Jehonës së kushtrimit të Kosovës, për mbrojte të Atdheut, dinjitetit, moralit e shqiptarizmës, djelmoshat me zemër titaniku e të prirë me Yllin e Lirisë, ia bashkëngjitën fuqishëm, pushkën e lirisë. Ai çast i gëzuar për ta, ajo orë e bekuar kishte ardhur.
Andaj ngjeshën armët dhe u betuan, se pa vdekur ne, armiku këtej nuk do të kalojë. Dhe ashtu u bë, ashtu ndodhi.
Që nga fillorja, pastaj shkolla e mesme e Shkolla e Lartë Pedagogjike u brumosën me idetë liridashëse ngase vinin nga familje atdhetare, nga vendi ku paraardhësit e tyre trima nuk u kishin nënshtruar kurrë pushteteve të huaja.
Në shtëpinë e Faikut, Rasimit, Besimit shokëve e miqve të tyre e bashkëveprimtarëve flitej për qëndresën e burrave shqiptarë në burgjet e armikut, për trimëritë e djemve e vajzave shqiptare të çdo periudhe historike.
Në mesin e vitit 1998, Sherifi, Enveri e shokë të tjerë, ishin nisur t’i bashkëngjiten UÇK-së, në Zonën e Drenicës por pasi u konsultuan me disa eprorë të lartë të UÇK-së, bashkërisht, vendosen që të kthehen, të punojnë dhe ndihmojnë në zgjerimin e ZOK-ut, sepse organizimi i UÇK-së edhe në këto pjesë ishte bërë domosdoshmëri.
Si të ri që ishin në fillim u kishin dhënë detyra, për grumbullimin e armëve, mbajtjen e lidhjeve të korridorit të Zonës Operative të Karadaket me Preshevë, Bujanoc, bartjen e ushtarëve të plagosur, blerjen edhe bartjen e armatimit për ZOK etj. Por këto punë atyre u dukeshin të vogla dhe kishin kërkuar që të jenë në vijën e parë të frontit.
Sherifi pas një javë stërvitjeje në Shqipëri kalon në Zonën e Pashtrikut.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe pas transformimit të UÇK-së, Sherifi, Enveri, Sadiku, Jetoni, Shefketi e të tjerë patën fatin të bashkohen përsëri në Dardanë. Këta vendosën që të mos heqin uniformën e UÇK-së dhe mos t’i lëshojnë armët nga dora, sepse ishin betuar njëherë, që do të luftojnë deri në çlirimin e plotë të të gjitha trojeve shqiptare.
Kështu në fund të qershorit të vitit 1999, në Breznicë formohet njësiti ushatarak nga djemtë trima të fshatit të udhëhequr nga Sherifi dhe Enveri.
Në kuadër të këtyre, ata vëzhgonin e kontrollonin përgjatë vijës kufitare të gjitha fshatrat e Malësisë (nga Tërnoci, Maltërnoci, Ushi, Gjergjeci, Novosella e Epërme, Suharrna, Zarbica, Priboci e deri te Terstena), sikurse merrnin edhe informacione për forcat policore e ushtarake serbe, e për ndonjë njeri që kishte mundësi të lajmëronte policinë e ushtrinë serbe për lëvizjet e dhe për përgatitjet që bënin djemtë për fillimin e luftës.
Ky njësit ushtarak ishte pararendës i themelimit të Brigadës 112 dhe të UÇPMB-së për Malësinë e Bujanocit.
Policia dhe ushtria serbe duke më 28 shtator ( e mërkurë) 1999, kishin organizuar një bastisje në këtë fshat, Sherifi u ik nga duart dhe më pas i armatosur ua nxë rrugën dhe i detyron të ndërrojnë drejtimin.
“Sherifi ka qenë i veçantë, ka qenë trim që s’ka ditë se çka është frika. I tillë ka qenë edhe Enveri, bile Enveri ka qenë tepër kokëfortë”- thotë Xhaviti.
Duke mos mund t’i durojnë më: Sherifi, Enveri e Sadiku, në natën e 20 prillit 2000, armatosen dhe nisen drejt Gjergjecit, pik[ dhe çerdhe të kriminelëve: paramilitarëve e policëve serbë, që t’i largojnë nga Gjergjeci.
Nga zjarri i trimave e nga paniku policët kishin kërkuar edhe përforcime. Dhe në këtë luftë të pabarabartë, Sherifi e Enveri, këta luftëtarë të mëdhenj bien në altarin e lirisë.
Pas rënies së tyre heroike, radhët e UÇPMB-së filluan të shtohen me të madhe, ndërsa në shenjë respekti dhe përkushtimi për luftën heroike të tyre, brigada 112 u emërua me emrin e dy dëshmorëve: “Sherif Jonuzi dhe Enver Bajrami”.
Vdekja e tyre nuk ishte ligështi, as për shokët as për familjarët, por ishte krenari e forcë për të vazhduar rrugën e tyre deri në lirinë e plotë. Këtë e dëshmon vazhdimi i luftës i vëllait të Enverit – Shabani dhe shokut të tyre Besimi edhe pas marrëveshjes për demilitarizimin e rajonit, sepse ata nuk mund ta pranonin robërinë, nuk mund ta shkelnin betimin e dhënë, se për çlirimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin e tyre do të luftojnë deri në vdekje. Shaban Bajrami ishte i bindur se lufta nuk ka përfunduar ende dhe për këtë e vazhdoi deri në frymën e fundit. Kështu më 7 mars 2003, Shabani së bashku me Besimin e me shokë të tjerë, nisen drejt punkteve policore në kufi me Kosovën, por te vendi “Çezma e Eminit” afër Konçulit, përballen me forcat policore pushtuese serbe. Në këtë luftë të pabarabartë në armatim e numër, nuk tërhiqen nga istikamet por luftojnë deri sa vriten nga plumbat e armikut.
Sot këta dëshmorë: Sherif Jonuzi, Enver e Shaban Bajrami dhe Besim Xhemaili janë përjetësuar në mermer në fshatin Breznicë. Ata reflektojnë rreze lirie, japim mesazhe se lufta duhet të vazhdohet deri në çlirimin përfundimtar.
Lavdi dëshmorëve të kombit Sherif Jonuzi, Enver e Shaban Bajrami dhe Besim Xhemaili!
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Ismet Tafili, 21. 04. 2017