OPINION

TË DHËNA DOKUMENTARE TË KOHËS RRETH LIKUIDIMIT TË ÇETËS SË PASJANIT MË 1907

aliriza Shkruan: Mr. Aliriza Selmani –

Në vazhdën e aktivitetit propagandistik të politikës serbomadhe ndaj viseve  shqiptare dhe maqedonase, në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, ishte edhe dërgimi i çetave të armatosura komite nga ana e qeverisë së Beogradit. Këto çeta, veprimtaria e të cilave dendësohej, kishin për qëllim destabilizimin e gjendjes dhe përgatitjen e terrenit për ndërmarrjet e ardhshme të ushtrisë serbe në këto anë. Shi për këtë ato kryenin shumë detyra: mblidhnin informata, krijonin lista për kundërshtarët më të spikatur kundër planeve ekspansioniste serbe, rekrutonin njerëz për nevojat e shërbimeve të tyre, mbillnin përçarje midis shqiptarëve, sillnin armë për pakicat serbe, digjnin shtëpit e shqiptarëve, agjitonin për qeverinë serbe, lirinë që do t’ua sillte  Serbia në këto anë etj.

Njëra ndër bandat e tilla komite, të dërguar nga qeveria serbe në viset e Kosovës Lindore, ishte edhe “Çeta e Pasjanit”, e cila e mori emrin sipas vendit të zbulimit dhe nga ku filloi shkatërrimi i saj. Çeta në përbërjen e saj kishte rreth 40 vetë, të armatosur dhe stërvitur mirë, në kuadër të së cilës ishin tre oficerë në krye me kapiten Dragolub Nikoliqin e Beogradit. Të gjithë të veshur me rroba shqiptare, gjë që ishte praktik, për të mos u zbuluar. Përndryshe  për njësi të tilla ushtarake zgjidheshin njerëzit e pamartuar dhe zakonisht fëmijët pa prindër (të lindur jashtë martese), të cilët jepnin betimin se do të vdisnin për qëllimet serbomadhe. Këta njerëz kishin status dhe privilegje të veçanta në Serbi.

Çeta në fjalë ishte e dërguar nga komiteti serb me qendër në Beograd, në fillim të korrikut 1907, dhe ishte stacionuar në këshillin për dërgimin e çetave serbe në Vranjë. Para hyrjes në Kaza (Rrethin) e Gjilanit, çeta kishte qëndruar dy ditë në Vranjë, ku ishte furnizuar me të gjitha gjërat e nevojshme, dhe kishte bërë përgatitjet e fundit për të zhvilluar aktivitetin e planifikuar.

Para nisjes për Kosovë udhëheqësi i çetës, kapiteni Dragolub Nikoliq, më 5 korrik (22 qershor sipas kalendarit të vjetër) 1907, e shkroi nga Vranja, letrën e tij të fundit prindërve në Beograd, nga e cila mund të nxirren të dhëna me rëndësi për rrugëtimin e kësaj çete komite. Letërshkruesi në fillim përpiqet për t’i bindur prindërit që të mos brengosen së tepërmi për fatin e të birit. Mirëpo ata  ishin të vetëdijshëm  se ai  po shkonte në një mision të rrezikshëm nga se po shkelte në tokën e huajë ku shqiptarët po bënin luftën e tyre për liri e pavarësi dhe se ata dinin për këto veprime të Serbisë në Kosovë dhe Maqedoni. Në letër shihet se  përkundër të gjitha përgatitjeve të duhura dhe të nivelit, të cilat i kishte në përkujdesje, letërshkruesi nuk mund ta fshihte shqetësimin  që kishte për këtë ndërmarrje të rrezikshme, për të cilën thotë se ajo do të jetë e fundit. Ndërkaq sa i përket udhërrëfyesve të cilët duhet që t’ua siguronin rrugëtimin që nga Vranja, kalimin e kufirit dhe deri në vendvendosjen e komitëve në punktet e caktuara, shprehet, se ata ndodhen aty-në këshill, janë njerëz të besueshëm të gatshëm për tu nisur dhe ofrojnë udhëtim të sigurt.

Nga përmbajtja e letrës shihet se kalimi i kufirit dhe vendi kah duhet të kalojë çeta ishte i siguruar dhe thuhet: “Vendi nëpër të cilin do të kalojë çeta nuk është i ruajtur nga pushteti e aq më pak nga ushtria”. Kjo na bënë të konkludojmë lidhur me ekzistimin e ndonjë marrëveshje sekrete midis autoriteteve osmane dhe atyre serbe, për lejimin e kalimit të çetave në këto anë. Lidhur me këtë konsulli austriak në Shkup, në raportin e tij dërguar Vjenës më 20.07.1907, do të shkruaj: “Kjo veprimtari (dërgimi i çetave) ka marrë të tilla përmasa sa që është vështirë të mos besosh se nuk ekziston një marrëveshje e fshehtë me autoritetet…”

Përkundër të gjitha masave sigurie, edhe në letër shihet se për shkaqe sigurie, që nga Vranja e deri në Kishën e Pasjanit, ku edhe do të zbulohet, udhëtimin e sajë çeta e bëri vetëm gjatë natës dhe në përkujdesjen më të madhe.

Kështu gjatë natës së 4-5 korrikut (22/23 qershor sipas k.v.) çeta do të afrohet pranë kufirit me Kosovën, ku të nesërmen do të qëndrojë tërë ditën, kurse në mbrëmje të 5-6 korrikut do të kalojë kufirin në afërsi të fshatit Gjergjec. Sipas këtyre të dhënave parashihej që në tërë javën e ardhshme çeta do të ishte në udhëtim, për të arritur në ditët e para të korrikut (sipas kal. të vjetër), në vendin e caktuar. 5

Komitët në fjalë sipas disa të dhënave që nga kufiri e deri në fshatin serb Ranilluk kishin arritur me ndihmën e një përcjellësi shqiptarë dhe pas tri ditë qëndrimi në këtë fshat serb (më 9,10,11 korrik), të pa zbuluar dhe në fshehtësi gjatë natës, në përcjellje të një serbi të Petrovcit, kishin udhëtuar në afërsi të fshatrave shqiptare Bukovik e Caparë dhe pastaj ndërmjet fshatrave Uglarë e Malishevë, nga ku në përcjellje prap të një shqiptari do të vazhdojnë rrugën rreth Moravës deri në fshatin serb Pasjan, për t’u vendosur në kishën e fshatit. 6

Pas rreth tri ditë qëndrimi në Kishën e Pasjanit, komitët të dehur, kishin bërë zhurmë të madhe dhe më 15 korrik ishin hetuar nga disa shqiptarë që kishin kaluar andejpari. Nuk kishte vonuar shumë dhe kishin arritur grupe të armatosura shqiptarësh të rrethinës, të ndihmuar me disa oficerë nga organet e pushtetit lokal osman, kisha ishte rrethuar dhe përleshja kishte filluar menjëherë. Përleshja ishte e ashpër dhe me atë rast pati të vrarë e të plagosur nga të dyja palët, por bazuar në të dhënat e kohës shihet se humbjet e komitëve ishin shumë më të mëdha.

Për të patur një pasqyrë më të plotë për këtë ngjarje, më poshtë po japim të dhëna nga artikulli me titull “ Shkatërrimi i çetave “ i gazetës zyrtare osmane të Shkupit “Kosova” , të përkthyer nga konsulli gjeneral i Serbisë në Shkup, dërguar ministrit të jashtëm serb Dr. M. Millovanoviq, më 11 (24) korrik 1907.

“Më 2 (15 sipas kalendarit të ri) të këtij muaji u zbulua se në fshatin Pasjan gjendet e fshehur një çetë serbe me 50 vetë. Menjëherë është dërguar nga Gjilani një repart i fortë ushtarësh (këtu është fjala për popullatën vendore A.S) nën komandën e kapitenit Sadik Efendiu dhe togerit Mustafë Efendiu. Komitët ishin fshehur në kishë. Përleshja ka filluar menjëherë.

Gjatë luftës, komitët filluan të shpërndahen nëpër ara. Pastaj nga Gjilani është kërkuar edhe një repart ushtarësh (vullnetar shqiptarë). Të nesërmen  me këtë njësi erdhi majori Halim Beu, i cili hyri në fushën e luftës. Rezultati ishte 12 të vrarë në mesin e të cilëve 6 pasjanas, kurse një u zu i gjallë. Ne patëm 2 të vrarë dhe 5 të plagosur.

Më pas u mor vesh se një pjesë e çetnikëve, të cilët kishin arritur të iknin nga Pasjani, gjendeshin në fshatin Lipovicë ( një orë larg Pisjanit), kurse pjesa tjetër në fshatin Gjylekarë. Menjëherë andej u drejtua majori Halim Beu me ushtarë dhe xhandarë…në një vend të lartë (Çebicë, A.S), në një mal, hasën në 15 çetnikë të cilët hapën zjarr të fortë kundër ushtarëve duke hedhur edhe bomba…por falë trimërisë së dy vetëve, Selim Çaushit dhe …(e palexueshme), të 15 çetnikët u vranë. Këtu ne patëm 2 të vrarë dhe 7 të plagosur. Pasi u gjurmua mali u gjetën edhe 5 të vrarë. (këta kishin bërë vetëvrasje). Ata ishin udhërrëfyes të çetnikëve. Disa çetnik të ikur nga Pasjani kishin shkuar në drejtim të Preshevës. Gjashtë prej tyre janë vrarë atje, njëri te fshati Maxhere, dy në…( e palexueshme), tre në malin Belaçek. Ne patëm dy të vdekur dhe një të plagosur. Rrobat e 38 çetnikëve të vrarë ishin të bardha – të shqiptarëve. Armët dhe bombat janë marrë dhe janë sjellë në Gjilan”. Pasojnë emrat e çetnikëve të vrarëve…7

Në bazë të këtyre të dhënave shihet se përleshja kishte filluar më 15 korrik 1907, kishte zgjatur dy ditë dhe ku kishin mbetur 38 çetnik të vrarë, në mesin e të cilëve edhe udhëheqësi i çetës kapiten Dragolub Nikoliqi. Ndërkaq nga ana shqiptarve të rrethinës dhe njerëzve të pushtetit pati 6 të vrarë dhe 13 të plagosur. Komitët e vrarë janë sjellur në Gjilan dhe janë varrosur rrëzë Kodrës së Dëshmorëve (ish Popovicës).8 Duhet cekur se emrin e udhëheqësit të  çetës së komitëve e ka mbajtur, që nga koha e Jugosllavisë së Versajit e deri në luftën e fundit në Kosovë, një rrugë e vogël në Gjilan.

Pra çeta komite që nga hyrja në Kosovën Lindore dhe deri të zbulimi i saj, në kishën e Pasjanit, do të qëndrojë e pa zbuluar rreth 10-11 ditë (nga 6-15 korrik), kur do të zbulohet dhe pas dy ditë luftimesh do të likuidohen.

Paraqitja e kësaj çete komitësh i kishte shqetësuar shqiptarët e Kosovës dhe ishte krijuar “Afera e Pasjanit”, e cila pati jehonë në shtypin e kohës, kurse konsujt e vendeve ballkanike dhe evropiane të akredituar në këto vise i raportonin qeverive të tyre për këtë ngjarje. Kështu gazeta “ Shpnesa e Shqypenisë” e Dubrovnikut lidhur me këtë ngjarje shkruante: “ Mbretëria e Serbisë çdo ditë fabrikon lajme tendencioze nga Shqipëria e Sipërme, me të cilat akuzohet populli shqiptar para diplomacisë evropiane si agresiv, plaçkitës e kusar, kurse nga Beogradi organizohen çeta të armatosura, që kalojnë në tokat e banuara me shqiptarë dhe atje, të veshur me rroba shqiptare, sulmojnë dhe plaçkisin, duke i paditur më vonë shqiptarët për këto vepra.”

 

 

You Might Also Like