Shkruan: Mr. Aliriza Selmani
Pas Kuvendit të Junikut (21-25 maj 1912), kryengritja e përfshiu tërë Vilajetin e Kosovës dhe deri në fillim të korrikut ajo ishte shtrirë në viset e tjera shqiptare për të marrë karakter gjithëpopullor. Në ndërkohë, në pjesën Juglindore të Kosovës, po bëhej intensifikimi i përgatitjes së forcave kryengritëse për operacione më të mëdha. Për këtë ishin interesuar edhe prijësit e tjerë kosovarë, ngase ngritja e Kazasë së madhe të Gjilanit do të siguronte marrjen e Grykës së Kaçanikut, si pikë me rëndësi të madhe strategjike dhe kështu do të ndërpritej ardhja e trupave ushtarake në Kosovë, meqenëse përveç kontingjenteve që arrinin pandërprerë, më 14 korrik, për në Kosovë ishte nisur edhe divizioni IX nga Selaniku. Atëbotë, në bazë të marrëveshjes me Shtabin Kryesor të Kryengritjes, shumë udhëheqës të Vilajetit të Kosovës, si: Bajram Curri, Isa Boletini, Mehmet Pash Deralla, Riza Bej Kryeziu e tjerë, kohë pas kohe, kalonin në këto anë, ku së bashku me krerët e vendës mbanin takime të shpeshta dhe konsultoheshin rreth aktivitetit të mëtejmë të kryengritjes. Ndërkaq, Isa Boletini, kishte marrë autorizimin që bashkë me Idriz Seferin të hartonin planin strategjik të operacioneve në drejtim të Kaçanikut dhe Shkupit. Plani sekret bazohej në strategjinë e hartuar në Kuvendin e Junikut, për zonën e tretë ushtarake (Zona e Gjilanit), dhe në rast të mospërmbushjes së kërkesave, sipas planit, parashihej anashkalimi i Grykës së Kaçanikut, ku ishin koncentruar forca të mëdha ushtarake. Drejt Shkupit do të marshohej në shumë drejtime dhe kryesisht nga pjesa lindore nëpër Karadakun e Gjilanit, nëpër Malin e Zi të Shkupit dhe në drejtimin Bujanoc- Preshevë – Kumanovë.
Pas sukseseve të njëpasnjëshme të luftës kundër ushtrisë osmane, në të gjitha viset e Kosovës dhe çlirimit të disa qyteteve, rast i veçantë ishte çlirimi i Prishtinës, (më 21 korrik). Në prag të sulmit në rrethinën e saj ishte tubuar një masë e madhe kryengritësish, prej rreth 20.000 vetë, nga të gjitha viset e Kosovës. Edhe pse këtu ndodhej një bazë e fortë e Ushtrisë osmane, por duke e parë masën e madhe të kryengritësish të armatosur komanda ushtarake hoqi dorë nga rezistenca. Pas çlirimit të Prishtinës, në hapësirën midis Prishtinës dhe Ferizajt ishin përqendruar rreth 50.000 kryengritës nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm, me Hasan Prishtinën në krye, të cilët po pritnin rrjedhën e mëtutjeshme të ngjarjeve, të gatshëm që sipas urdhrit të udhëheqësve të nisen në çdo aksion.
Në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit Kazaja e Gjilanit, në veçanti Morava e Epërme, krahas Ferizajt e Lipjanit, po shndërrohej në bazë ushtarake të mijëra kryengritësve dhe udhëheqësve të tyre, nga të gjitha viset e Vilajetit të Kosovës, me qëllim të bashkimit dhe të përqendrimit të forcave për aksione të mëtejme. Në mesin e tyre ishte edhe një numër i konsiderueshëm i ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë e të tjerë që kishin dezertuar nga ushtria dhë xhandarmeria osmane. Që nga gjysma e parë e korrikut në qarqet qeveritare osmane të Shkupit ekzistonte frika se shqiptarët e Gjilanit po përgatiteshin që në mënyrë të organizuar të sulmonin Grykën e Kaçanikut. Kjo bëri që këtyre ditëve, 4.000-5.000 shqiptarë, të largohen nga Shkupi, për t’iu bashkuar kryengritësve. Ndërkaq më 27 korrik, në Gjilan arriti një grup prej 500 kryengritësish të anës së Shkupit, të Kumanovës dhe të Preshevës, nën udhëheqjen e Mendu Beut, birit të Jashar Pashës së Shkupit, i cili me vete kishte sjellë 6-7 mijë lira nga shitja e çifligut, të cilat i dha për nevojat e kryengritjes. Po këtë ditë në Gjilan erdhi Sylejman Batusha me 250 gjakovarë të armatosur me pushkë të shkurtra të markës “Mauzer”. Ndërkaq, Bajram Curri dhe Riza Beu ishin ndalur në Pozharan, si vend tradicional i kuvendeve për Anamoravë8, ku më 28 korrik mbajtën një mbledhje me krerët e kësaj ane, Idriz Seferin, Mendu beun e Shkupit e të tjerë, me ç’rast u arrit marrëveshja për aktivitetin e mëtejmë të lëvizjes, e në veçanti u diskutua rreth forcimit të idesë mbi autonominë kombëtare. Gjatë aktivitetit të tij në këto anë, Bajram Curri kishte tubuar rreth 1.500 kryengritës të armatosur dhe të gatshëm për aksion. Duhet theksuar se në mesin e shumë kryengritësve të viseve të tjera, në këto anë ndodheshin edhe 800 gjakovarë të armatosur, të vendosur nëpër konaqe në fshatrat Ballancë, Mirosalë, Pozhoran, Gadimë, Komogllavë, Sadovinë, Sllakoc etj.9
Korrespodenti i gazetës “Politika”, më 25 korrik njoftonte nga Kumanova se ato ditë shqiptarët e Kazasë së Kumanovës dhe ata të Preshevës kishin mbajtur një tubim në fshatin Izvor, ku ishte marrë vendim që t’u bashkoheshin kryengritësve të viseve të tjera. Si vend tubimi ishte caktuar manastiri Matejç, ku ishin tubuar rreth 2.000 shqiptarë të armatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një numër nga Kazaja e Gjilanit. Gjatë 30 e 31 korrikut, nga kjo anë në Gjilan arritën më se 1.000 kryengritës të armatosur. Kumanovarëve u printe Adem Arifi.10
Konsulli serb në Prishtinë, Milojeviq, në telegramin e 30 korrikut, thekson se në Gjilan e rrethinë këto ditë janë tubuar rreth 4.000 kryengritës të armatosur, nga kjo kaza , gjysma e të cilëve ndodheshin në qytet , ndërsa gjysma tjetër nëpër fshatra për rreth, të cilët së shpejti pritej të niseshin për në Preshevë e Shkup. Ndërsa korrieri i Serbisë nga Gjilani, më 2 gusht, njoftonte: “Këtu janë duke u bërë përgatitje të mëdha për marshim drejt Shkupit dhe se njerëzit flasin vetëm për këtë, pasi nuk u arrit marrëveshje me komisionin qeveritar osman në Prishtinë”. Këtyre ditëve edhe në qarqet qeveritare të Shkupit ndihej një pasiguri, sepse në afërsi të qytetit shiheshin grupe shqiptarësh të armatosur dhe flitej se më 1 apo 2 gush Bajram Curri dhe Idriz Sferi me forca ushtarake do të hynin në Shkup.
Që nga fillimi kryengritjen e armatosur të popullit shqiptar u mundua ta shfrytëzojë edhe opozita osmane, që kishte përkrahjen e oficerëve të pa kënaqur me politikën xhonturke. Andaj lëvizja në ushtri po merrte përmasa gjithnjë e më të gjëra, ku përveç ushtarëve e oficerëve filluan të dezertojnë edhe xhandarët osman, të cilët po hynin në radhët e kryengritësve. Me gjithë masat e ndërmarra, lëvizja në ushtri po shtrihej në të gjitha viset e banuara me shqiptarë. Lidhur me pakënaqësitë e ushtarëve që të luftonin kundër shqiptarëve flet edhe rasti i 6 korrikut kur ishte dhënë urdhri që nga Ferizaj në Gjilan dhe Preshevë të dërgoheshin njësi ushtarake, për të qetësuar gjendjen e tensionuar dhe për t’i ardhur në ndihmë pushtetit lokal, një batalion ushtarësh refuzoi të bindet. Kur komandanti shkoi për të konstatuar gjendjen e krijuar, ushtarët dhe oficerët i deklaruan :” Jemi të gatshëm të shkojmë në luftë, nëse duhet, kundër Italisë apo kujtdo tjetër, por jo edhe kundër vëllezërve tanë.” Këto ditë edhe në Kumanovë kishin shpërthyar çrregullime dhe dezertime në radhët e ushtarëve dhe oficerëve. Kështu, më 29 korrik, Sherif ef. dhe kapiten (jyzbash) Adem Beu, në krye të 80 ushtarëve kishin dezertuar dhe u ishin bashkuar kryengritësve në Gjilan. Po ato ditë nga kjo anë arriti një grup prej 200 xhandarësh dhe një bimbash (major). Më 31 korrik po nga kjo anë, arriti një mydyr me 30-40 ushtarë, të gjithë iu bashkuan kryengritësve. Rastet e tilla ishin të shumta dhe në të gjitha viset shqiptare.
Nga ana tjetër me gjithë dezertimet nga radhët e ushtrisë e të xhandarmerisë, Qeveria osmane kishte efektiva ushtarake besnikë, mbi 35 batalione me afër 60.000 ushtarë, të cilët mund t’i përdorte për shuarjen e kryengritjes në Vilajetin e Kosovës. Kështu,përballë forcave kryengritëse të përqendruara në Rrethin e Gjilanit, prej nga pritej sulmi, pushteti osman vazhdoi forcimin e bazave ushtarake, me qëllim të ndalimit të depërtimit të kryengritësve në drejtim të Kaçanikut dhe Shkupit. Në Shkup çdo ditë po mbaheshin mbledhje, për ta ngritur moralin e oficerëve për luftë dhe po bëheshin përgatitje intensive për mbrojtjen e qytetit. Komandanti i garnizonit kishte urdhëruar vendosjen e topave me tyta në drejtim të Kaçanikut dhe të Karadakut të Shkupit, ndërsa mbrojtja e Grykës së Kaçanikut gjithnjë po forcohej. Këtu që nga ditët e para të korrikut ishin të përqendruar 10 batalione ushtarësh dhe kohë pas kohe po largoheshin batalionet e pasigurta, për t’u zëvendësuar me trupa të reja dhe të rregullta ushtarake. Edhe gjatë gjithë korrikut, me qëllim të plotësimit të njësive ushtarake në Kosovë si dhe të zëvendësimit e njësive të pa sigurta me njësi të reja, po vazhdonte ardhja dhe koncentrimi i shumë kontingjenteve ushtarake në Kosovë. Kështu më 12 korrik, nga Shkupi kishin ardhur 14 taborre ushtarë, më 14 korrik ishte nisur i tërë divizioni i IX, nga Selaniku, për t‘i zëvendësuar trupat redifëve në Kosovë; gjatë 21 dhe 22 korrikut në Kaçanik e Ferizaj kishin arritur 5 batalona këmbësorie, me 4 topa dhe 5 mitraloza. Përveç forcave të përqendruara më parë, në fshatin Drenogllavë afër Kaçanikut, më 29 korrik, ishin dërguar edhe 4 taborre ushtarë, me artileri. Pos njësive të cekura më lartë e të tjera, nga të dhënat e kohës shihet se me gjithë ndryshimet në kreun ushtarak e politik të shtetit osman si dhe me gjithë urdhrin për ndërprerjen e operacioneve ushtarake kundër kryengritësve shqiptar, pjesa më e madhe e oficerëve të garnizonit të Shkupit, me në krye komandantin e korpusit Ismajl Fazil Pashën, ishin të disponuar për rezistencë. Konsulli serb në këtë qytet, Gavriloviq, në raportin e tij të 2 gushtit, ndër të tjera shkruan: “Pa marrë parasysh qëndrimin dhe urdhrin nga Stambolli, shumica e oficerëve po përgatitet dhe ka vendosur të bëjë rezistencë. Për këtë qëllim ushtria tani disa ditë po e forcon mbrojtjen e qytetit dhe po hap kanale nga drejtoimi i Karadakut të Shkupit, prej nga pritet depërtimi i kryengritësve.”
Pas dështimit të bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe grupit negaciator osman në krye me Ibrahim Pashën në Prishtinë, Shtabi Krysor i kryengritjes me Hasan Prishtinën në krye , më 4 gusht kaloi nga Prishtina në Ferizaj, vend tradicional i tubimeve shqiptare të Kosovës. Ndërkohë në marrëveshje me shtabin, nga Gjilani në drejtim të Ferizajt u nisën rreth 5.000 kryengritës të Kazasë së Gjilanit të prirë nga Idriz Seferi, Mendu Beun i Shkupit, Sali Aga, Ram Pozhorani e të tjerë. Idriz Seferi kishte deklaruar se së shpejti nën flamurin e tij do të gjendeshin rreth 15.000 vetë, duke llogaritur këtu edhe kryengritësit e anës së Kumanovës dhe të Preshevës. Ky manovrim i Shtabit Kryesor dhe i forcave kryengritëse drejt Ferizajt pati efektin e vet dhe u prit me shqetësim në qarqet qeveritare në Stamboll. Më 5 gusht, u bë shpërndarja e Parlamentit dhe kësisoj ra Qeveria e Gazi Myhtar Pashës, për t’u formuar qeveria e re e Qamil Pashës.
Edhe pas ndryshimeve në kreun e shtetit osman, po vazhdonte ardhja edhe e mijëra kryengritësve nga të gjitha viset e Vilajetit të Kosovës dhe vendosja e tyre kryesisht në fshatrat e rrethinës së Ferizajt, Lipjanit dhe Moravës së Epërme (Kazaja e Gjilanit), të gatshëm që, në rast të mospërmbushjes së kërkesave, në shenjën e parë të niseshin në drejtim të Shkupit. Konsulli serb, më 5 gusht, theksonte se Bajram Curri kishte deklaruar se rreth 50.000 kryengritës ishin të gatshëm në çdo moment të marshonin drejt Shkupit. Ndërkaq në rrethinën e Shkupit do të tuboheshin edhe rreth 20.000 të tjerë. Nëse nuk do të plotësoheshin kërkesat e shqiptarëve, atëherë drejt Selanikut do të mund të marshonin më se 120.000 kryengritës të armatosur. Duhet thënë se dissiplina e fortë e kryengritësve dhe respekti ndaj udhëheqësve të tyre i kishte mahnitur korrespodentët e gazetave ballkanike e evropiane. Meqenëse një pjesë e kryengritësve akoma ishte pa armë, Bajram Curri mori përsipër për t’i nxjerrë një sasi armësh nga depot ushtarake të Ferizajt dhe njëherësh i shkruante mikut të tij, Mustafë Agë Sylejmanit, në Gjilan që sa më parë të siguronte një sasi armësh dhe municion nga Serbia. Meqenëse që nga fillimi i kryengritjes Serbia ishte furnizuesja kryesore e këtyre anëve me armë dhe municion.
Ndërkohë edhe në pjesën Juglindore të Kosovës, në Kaza të Preshevës dhe të Kumanovës, prej nga, parashihej marshimi i një pjese të kryengritësve drejt Shkupit, po vazhdonte koncentrimi i kryengritësve nga ajo anë dhe nga rrethet fqinje. Grupe kryengritësish të armatosur nga Morava e Poshtme (Kazaja e Gjilanit), po shkonin në Bujanoc, për t’u bashkuar me kryengritësit e asaj ane. Kështu më 12 gusht në Bujanoc gjendeshin rreth 1.000 kryengritës nga Morava e Poshtme, të gatshëm që së bashku me ata të Preshevës dhe të Kumanovës, të nisen drejt Shkupit. Ndërkaq grupi prej 1.000 kryengritësish të armatosur nga rrethina e Bujanocit, që nga ditët e para të gushtit ishte përqëndruar në Preshevë, ku po priste urdhrin nga Prishtina për marshim. Sipas konsullit serb në Shkup, ky grup, për ato ditë po e rrezikonte më së tepërmi Shkupin. Lidhur me rrethimin e Shkupit, ekzistonte plani që Salih Aga i Gjilanit, me rreth 2.000 kryengritës gjilanas dhe të kazave fqinje të nisen për Qyprili (Veles). Sipas planit të skicuar të marshimit , disa njësi të tjera të anës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Rashit Llashticës e të tjerë duhej të depërtonin nga ana e Karadakut nëpër një terren të vështirë.
Derisa po pritej përgjigjja, rreth kërkesave të përpiluara në Kuvendin e Ferizajt, i cili në formë Memorandumi, më 9 gusht, i’u dorëzua mareshal Ibrahim Pashës, duke i dhënë afat prej 48 orësh për përgjigje. Ndërkohë Isa Boletini dhe Idriz Seferi i kishin dhënë fund hartimit të planit strategjik për çlirimin e Shkupit dhe çdo gjë ishte e gatshme për marshim, vetëm pritej rezultati i bisedimeve në Ferizaj. Këto ditë filloi të këndohej Marshi i Shkupit:
“Me flamur, me hutë n’dorë
Për me bamun luftë arbënore,
Bini ju shqiptarë, ore,
Gjithë Europa të na njohë!”
Ushtria kryengritëse shqiptare depërtoi në Shkup sipas planit të paraparë, nëpër Grykën e Kaçanikut dhe nga ana verilindore nëpër Karadak. Që nga ditët e para të gushtit grupe të vogla kryengritësish të armatosur qarkullonin në afërsi të Shkupit, ndërsa më 5 gusht hyri grupi i parë i armatosur, prej 100 vetash. Ndërsa grupi i dytë prej 200 kryengritësish të anës së Gjakovës të udhëhequr nga Bajram Daklani, Zefi i Vogël e të tjerë, arriti me tren nga Ferizaj, në mesditë, më 11 gusht (e diel), në Shkup pa hasur në rezistencë. Të gjithë hynë në qytet duke kënduar dhe shëtisnin të armatosur.
Pasi që Qeveria osmane nuk dha përgjigje deri në mbrëmje të 11 gushtë rreth “14 pikave” të Hasan Prishtinës, të nesërmen, më 12 gusht (e hënë), filloi marshimi i ushtrisë kryengritëse drejt Shkupit-qendrës së Vilajetit të Kosovës. Grupi prej 1.200 shqiptarësh të armatosur me pushkë u nisën me trenin e mallrave (26 vagonë),nga Ferizaj për në Shkup, ku hynë duke kënduar e brohoritur dhe u vendosën nëpër shkolla e shtëpia private. Ndërkaq, forcat kryesore të ushtrisë kryengritëse, prej disa mijëra vetash, nën udhëheqjen e Bajram Currit,Idriz Seferit, Isa Boletinit, Riza Kryeziut, Ramadan Zaskokut e të tjerë në mbrëmje të 11 gushtit, ishin nisur nga Ferizaj në drejtim të Shkupit, nëpër Moravën e Epërme në dy kolona, njëra nëpër Komogllavë dhe tjetra nëpër Sllatinë. Pjesa dërmuese e luftëtarëve ishin nga Kazaja e Gjilanit (kryesisht nga Morava e Epërme), Gjakova, Peja, Luma dhe Mitrovica. Kryengritësit e anës së Prizrenit dhe të viseve tjera nga Ferizaj ishin nisur më 12 gusht, duke shkuar anës së djathtë të Lepencit, që të bashkohen me kryengritësit e Tetovës në Grykën e Kaçanikut. Kryengritësit e Tetovës që nga 22 korriku kishin zënë pozitat në afërsi të Kaçanikut, ku po i pritnin kryengritësit e viseve veriore. Ndërkaq Mehmet Pashë Dëralla dhe Jahja Pasha i Prizrenit kishin shkuar me tren nga Ferizaj në Shkup. Më 12 gusht, dy kolonat kryesore mbajtën një këshillim ushtarak në fshatin Smirë, ku u përcaktuan drejtimet e marshimit të mëtejmë. Kështu që forcat ushtarake, të ndara në kolona më të vogla, me udhëheqësit e tyre, do të lëshoheshin drejt Shkupit nepër Karadakun e Shkupit. ( në fusnotë: Sipas të përjavshmes “Shkupi”, në Shkup hynë B. Curri me 5.000 pushkë; Riza Beu me 7.000 pushkë; Salih Aga i Gjilanit me 1.000 pushkë. “Shkupi”, më 19 shtator nr.33) Kryengritësit depërtuan në Shkup e rrethinë pa hasur në rezistencë të ushtrisë osmane. Gjatë 13 e 14 gushtit, në Shkup hynë grupe të mëdha prej mijëra kryengritësish të armatosur me udhëheqësit e tyre dhe u pritën nga qytetarët e Shkupit në mënyrë solemne, me flamuj e këngë . Më 14 gusht, Bajram Curri i liroi nga burgu më se 1.000 të burgosur , në mesin e të cilëve kishte edhe disa serb. Më 15 gusht, në Shkup ishin tubuar thuajse të gjithë udhëheqësit e kryengritjes nga Kosova; Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Riza Bej Kryeziu, Hasan Hyseni i Budakovës, Jahja Aga i Prizrenit, Mahmut Zajmi, Zefi i Vogël etj. përpos Hasan Prishtinës, i cili ende ishte me komisionin qeveritar në Prishtinë. Më 16 gusht, ai së bashku me Ibrahim Pashën dhe Valiun e Kosovës arriti në Shkup. Po në këtë ditë Bajram Curri i liroi nga burgu më se 1.000 të burgosur.
Më 14 gusht, një grup prej 1.000 kryengritësish të Kazasë së Gjilanit, të Preshevës dhe të Kumanovës, të prirë nga Salih Aga i Gjilanit, hyri pa luftë në Kumanovë, me ç’rast populli i kishte përgatitur pritje madhështore. Në mbrëmje Sali Aga i hapi dyert e burgut dhe liroi të gjithë të burgosurit. Sipas gazetës serbe “Glas Naroda”, pas çlirimit të Kumanovës, grupi prej 6-7.000 kryengritësish nga Kazaja e Gjilanit, Preshevës dhe Kumanovës, të udhëhequr nga Salih Aga dhe prijës të tjerë, nën përcjelljen e muzikës, arritën me tren prej Kumanovës në Shkup.
Forcat kryengritëse që hynë në Shkup ishin rreth 30.000 veta, ndërsa një numër ishte i vendosur edhe në fshatrat përreth,.kështu, për shembull në fshatin Badoc ishin vendosur rreth 3.000 kryengritës. Meqenëse një numër kryengritësish ishin pa armë, u desh të thyhen portat e depove ushtarake për të siguruar një sasi armësh. Pas çlirimit të Shkupit dhe të qyteteve të tjera shqiptare, tërë administrata osmane në Vilajetin e Kosovës ishte paralizuar dhe shqiptarët çdokund ishin zotërues të situatës. Konsulli serb në Shkup, në raportin e 18 gushtit njoftonte se ndër kryengritësit mbretërontë një disiplinë e rreptë sa i përket mbajtjes së rendit dhe të qetësisë dhe se autoriteti i udhëheqësve ishte në nivel të lartë. Njëkohësisht, gazetat e kohës shkruanin se për rendin dhe qetësinë në Shkup po kujdeseshin vetë kryengritësit, duke caktuar patrulla të posaçme, të cilat qarkullonin ditë e natë rrugëve të qytetit, prandaj gjendja ishte e qetë dhe se kjo nuk ishte pritur në një rrëmujë të tillë. Siç mund të shihet, këtë realitet e pranonte edhe shtypi më ekstrem i shteteve fqinje.
Kryengritja shqiptare, lufta me Italinë, kryengritja në Jemen si kundër edhe lufta ballkanike që ishte në prag, bëri që Perandoria Osmane të gjendej në një situatë të rëndë .Qeveria osmane, më në fund ,më 18 gusht të vitit 1912, njoftoi opinionin se i pranonte kërkesat e shqiptarëve. Pranimi i koncesioneve ndaj shqiptarëve ishte rezultat i konditave të reja të krijuara nga rreziku që po i kanosej këtyre territoreve nga shtetet e Aleancës Ballkanike, e cila ishte kundër njohjes së autonomisë shqiptare. Kjo i shtyri udhëheqësit e kryengritjes shqiptare që me luftëtarët e tyre të largoheshin nga Shkupi, për të organizuar me kohë mbrojtjen e viseve të tyre nga fqinjët grabitqarë.