Shëndeti

Shtatëmbëdhjetë muaj në shërbim të shëndetësisë, privilegj e kënaqësi, njëkohësisht të vështira e sfiduese

Aurorë Osmani – / ish drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS), Gjilan/
Shtatëmbëdhjetë muaj në shërbim të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në komunën tonë, për aq sa ishin privilegj e kënaqësi, ishin të vështira e sfiduese njëkohësisht.
Të sfidohesh në kuptimin profesional e menaxherial nuk është “big deal” sepse edhe pyet, kërkon këshilla, zgjedh modele etj, mirëpo të sfidohesh në kuptimin njerëzor, të të krijohen dilema, pasiguri, pamundësi bashkëpunimi me vartësit për shkak të politizimit të thellë e qëllimkëqinjëve, po që kjo kërkon studim shkencor!
Projektet për shëndetësinë dhe mirëqenien duken atraktive edhe nga jashtë, sepse prekin drejtpërdrejtë jetën e secilit prej nesh. Madje ato bëhen akoma më interesante, kur nuk i sheh nga këndi i pozitës udhëheqëse por i përjeton si pasion e dëshirë për të ndryshuar mendësinë, funksionimin ditor e mbi të gjitha për ta ngjallur idenë se në qytetin tonë dikush mund të mendojë për dikë pa ndonjë interes specifik, dikush mund të mendojë për një kategori të harruar pa menduar votën, dikush mund të mendojë për rastet e ‘braktisura’ nga shërbimi i merituar pa kujtuar popullaritetin e kalkulimet politike.
Si sot kujtoj angazhimin personal dhe ekipor të dy njerëzve të kabinetit të kryetarit për dy të moshuar pa përkujdesje. Vizitat tona dhe interesimi i vazhdueshëm institucional e privat për sistemimin e tyre në një shtëpi kujdesi për të moshuar në kryeqytet.
Shtojmë këtu vizitat nëpër terrene të vështira për rishikimin e rasteve të rënda ekonomike e sociale, për të gjetur mundësi (rrugë ligjore institucionale) e donatorë për ndihmesë të cfarëdo lloji.
Këto e shumë e shumë tregime të tjera të bëra vetëm në emër të empatisë, përgjegjësisë dhe formimit individual, pa përshkrim detyrash zyrtare siç disa ishin mësuar!
Kampanja të ndryshme ndërgjegjësimi, shënime ditësh ndërkombëtare për tema e data të caktuara, marrëveshje bashkëpunimi me shumë akterë institucional e organizata, njohje të reja, takime e takime maratonike… se ç’më shkoi buzagaz…!
Askush nuk mund ta mohojmë që në shëndetësi kishim më shumë kaos, më shumë kërkesa, më shumë ankesa. Disa i bënin se duhej patjetër të ishin aktualë me ndonjë temë, disa nga papjekuria, disa nga dashakeqësia, e shumë nga to sepse gjendja faktike ishte ashtu!
Mungesë e barërave esenciale, mungesa e furnizimit nga ana e ministrisë, përfundimi i kontratave me operatorë ekonomik na pamundësonte furnizim të shpejtë, infrastrukturë e vjetër, kuadro me potencial por të rraskapitur nga kushedi çka… Për krejt këto punuam shumë, që të duket pak!
-Renovuam shumë qendra te MF, si: ‘Dheu i Bardhë’; ‘28 Nëntori’; AMF ‘Livoç i Ulët’ QKMF etj.
-Rikthyem dhe pajisëm me kuti të ankesave çdo institucion shëndetësor
-Vendosëm aparatura për vajtje-ardhje të punëtorëve shëndetësorë, në mënyrë që t’i pakësonim ankesat
-Organizuam trajnime profesionale për ekipe mjekësore
-Pajisëm me uniforma unike ekipin mjekësor të urgjencës
-Siguruam mjete financiare për pajisje me uniforma gjithë stafin shëndetësor
-Ndamë mjete për furnizim me çarçafë e batanije të reja për pacientë
-Si asnjëherë më parë rritëm buxhetin për blerje dhe mirëmbajtje të pajisjeve mjekësore
-Rikthyem kontrollat sistematike tek nxënësit
-Rikthyem kontrollat mjekësore për pensionistë
-Rikthyem participimin për t’i rikujtuar të gjithë ata që kërkuan e kërkojnë shërbime shëndetësore që koha e profesioni i doktorëve është i shenjtë
-Rikthyem kontrollat mjekësore nëpër fshatrat më të mëdha të komunës
-Përfunduam procesin e digjitalizimit në shëndetësinë primare. Ka mbetur vetëm aplikimi i tëresishëm i saj edhe nëpër fshatra më të thella
-Realizuam projektin për qasjen në informacion për persona shurdhë-memecë, duke mundësuar të drejtën e tyre për informim. Filluam me seancat e Kuvendit Komunal
-Pajisëm me çanta shkollore fëmijët e asistencës, etj etj…
Ndihmuam të gjithë për aq sa mundëm e ishte e drejtë, duke përfshirë familjet strehuese, nënat vetushqyese, organizatat jo-qeveritare përmes thirrjes publike për subvencione, takime me përfaqësues komunitetesh, diskutime publike, hartim dokumentesh etj.
Një fakt s’mundem ta mohoj, sepse inicimin e projekteve që i kisha shumë për zemër mbetëm pa i realizuar, mirëpo nuk dyshoj që edhe tani projekti i punësimit për persona me aftësi të kufizuar do të shkojë mirë, do të fillojë ndërtimi i AMF-së në fshatin Uglar, do të funksionalizohen projekte kapitale përmes grantit qeveritar i cili vlen për çdo komunë.
E kur jemi te granti, kujtoj takimin tim me ekspertin e angazhuar nga MSH, përmes projektit të Bankës Botërore z. Agron Hamiti, me të cilin patëm diskutuar gjatë se si dhe pse të rritet granti në shëndetësi për ne si komunë.
U gëzova shumë kur sot pashë lajmin që kryetari i komunës nuk e ka harruar zgjatjen e orarit për barnatoren e QKMF-së, të cilën kohë më parë e kam kërkuar e propzuar, mirëpo mungesa e resurseve njerëzore e ka pamundësuar.
Gjithashtu si banore e kësaj komune pres edhe jetësimin e projekteve të tjera kapitale në shëndetësi, të cilat i pata propozuar atëkohë!
Dhe për fund, publikisht u jam mirënjohëse shumë kolegëve/zyrtarëve të cilët përmes gatishmërisë së tyre për bashkëpunim e përqafim idesh pa refuzime e arsyetime të kota, kanë treguar që e duan këtë vend e këtë qytet, anipse tash nga ky kënd e mendjeftohtë ata po më dalin më të paktë se që ishin.
I falenderoj të gjithë ata që më përkrahën, e veçmas Partinë Demokratike të Kosovës për mundësinë dhe besimin e dhënë
Dhe siç thonë ‘It was nice while it lasted’

You Might Also Like