ishte bërë e padurueshme, andaj popullata kërkonte shpëtimin në shpërnguljen nga trojet e veta.[13]
Një lloj tjetër i presionit mbi shqiptarët ishte edhe ai për ndërrimin e fesë – konvertimi me dhunë i myslimanëve dhe i katolikëve shqiptarë në fenë ortodokse. Kjo ishte një formë e posaçme e terrorit dhe gjenocidit shtetëror, me qëllim përfundimtar shkombëtarizimin e popullatës shqiptare dhe asimilimin e kësaj popullsie në territoret e pushtuara, sikurse edhe shpërnguljen e asaj popullsie që nuk e pranonte ndërrimin e fesë. Një gjë e tillë ishte tentuar të bëhej në fshatrat e Karadakut. Pushtuesit serbë u kishin caktuar edhe emra sllavë banorëve shqiptarë, duke sjellë edhe certifikata nga Beogradi dhe tentonin të impononin bindjen se shqiptarët me vullnet e kanë ndërruar fenë.[14] Ushtria serbe për mosbërje kryq e ndërrim të fesë vrau shqiptarë, të cilët ishin këmbëngulës të ruanin fenë e tyre, siç është rasti i Salih Ajvazit nga Terzijaj, i cili para se të vritej u kishte thënë serbëve: “Salih kam le dhe Salih du me dekë”. Serbët lokalë dëbuan edhe shqiptarët që njiheshin si muhaxhirë të Pasjanit.[15]
Të shpërngulur për në Turqi pati gati nga të gjitha fshatrat e Gjilanit. Kështu nga Llashtica familjet që shkuan për në Turqi në vitin 1913 e më vonë janë: familja e Bekteshëve, që shtëpitë i kishin në të dalë të fshatit dhe në shtëpitë e tyre u vendosën kolonistët serbë. Po këtë vit u shpërngulën edhe familja e Selë dhe Zenel Murselit pasi kishin ra në konflikt me serbët e Budrikës. Familja e Kadri Murselit u detyrua të shes tre hektarë tokë dhe shtëpinë dhe vendosën të shpërngulen për në Turqi, por duke u vendosur përkohësisht në Shkup dhe me plasjen e Luftës së Parë Botërore, ata u kthyen në Llashticë, tashti pa kurrfarë pasurie, duke u vendosur në shtëpinë ku kishin jetuar më parë, në të cilën në katin e dytë jetonin kolonistët serbë. Të njëjtin fat e pati edhe familja e Shaip Shaban Shaqirit, që shiti pasurinë, por nuk arriti të kalojë në Turqi. Në Turqi u shpërngulën edhe familjet Dalipi e Shabani.[16]
Plaçkitja e pasurisë dhe e tokave, dhuna që ushtrohej ndaj popullsisë dhe pamundësia e punimit të tokës, bënë që dimri i vitit 1912/1913, për Gjilanin të jetë shumë i vështirë. Këto anë kishte kapluar uria dhe popullsia jetonte jetë të vështirë. Nga raportet e inspektoratit të policisë e udhëheqësve tjerë të Ministrisë së Brendshme, të janarit e shkurtit 1913, thuhej se në Rrethin e Gjilanit dhe Llapit kishte mungesë të drithit dhe se urgjentisht duhet dërguar misër për të zbutur urinë.[17]
Shumë njerëz qenë të detyruar të dalin kaçakë në mal, që ndiqeshin nga pushteti, i cili shpesh i hakmerrej popullsisë, kurse djegiet në masë i arsyetonte me rezistencën e armatosur që u bëhej nga shtëpitë gjatë ndjekjes së kaçakëve.[18]
Kështu tmerrin e masakrave e të vdekjeve e shtonte ndarja dhe ikja për në Turqi, po edhe gjendja e rëndë sociale, respektivisht varfëria ekstreme. Shqiptarët me gjithë presionin që bëhej ndaj tyre, nuk deshën të jenë pjesë e Luftës së Dytë Ballkanike edhe pse shumë nga ta prej Gjilanit dhe viseve përreth qenë të detyruar të përfshihen në luftë, që nuk ishte për lirinë e popullit të tyre e shumë shqiptarë për t’iu shmangur kësaj lufte dhe terrorit të pushtuesve serbë dolën kaçakë në mal, duke mos u dorëzuar kurrë dhe duke pritur ditë më të volitshme për një kryengritje të re.
[1]Архив Секретарјата инистраних Дела у Београду, Фонд Политичко Одељење, докуменат број 1246, састављен 12 априла 1914. године.
[2] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 508.
[3] Obradović, M. 1981. Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu 1918 – 1941. Priština: Institut za Istoriju Kosova, s. 118.
[4] Урошевић, A. 1935. Горња Морава и Изморник, СКА, Насеља и порекло становниства, књ. 28. Београд, f. 76-77.
[5] Selmani, A. 2008. Shpërngulja e shqiptarëve nga Gjilani e rrethina për në Turqi (sipas dokumenteve arkivore). Prishtinë: Trend, f. 9.
[6] Selmani, A., Shpërngulja…, f. 7.
[7] Po aty, f. 9.
[8] “Документи о сполњој политици Краљевине Сербије”, К. VII Св.1 Београд 1980, c. 617-618.
[9] Урошевић, A., vep. e përm., f. 76-77.
[10] Ibishi A. R. dhe Murseli R. S. 2010. Llashtica nëpër kohë (monografi). Gjilan: I-Bimi, f. 75 – 76.
[11] Obradović, M., vep. e përm., f. 27 – 28.
[12] Osmani, J., Venbanimet…, f. 25.
[13] Selmani, A., Shpërngulja..., f. 26.
[14] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29. (Ekspedita e Karadakut).
[15] Rrustemi, S., art. i përm., f. 319.
[16] Ibishi A. R. dhe Murseli, R. S., vep. e përm., f. 70 – 71.
[17] Rushiti, L., Rrethanat…, f. 97.
[18] AIH, Vj. 23 – 30 – 3054, nr. 2316, nr. 80, recte 122, f. 746.