OPINION

SYNIMET SERBE PËR PËRFITIMIN E SHQIPTARËVE TË GJILANIT ME RRETHINË

Enver Sadiku

 

Qeveria e Serbisë, e cila prej kohësh synonte pushtimin e Kosovës dhe territoreve të tjera të banuara me shqiptarë, qysh para shumë vitesh kishte dërguar emisarë në Vilajetin e Kosovës për të përgatitur terrenin për pushtimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare. Një gjë të tillë ajo e kishte bërë edhe në territorin e Gjilanit me rrethinë. Agjentë të saj ishin tejet aktivë në terren, duke u munduar të vënë kontakte me krerë të Gjilanit me rrethinë dhe me njerëz me ndikim.

Në rajonin e Gjilanit me rrethinë, qeveria e Serbisë përpos futjes së armatimit për komitët dhe popullatën serbe, tentonte të përfitonte krerët e kryengritësve shqiptarë, me qëllim që të zbehte rezistencën e armatosur në luftën që e kishin planifikuar. Edhe dokumentet e kohës flasin mbi furnizimin ilegal të serbëve me armatime, të cilët kuajt e ngarkuar me armë i drejtonin kryesisht te fshatarët serbë të rrethit të Prishtinës e Gjilanit. Kur këto armë i zbulonin patrullat e xhandarmerisë osmane, siç ndodhi në Graçanicë, serbët deklaronin se pushkët i bartnin me porosinë e kaçakëve shqiptarë.[1] Vetëm prej 23 shtator 1904 deri më 25 shkurt 1905, nga Serbia në Kosovë dhe në viset perëndimore të Maqedonisë janë dërguar nëntë qeta komitësh dhe material lufte më se 2000 pushkë, 500 revole dhe shumë bomba e dinamit, kurse kjo shumë filloi të rritet gjatë pranverës së vitit 1905.[2]

Para se të fillonte luftën, qeveria e Beogradit dërgonte në Kosovë grupe që merreshin me veprimtari terroriste e diversioniste. Këto grupe qenë të organizuara në organizata të fshehta, siç ishin “Narodna Odbrabna”* (Mbrojtja Popullore), “Ujedinjenje ili smrt”* (Bashkim ose vdekje) e organizata të tjera. Në këto organizata bënin pjesë grupe të varura e të pavarura, nacionale, ushtarake e civile, persona të veçantë, agjentë e diversantë. Ata mblidhnin e raportonin të dhëna, vrisnin atdhetarë, mobilizonin e armatosnin serbë që banonin në Kosovë e i stërvitnin e rekrutonin ata në grupe paramilitare e për punë subversive.[3]

Qeveria e Serbisë kishte futur agjentë të saj edhe në rajonin e Gjilanit me rrethinë. I tillë ishte kapiteni Bozhin Simiq, agjent serb, i cili paraqitej si boshnjak i fesë islame dhe falej në xhami. Në këtë mënyrë ai kishte fituar besimin te një pjesë e popullatës, e cila atë e konsideronte si njeri të fesë e njeri të ndershëm, por Bozhin Simiq kishte detyra krejt tjera e njëra ndër më të rëndësishmet ishte përgatitja e terrenit për pushtimin e mëvonshëm të këtyre trojeve nga ushtria serbe dhe mbledhjen e armëve nga shqiptarët. Ai qëndroi në fshatrat e Malësisë së Gollakut në Rogaçicë e Hodonovc dhe mbante lidhje të pandërprera me punktet e përqendrimit të komitëve dhe me vendin amë, duke përgatitur depërtimin sa më të lehtë të ushtrisë serbe dhe duke u përpjekur që të përfitojë sa më shumë shqiptarë për qëllimet e ardhshme të Serbisë.[4]

Kapiteni Bozhin Simiq kishte si detyrë gjithashtu të çoj në vend përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë serbe për të rënë në kontakt me figura të shquara të kryengritësve shqiptarë kundër Perandorisë Osmane siç ishin Idriz Seferi, Isa Boletini, Sali Aga e të tjerë, për të neutralizuar e paralizuar rezistencën e shqiptarëve kundër Serbisë në trevat e Gjilanit e më gjerë. Ai i kërkoi Idriz Seferit qëndrim neutral ndaj Serbisë në rast lufte me Perandorinë Osmane, por në këtë ofertë të Serbisë, Idriz Seferi do të përgjigjej qartë: “Do të jem besnik i marrëveshjes, sipas së cilës do të ndihmoj në rast lufte me Austrinë, ndërsa në rast se Serbia e sulmon Perandorinë Osmane do të jem në anën e Sulltanit”.[5] Me këtë qëndrim largpamës, Idriz Seferi nuk synonte mbrojtjen e Perandorisë Osmane, ndaj të cilës kishte luftuar, por qëllim kishte mbrojtjen e tokave shqiptare.

Njerëz të tillë qeveria serbe kishte futur edhe në Gjilan, siç ishte mësuesi serb nga Gjilani, Zhivko Popoviq, që ishte konfident me nofkën “Moravac”, i cili dërgonte shkresa nëpër konsuj për gjendjen në Gjilan e rrethinë. Edhe mbreti i Serbisë, Petar Karagjorgjeviq, bëri gjithçka për të vënë lidhje me Idriz Seferin dhe atë qysh në fillim të vitit 1912, duke u munduar të ndikojë në fillimin sa më të shpejtë të kryengritjes. Idriz Seferi kishte marrë 100 pushkë dhe kishte kontraktuar 18.000 të tjera dhe kushtet kishin qenë që armët të përdoreshin në luftë kundër Perandorisë Osmane dhe në rast të sulmit të Austro-Hungarisë, shqiptarët obligoheshin që t’i shkonin në ndihmë Serbisë. Përfaqësuesit e qeverisë serbe, gjatë bisedimeve, në asnjë rast nuk kishin treguar pretendime territoriale ndaj Vilajetit të Kosovës. Atyre edhe Idriz Seferi ua kishte bërë me dije se shqiptarët luftonin për autonominë e tyre dhe se për liri do të sakrifikonin çdo gjë.[6] Sipas Zekeria Canajt, që ka hulumtuar shumë nëpër arkivat serbe, nga burimet serbe nuk del që Idriz Seferi hyri në shërbim të pushtetit serb, derisa sipas tij, edhe pohimet e konsullit austro-hungarez në Shkup duhet marrë me rezervë, ngase nëse Idriz Seferi para vitit 1912 mori kontakt me Serbinë për t’u furnizuar me armë dhe municion e më pas pati edhe konsultime me prefektin e Shkupit, A. Cemoviç, ky nuk është argument që provon devijimin e tij.[7] Serbia pos Idriz Seferit kishte tentuar të përfitojë edhe Bajram Currin, Isa Boletinin,  Hasan Prishtinën e udhëheqës të tjerë të shquar, duke përdorur lloj-lloj mënyre, por një gjë të tillë nuk e arriti, ngase shqiptarët dhe krerët e tyre ishin të vendosur për të luftuar për të drejtat e veta.[8]

Janë të pamohueshme faktet se në disa raste, Serbia kishte furnizuar shqiptarët me armatim, mirëpo ky furnizim nuk ka qenë aq i madh sa që me to shqiptarët do të mund të sigurojnë autonominë apo pavarësinë. Edhe ato pak armë me të cilat Serbia i kishte furnizuar shqiptarët, Serbia ua kishte dhënë në mënyrë të fshehtë, ngase nuk e dëshironte prishjen e marrëdhënieve me Perandorinë Osmane. Dhënia e këtyre armëve për shqiptarët nuk kishte qenë e paqëllimtë. Serbia armatosi shqiptarët me qëllim që të dobësoj edhe shqiptarët edhe Perandorinë Osmane. Këtë e thotë edhe Millovan Millovanoviq, kryeministër i Serbisë, që theksonte se Serbia kishte qëllim që të realizojë qëllimet e saja në të ardhmen. Politika e Serbisë ishte dyfytyrëshe, ngase në Beograd llogaritej se shqiptarët sa më shumë të dobësoheshin dhe se të ishin në pozitë sa më të vështirë, ata më lehtë do të bashkëpunonin me Serbinë. Udhëheqja e Serbisë gjithashtu kërkonte që shqiptarët që kanë ikur në Serbi e Mal të Zi të lirohen dhe të kthehen me armë në Perandorinë Osmane dhe t’u premtohet strehim.[9]

Në prag të Luftërave Ballkanike, qeveria e Serbisë për ta zvogëluar rezistencën e shqiptarëve kundër forcave të tyre nxorën proklamata dhe premtime boshe për barazi dhe drejtësi. Gjithashtu edhe Porta e Lartë përpiqej që t’i përvetësonte shqiptarët me premtime për autonomi.[10] Serbia ka punuar shumë edhe në drejtimin që Lëvizjen Shqiptare ta largojë nga ndikimi austro-hungarez dhe ta vë nën ndikimin e vet,[11] sikurse që në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Serbia shihte mjetin në dobësimin e Perandorisë Osmane,[12] derisa për konsum të brendshëm dhe në planin ndërkombëtar qëllimet luftarake të Serbisë më 1912, në gjuhën serbe dhe atë angleze i shtjelloi Jovan Cvijiq, në artikullin “Lufta Ballkanike dhe Serbia”, të botuar po atë vit. Sipas Cvijiqit, viktimë e dhunës në Kosovë ishin serbët, kurse shkaktari i të gjitha vuajtjeve të serbëve ishin shqiptarët, andaj ai thërriste që këto territore të çliroheshin. Ai gjithashtu kërkonte edhe daljen e Serbisë në det, për të arritur çlirimin ekonomik nga Austro – Hungaria dhe për t’i shpëtuar bllokadës osmane.[13]

Qeveria e Serbisë me të madhe bënte propagandë edhe në arenën ndërkombëtare, ku para përfaqësive të mëdha paraqiste dhunën që gjoja shqiptarët me bekimin e pushtetarëve ushtronin ndaj fshatarëve serbë. Kjo mund të argumentohet edhe nëpërmjet një letre konfidenciale nga Prishtina, të shkruar në gjuhën frënge, dërguar legatës së Serbisë në Londër, ku shkruhej për gjoja krimet e shqiptarëve të Kazasë së Gjilanit që kryenin kundër popullatës serbe nëpër fshatra. Në këtë letër ishte përpiluar një listë me raste individuale të banorëve serbë, të cilët gjoja kishin pësuar dhunë, keqtrajtime, vjedhje e deri në vrasje edhe atë me dijeninë dhe nën mbrojtjen e autoriteteve osmane.[14]

Pra, derisa shqiptarët luftonin për të larguar pas rreth 500 vjetësh otomanët nga tokat e tyre, fqinjët në heshtje përgatisnin planet për ndarjen e tokave shqiptare dhe masakrimin e popullsisë autoktone. Duhet pranuar, shqiptarët e kishin nuhatur këtë, po jo në masën e duhur, dhe se nuk kishin bërë të gjitha përgatitjet për t’u përballur me sfidat tjera pas asaj me otomanët.

Për të bindur shqiptarët që të mos i rezistojnë ushtrisë serbe, e cila planifikonte pushtimin e trevave të banuara me shqiptarë, më 18 nëntor 1912, mbreti Petar i Serbisë kishte lëshuar një kumtesë, sipas të cilës askush nuk është më i kënaqur me gjendjen në Perandorinë Osmane, andaj ai kishte urdhëruar ushtrinë që t’i hyjë kësaj lufte të shenjtë për lirinë e të gjithëve dhe për një jetë më të mirë dhe se të gjithëve do t’u sjellin liri, vëllazëri e barazi. “Gjysmë viti pasi ishte lëshuar kjo kumtesë, mijëra njerëz u vranë e torturuan për vdekje: burra, gra, fëmijë, pleq; katunde të djegura e të plaçkitura, gra e vajza të përdhunuara, i gjithë vendi i shkatërruar, i plaçkitur, i mbytur në gjak e i përdhosur”.[15]

Pushtimi i Kosovës kishte qenë synim i kahershëm i Serbisë, e cila para se të ndërmerrte aksione ushtarake kishte futur agjentë të saj në Kosovë, kishte armatosur popullatën serbe, sikurse që kishte bërë përpjekje të vazhdueshme që të vë lidhje me krerët shqiptarë. Edhe në Gjilan e rrethinë, Serbia kishte futur grupe diversioniste, siç ishte kapiteni Bozhin Simiq, i cili shtirej si mik i shqiptarëve. Qeveria e Serbisë kishte bërë përpjekje të vë kontakte edhe me prijësin e shqiptareve të Gjilanit me rrethinë, Idriz Seferi. Ajo u kishte dërguar kryengritësve shqiptarë një sasi të armëve dhe u kishte premtuar edhe me armë të tjera. Njëri ndër synimet e Serbisë ishte që nëpërmjet luftës së armatosur në mes të shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane, që t’i dobësojë të dyja, me qëllim që më pas më me lehtësi të realizojë planet e veta. Qeveria Serbe, gjithashtu në prag të Luftërave Ballkanike, me qëllim që shqiptarët të mos i bëjnë rezistencë kishte lëshuar proklamata me premtime se të gjithë qytetarët do ta gëzojnë lirinë, do të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe se shqiptarëve do t’u ofrojë autonomi. Shqiptarët i kishin kuptuar qëllimet e Serbisë, andaj u organizuan për luftë mbrojtëse në kufi.

 

Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913” i autorit Enver Sadiku.

 

[1] Cana, Z., Politika…, f. 20.

[2] Први Балкански Рат 1912 – 1913, c. 33.

* Narodna Odbrana (Mbrojtja Popullore). Formacion paraushtarak serb i formuar në vitin 1908 në kohën e krizës aneksioniste që kishte për qëllim bashkëngjitjen e Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë. Ky formacion nga Mbretëria e Serbisë në Bosnje dërgonte njësi çetnike kundër Austro-Hungarisë. Gjatë Luftërave Ballkanike nëpërmjet kësaj organizate rekrutoheshin vullnetarë për luftë. Pas marrjes së Maqedonisë, kjo organizatë ka bërë presion në popullatën sllavomaqedonase që të deklarohen si serbë. Të gjithë ata që e kishin kundërshtuar një gjë të tillë ishin rrahur dhe torturuar. Sipas komisionit ndërkombëtar për luftërat ballkanike, pjesëtarët e Narodna Odbranës kanë kryer krime të rënda luftarake ndaj popullatës civile. Komiteti Qendror i “Narodna Odbranës” gjendej në Shkup, kurse nga popullata e Shkupit qendra e tyre quhej “shtëpia e zezë”, sipas organizatës famëkeqe “dora e zezë”, e cila qëndronte prapa tyre. Në “shtëpinë e zezë” dërgoheshin të gjithë personat që ishin jolojalë dhe aty torturoheshin.

* Ujedinjenje ili smrt (Bashkim ose vdekje). Ky formacion zyrtarisht mbante këtë emër, kurse njihej edhe si “Crna Ruka” (Dora e Zezë) dhe ishte si shoqëri e fshehtë e themeluar m 10 qershor 1910. “Dora e Zezë” ka vepruar edhe para kësaj date, duke bërë shumë atentate. Udhëheqës i saj ishte Dragutin Dimitrijeviq Apis dhe kjo organizatë kishte qëllime pansllaviste për krijimin e Serbisë së Madhe. Më vonë kjo organizatë ishte e kyçur në atentatin e Sarajevës. Në dokumentet e gjetura për këtë organizatë janë gjetur plane për atentate në personalitet e ndryshme me rëndësi, të gjitha këto për një qëllim – përmbushjen e planit të Serbisë së Madhe, gjë e cila ishte e shkruar edhe në Statutin e kësaj organizate.

[3] Shala, Xh., Marrëdhëniet…, f. 48.

[4] ASHK, Prishtinë, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29, fasc.1 (Kujtime nga Osman aga Biçku (1885) nga Hogoshti (7.XI.1969): shih Brestovci, S. art. i përm., f. 9.

[5] Selmani, A., Gjilani… f. 272.

[6] Brestovci, S., art. i përm., f. 13

[7]Cana, Z., 1990. Populli shqiptar në kapërcyell të shekullit XX. Prishtinë: Rilindja, f. 179.

[8] Po aty., f. 15.

[9] Први Балкнаски Рат I, c. 81.

[10] Rexha, S., vep. e përm., f. 4.

[11] Први Балкнаски Рат I, c. 136.

[12]Martinović, S. 1976. Srbi i Albanci u Balkanskim Ratovima (magistarski rad),  Priština, s.12.

[13] Cvijić, J. November 1912. War and Srbija, Në Review of reviews, London.

[14]Државниот Aрхив на Република Македонија (DARM), Скопје, фондот на Министерството за Hадворешни Pаботи (MNR), бр. Инвентар, 1.18.3-30/59-65.

[15] Freundlich, L., vep. e përm., f. 8.

You Might Also Like