OPINION

Të qenit e një trajneri (udhëheqësi) të suksesshëm

Shkruan: Dr. Arben Maliqi

Padyshim që një ndër pikat më delikate në industrinë e futbollit, është zeja e trajnerit. Marrja e vendimeve kruciale, zgjedhja e ekipit startues, përzgjedhjet taktike në lojëra vendimtare, guximi në raste delikate gjatë ndeshjeve, ndërrimet taktike në lojë e një sërë vendimesh tjera, të sjellin deri në një situatë jo të volitshme brenda një grupi lojtarësh dhe jo vetëm.
Në literatura të ndryshme të Sociologjisë së sportit, përmenden tre tipe të ndryshme udhëheqësish në sport, të cilat janë : tipi autokratik , demokratik, dhe anarkik.
Ndërsa në futbollin kosovar më së miri do të funksiononte një kombinim në mes tipit autokratik dhe atij demokratik.
E padyshim trajneri i cili më së miri po i referohet këtij modeli është pa mëdyshje tekniku i K.F. “Ballkani” nga Suhareka, Ilir Daja.
Prandaj, duke pasur parasysh strukturën përbërëse të grupit (ekipit) sportiv, mund dhe duhet të përcaktohet tipi i udhëheqjes që i përshtatet kësaj strukture dhe që ka predizpozita për të qenë i suksesshëm.
Udhëheqësi i grupit apo trajneri duhet t’i përshtatet përbërjes cilësore të grupit, çka do të thotë nuk mund të udhëhiqen në mënyrën demokratike ato grupe të cilët janë të afta apo kanë ato cilësi për të pranuar mënyrën autokratike të udhëheqjes dhe anasjelltas.
Vetitë e udhëheqësit për të pasur sukses, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në raportet shoqërore respektivisht në ekipet sportive.
Pra, udhëheqësi duhet të jetë pak më inteligjent se pjesa tjetër e grupit , por jo dukshëm sepse do të ketë probleme në të kuptuarit.
Krahas inteligjencës, rol të madh luajnë edhe ndershmëria, toleranca, paanshmëria, vendosshmëria, vetërespekti, dhe respekti për të tjerët, aftësia për të vlerësuar realisht, aftësia për të pranuar, niveli i njohurive profesionale, aftësia për bashkëpunim e të tjera. Me një fjalë udhëheqësi duhet të jetë i drejtë, i paanshëm, që merr qëndrime të drejta, i durueshëm, tolerant, i përmbajtur në situata të dhëna, me përvojë, situacional, bashkëpunues, i hapur, parimor, profesional, i sigurtë, inteligjent e të tjera.
Atëherë rezultatet e K.F. “Ballkani” nga Suhareka nuk kanë ardhur rastësisht, por, duke mos i anashkaluar as faktorët e tjerë në klub, ekskluzivisht është meritë e një strategu të ashtuquajtur ILIR DAJA.

You Might Also Like