KULTURA

Me ekspozitë fotografish, shfaqjen e dokumentarit dhe programe artistike, kujtohet edicion i parë i “Flakës së Janarit”

Me ekspozitë fotografish, shfaqjen e dokumentarit dhe programe artistike, kujtohet edicion i parë i “Flakës së Janarit”

Gjilan, 11 Janar 2023  –  Me emërtimin e saj metaforik “Flaka e Janarit” nisi rrugëtimin e saj në shënimin e dhjetëvjetorit të vrasjes të atdhetarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës e në tetë vjetorin e vrasjes së Rexhep Malës e Nuhi Berishës duke u bërë një manifestim kulturor nderimi dhe kujtimi për të gjithë ata që kanë bërë sakrificën përfundimtare në shërbim të vendit të tyre.

Edicioni i parë i “Flakës së Janarit” u nis më 18 Janar 1992 në trekëndëshin Bresalc-Gjilan-Përlepnicë, e në nderim të kësaj, aktivitetet e  ditës së parë të “Flakës…” së këtij viti kanë vazhduar në Bresalc, “Te Mejtepi”, dhe në Përlepnicë në “Shtëpinë e Kulturës”, ku në kujtim të nismës së këtij manifestimi kulturor, u shfaqën: dokumentare, u ekspozuan fotografi dokumentuese dhe u dhanë programe artistike.

Në Bresalc, i pari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni tha se ndodhemi “Në Mejtepin” ku ka filluar manifestimi mbarëkombëtarë “Flaka e Janarit”, ndërkohë që përveç Bresalcit, në kuadër të këtij edicioni  të 32-të, do të shkojmë edhe në Përlepnicë  për të kujtuar dhe përkujtuar edhe një herë fillimin e manifestimit mbarëkombëtar të “Flakës…”.

“Unë besoj se është tepër e rëndësishme që përveç ruajtjes së traditës së manifestimit “Flaka e Janarit”, t’i kthehemi edhe bazës edhe arsyes së organizimit të këtij manifestimi mbarëkombëtarë,  ku përveç përkujtimit të atyre që kanë rënë edhe atyre që janë angazhuar për lirinë tonë, ne po kthehemi edhe tek historia që ta transmetojmë te brezat që vijnë pas nesh”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai shtoi se manifestimi i këtij viti i “Flakës së Janarit”, ka edhe risi të tjera, përveç kthimit në gjenezën e organizimit,  dhe në këtë formë, edhe me elemente të reja, me rikujtim dhe ruajtje të bazës së organizimit, po vazhdojmë traditën e organizimit të “Flakës…”.

Ndërsa, njëri ndër themeltarët e këtij Manifestimi, Shemsi Syla, ka folur për organizimin e këtij manifestimi kulturor, asokohe, duke sjellë në kujtim historikun e manifestimit të “Flakës…”, dhe ka vlerësuar kreun e komunës së Gjilanit që ka ndërmarrë këtë nismë për ta rikthyer në kujtesën tonë, një nismë shumë simbolike, por edhe tejet të rëndësishme të përkujtimit të heronjve dhe dëshmorëve të rënë, që ishin bartës të lëvizjes kombëtare për çlirim.

Syla ka thënë se ky ambient sado i vogël u bë vatër për të përkujtuar, përmes manifestimit që mori edhe emrin “Flaka e Janarit”, përherë rënien sublime të heronjve të kombit.

Po ashtu njëri ndër themeltarët e këtij Manifestimi, Bujar Nevzati ka evokuar kujtime nga organizimi i këtij manifestimi ndër vite, duke i vlerësuar të gjithë ata që kanë kontribuar në themelim, por edhe në organizim të “Flakës…”, ndër vite.

Nevzati tha se “Flakën e Janarit “, e themeluan si një manifestim kulturor, por ajo me potencialin e saj e përhapi edhe idenë e çlirimit  të Kosovës, gjë që edhe u bë.

Nevzati shtoi se, edhe pas luftës, për më se dy dekada, kjo “Flakë…”  vazhdoi të mbetet e ndezur duke jetuar në të gjitha trojet shqiptare, duke i falur Gjilanit dhe Kosovës, një muaj aktivitet kulturor, në nderim të të rënëve për liri.

Ndryshe, aktivitetet e “Flakës…”, vazhdojnë sot me muzikë për fëmijë, ndezjen e Flakadanit të Flakës dhe muzikës për të rinj.

Për më shumë fotografi: https://www.facebook.com/photo/?fbid=509290037973663&set=pcb.509292204640113

You Might Also Like