Shkruan: Sabit Rrustemi
(Rreth poemës “Prushi i bukurisë”, edituar dhe nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2015)
Të dhëna paraprake
Anton Nikë Berisha, i pranishëm në letrat shqipe nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, njihet kryesisht si studiues i letërsisë, i folklorit po edhe si romansier i shquar. Si poet, njihet më pak, ani pse libri i tij i parë “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” (1970) ishte pikërisht libër me poezi për fëmijë dhe botohej në shënimin e 500 vjetorit të vdekjes së kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ngjarje e madh kjo për historinë e popullit shqiptar e më gjerë.
Më pas, katalogut të veprave të letërsisë shqipe për fëmijë do t’i shtohej edhe përmbledhja e dytë poetike, “Pilivesa e flakëruar” ( 1980 ).
Tridhjetekatër vite më pas, më 2014, Anton Nikë Berisha, shpërfaqet suksesshëm me poemën poetike përkushtuese për Nënën Terezë, “Ujëvarë drite në zemër” ( 2014 ) , që, fillimisht botohet dhe përurohet në gjuhën italiane e, fill më pas, edhe në gjuhën shqipe, libër që pasoi me disa ribotime.
Një poemë unike dhe tejet e arrirë artistikisht, do thosha, që më shumë se vetë autorin, madhëron figurën e Shenjtores, Nënës Terezë. Libër që, bëri jehonë veçmas në qarqet letrare e kulturore italiane.
Po këtë vit, ky autorë ndër më prodhimtarët në mbarë letërsinë shqipe, solli dhe një përmendore tjetër letrare, tash për magjinë e së madhërishmes – Fjalës. “Prushi i bukurisë” ( 2014 ) u botua njëkohësisht italisht dhe shqip. Natyrisht, si poemë e rrallë për bukurinë e fjalës, nuk mbeti margjinave, as në Itali e, as në Kosovë e Shqipëri. Libri bëri bujë, si për nga mënyra e qasjes, ndërtimi i poemës dhe figuracioni i dendur artistik.
Kjo bujshmëri e rrallë letrare në këtë fillim të shekullit XXI kur, duket sikur poezia nuk është aq në hap me kohën, ndikoi që, bashkë me një numër vështrimesh të shkruara për të, libri të ribotohet dhe në Kosovë nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, duke sjellë jo vetëm poemën por, edhe një pjesë të atmosferës së pritjes së kësaj poeme në gjuhën italiane nga poetë e studiues të shquar të Gadishullit Apenin po, edhe shqiptar.
Dy librat poetikë për të rritur, “Ujëvarë drite në zemër’ dhe “Prushi i bukurisë”, në vitin 2016 do të pasohen dhe nga libri i tretë poetik i këtij autori: “Frymësi e fjalës”, libër që fuqizon Anton Nikë Berishën edhe si poet.
Fjala si kryepersonazh i një poeme
Duke u përpjekur për të mos i përsëritur gjithë ato vlerësime kryekëput pozitive për këtë libër poetik e, që nuk janë të pakta, si nga ana italiane, ashtu dhe nga studiuesit e kritikët tanë,
mund të them pa farë dileme se “Prushi i bukurisë”, në qenësi është një poemë eseistike për Fjalën. Fjalën po e shkruaj me shkronjë të madhe se, njëkohësisht është dhe kryepersonazh i kësaj poeme, titulli i së cilës është metafora qendrore e librit, rreth të cilit thuren deri në piedestal, të gjitha ato figura artistike e që nuk janë të pakta. Fjala, trajtohet poetikisht të thuash në të gjitha dimensionet e saj dhe, nga të gjitha këndet e gjysmëkëndet. Të thuash, në mënyrë shteruese. Autori gati nuk lë kurrgjë pa thënë sa i përket Fjalës. Të gjitha epitetet apo krahasimet e mundshme i identifikon dhe i përmbledh e ia mvesh kësaj Përmendoreje.
Je drita e Hyjit që pareshtur lind
nga hiri dhe forca e besimit
dhe ngadalë bie në zemrën e secilit
apo
Je himn i mrekullive që ndodhin
në brendësinë tonë edhe jashtë nesh –
psalm i urtësisë dhe i besimit të mirëfilltë
po dhe
Je prush i heshtur që i ngroh
pejzat e shpirtit që përherë gjakojnë
plimin e rrezeve në fillesë të agut,
I tërë ligjërimi poetik – eseistik artikulohet në veten e dytë njëjës dhe, udhërrëfyese e kësaj poeme përkushtuese mbetet folja “Je”. Duke i shijuar të gjitha ato pamje të bukura që krijohen falë figurave të bollshme artistike që përdorë autori, lexuesi, i magjepsur nga ngjyrshmëria e pashtershme e Fjalës, “harron” shpesh se, bëhet fjalë, pikërisht për Fjalën. Përbrenda fjalës ai sheh vashën, të dashurën, hyjneshën, të bukurën, orën e malit, ëndrrën e jetës…. e ç’nuk sheh përmes fjalës, e cila sa është e ëmbël, po aq mund të jetë e hidhur, sa është e afërt dhe e butë, po aq mund të jetë e largët dhe e vrazhdë, sa është e bujshme e shkundulluese, po aq mund të jetë e vetme, e heshtur dhe e ftohtë, akull.
Një sonet tjetër
“Prushi i bukurisë” përbëhet prej katërmbëdhjetë njësive poetike, ndërsa prej vargut të parë të secilës njësi, krijohet në fund kurora apo akrostiku që, ndodh vetëm te kurorat sonetike.
Po, a është dhe a mund të quhet kjo poemë edhe kurorë sonetike për Fjalën?
Në dukje të parë, asnjë njësi nuk e ka formën klasike të sonetit, katërmbëdhjetë vargëshin, rimën dhe strofat dyshe në katër vargje apo dyshet e fundit me nga tri vargje. Po, nuk e ka as formën e sonetit petrarkian apo dhe të sonetit të bardhë, pa rimë.
Faktikisht kemi të bëjmë me një sonet tjetër që thyen rregullat paraprake dhe, përmes akrostikut apo magjistralit, i vë kurorën poemës dhe, pashmangshëm ia jep formën e një kurore sonetike ndryshe çfarë e kemi pasur dhe njohur deri më sot.
Mendoj se, edhe kjo është një e veçantë e kësaj poeme dhe, një cilësi e re, përveç mbarështrimit mjeshtëror artistik nga ana e autorit.
Si përmbyllje
Anton Nikë Berisha, përmes poemës eseistike “Prushi i bukurisë” rrëzon përfundimisht paragjykimet se një studiues letërsie nuk mund të jetë dhe poet i mirë. Ai, njëjtë si romansier qoftë për të rritur apo për fëmijë, shquhet tashmë edhe si poet i dëshmuar dhe tejet i vlerësuar.
Poema “Prushi i bukurisë” jo vetëm për nga mbarështrimi artistik, por edhe për nga qasja, nga ndërtimi dhe nga mënyra e shqiptimit lirik, del të jetë ndër poemat më të vlerësuara të poezisë sonë, duke i përjetuar madje tri ribotime brenda një periudhe relativisht të shkurtër.
Kjo poemë është dhe një dëshmi se “koha e poezisë” së mirë asnjëherë nuk zbehet.
Gjilan, shkurt 2017