Libri

NGJYRAT E POEZISË SË SHERAFEDIN KADRIUT

Timo MËRKURI

NGJYRAT E POEZISË SË SHERAFEDIN KADRIUT

( Për librin me poezi në dorëshkrim të shkrimtarit Sherafedin Kadriu, KUR VDESIN NGJYRAT )

Bashkë me dorëshkrimin e librit “Kur vdesin ngjyrat”, më erdhi lajmi se Sherafedin Kadriu po përballet me një sëmundje të rëndë, një përkim që më ngarkoi me një ndjesi të thellë reflektimi mbi poezinë e tij, për ta lexuar jo thjesht si një rrugëtim krijues, por së pari si një përballje e poetit me kohën, kujtesën dhe ngjyrat e jetës. Në këtë libër Kadriu ka përfshirë dymbëdhjetë cikle poetike, secili një univers më vete, i pasur me simbole, kontraste dhe ngjyra që pulsojnë nëpër vargje si dritë e zbehur në muzg. Megjithëse titulli i librit shpall vdekjen e ngjyrave, në asnjë poezi nuk gjendet ky akt fatal; ai ndjehet në sfond, në peshën e heshtur të fjalëve, në tensionin midis dritës dhe errësirës. Ndjejmë se në poezinë e Kadriut, ngjyrat nuk janë thjesht elemente vizuale; ato janë frymëmarrja e shpirtit, pasioni i brendshëm dhe shenja e ekzistencës. Nëse ato vdesin, zbrazëtia që mbetet është më shumë sesa një humbje fizike; është shuarja e një bote ndjesish, shpresash dhe kujtimesh kolektive. Kështu, poeti nuk e shpall vdekjen e ngjyrave si një akt përfundimtar, por e lë atë të ndodhë dalëngadalë, në një zhdukje të ngadaltë që lexuesi e përjeton me secilën poezi.

Poezia e Kadriut në thelb është një sfidë për kohën, një betejë mes ngjyrës dhe zbehjes, mes kujtesës dhe harresës, mes jetës dhe vdekjes. Në vargjet e tij, ngjyrat, si njerëzit përpiqen të mbijetojnë, të ndriçojnë përtej rrjedhës së kohës. Ndjej se duke lexuar këtë libër, nuk jemi më thjesht lexues, por bëhemi pjesëmarrës në një akt bashkëkrijimi, ku çdo fjalë e varg zgjon një nuancë, një kujtim, një melodi që endet midis vargut dhe heshtjes. Sherafedin Kadriu na fton të largohemi nga leximi linear dhe të ndjekim rrjedhën e ngjyrave në ciklet poetike, të ndiejmë melodinë e vargut të tij, që herë shfaqet si një përqafim i butë, e herë si një klithmë kundër zbehjes së botës.

Sigurisht që duke e titulluar librin “Kur vdesin ngjyrat”, poeti nuk shpall një fund, por hap një rrugëtim, madje një rrugëtim të bukur mes ngjyrash, si nëpër rruhët ku lulojnë shumësi lulesh, mbjellë nga njeriu. Te ky vëllim poetik ndjejmë se një botë që ka humbur ngjyrat e saj nuk është një botë e shuar, por një botë që kërkon të rikrijohet, të rindërtohet përmes leximit, përmes ndjesisë, përmes kujtesës. Kadriu na fton në këtë rrugëtim, ku ngjyrat nuk janë vetëm për t’u parë, por për t’u ndjerë, për t’u mbajtur gjallë në kujtesën tonë. Duke e lexuar poezinë e tij nën dritën e këtij titulli, zbulojmë një univers ku ngjyrat mbijetojnë përmes vargut, ku kujtesa personale e kolektive mbetet një paletë e larmishme, edhe kur koha përpiqet ta zbehë atë. E parë në këtë gjerësi ndjejmë se poezia e tij nuk është thjesht pasqyrim i realitetit, por një luftë për ekzistencë, një poezi që nuk dorëzohet para harresës, por e sfidon atë, një poezi ku ngjyrat, edhe kur “vdesin”, lënë pas hijen e tyre të pashlyeshme në vargje. Në këtë mënyrë, Sherafedin Kadriu na ofron poezinë ku qysh në nisje ndjehemi bashkëkrijues, një poezi ku ngjyrat edhe kur nuk shihen, ndihen e përjetohen.

I-Poezia e Sherafedin Kadriut, e organizuar në dymbëdhjetë cikle me ngjyrat në qendër të saj , nuk është poezi e përshkrimit të drejtpërdrejtë të ngjyrave p.sh. e verdhë, e kuqe, blu etj. por e një bote shpirtërore dhe historike, ku ngjyrat shërbejnë si simbole të gjendjeve emocionale, kujtesës, lirisë dhe humbjes. Ngjyrat në këtë libër nuk janë elemente estetike, por janë struktura simbolike mbi të cilat ngrihet poetika e tij. Ato janë metafora të përvojave njerëzore, të historisë, të përplasjes mes dritës dhe errësirës, shpresës dhe zhgënjimit, ekzistencës dhe mungesës. Duke mos përmendur ngjyra të veçanta, përveç së zezës, ai i lë lexuesit hapësirën për t’i ndjerë dhe përfytyruar ato vetë mga lexuesio. Kështu, duke parë titujt e cikleve, vërejmë një lëvizje të vazhdueshme mes lindjes, transformimit dhe zbehjes së ngjyrave:
1. Titulli ciklit “Ngjyrë legjende” nuk është thjesht një togfjalësh zbukurues, por një sintezë poetike e qasjes së Kadriut ndaj historisë dhe kujtesës kombëtare. Kjo “ngjyrë” nuk ka një pigment të vetëm, ajo shfaqet e dendur, e ndryshueshme, herë flakëruese si eposi, herë e murrët si plaga e historisë. Ngjyra këtu nuk është veç pamje, por frymë, thelb i rrëfimit që shkrin mitin dhe realitetin, duke krijuar një botë ku e kaluara nuk trepet si hije, por rri si gur i gdhendur në shpirtin e kohës.

a.
Kështu p.sh.,te poezia “Hije pa diell”, hijeve u mungon burimi i dritës, por jo fuqia. Ato rrokin hapësirën dhe kohën, mbeten përherë në syth të kujtesës: “Pa shikimin kah perëndimi /Dymijë vjet kemi parë hije pa diell” ku drita e munguar (e perëndimit) është refuzimi i dijes për ta ndriçuar një popull, një komb. Kujtoni vargun naimian: “O dritë e diturisë që lind nga perëndon”.

b.
Në vazhdim të qartësimit të mendimit shohim poezinë “Hakmarrja e baladës”, ku hakmarrja s’është vetëm akt, por ritëm i pashuar i kohës, i shtresuar si rrudhat në fytyrën e historisë: “Vitet paloheshin në hakmarrjen e baladës / Me do lot legjende/Njëherë e mirë” ku vargu shpalos një ndjenjë fatalizmi dhe një lloj cikli të mbylkluir të vuajtjes dhe kujtesës Kujtesa nuk është veçse një dhembje që përsëritet, një rrëfim që nuk shuhet, por nëpër kohë. Mjeshtëria e poetit qëndron në mënyrën si e ndërton këtë lidhje midis rrëfimit epik dhe tragjedisë historike.

c.
Mund të lexojmë dhe poezinë “Mjeshtëria e Musë Tomakut”, ku legjenda gërshetohet me artin, ndërsa guri bëhet metaforë e shpirtit të qëndrueshëm shqiptar: “Guri âsht si njeri biro” Si te mitet e urave dhe kështjellave, guri mban brenda vetes fatin e njerëzve dhe vetëdijen e kohës. Këtu poeti i jep gurit shpirt, e bën të flasë, të zgjedhë vendin e tij, të rrojë si një qenie që ka shpirtin e tokës, me një fjalë e legjendarizon.

2.
Titulli i ciklit “Kundër ngjyrave” nuk duhet kuptuar si refuzim i ngjyrave në kuptimin literal , fizik, por si kundërshti ndaj standartizimeve, etiketimeve, ideologjive dhe fasadave që ndajnë njerëzit në grupime të ndryshme përmes simbolikës së ngjyrave, psh “të kuqtë’, “të zinjtë” (këmishëzi) etj. Në këtë cikël, Kadriu përballet me ngjyrat si simbole ideologjish të ndryshme,hipokrizisë sociale, ndarjeve politike dhe deformimeve historike. Kështu, poezitë e ciklit lidhen me titullin në disa mënyra:

a.
Në poezinë “Titistit tim”, ngjyra përfaqëson ideologjinë ndarrëse mes enveristëve dhe titistëve, realitet që solli ndasi në historinë shqiptare, jo vetëm në Kosovë. Pavarësisht debatit të ashpër mes dy miqve, poeti pranon se “zënka jonë” nuk ka qenë kotësisht, sepse ndasitë ideologjike ishin pjesë e një rrugëtimi të dhimbshëm. Te vargjet: “Enver – sherr / Titua – ferr”, “Prapë njësoj/ Kishim qëndrim burri/Nuk lëshonim pe” dhe “Kaluan tri dekada e s’të kam parë / Kaluan tri dekada e s’jemi çmallë?!” poeti tregon se si ngjyrat e ideologjive kanë ndikuar në ndarjen e miqve (dhe popullit) dhe moskomunikimin për dekada.

b.
Në vazhdim, te poezia “Në dasmën tënde” ideja e ngjyrave shfaqet përmes flamurit, që në dasmat tradicionale simbolizon krenarinë kombëtare, por këtu bëhet referencë ironike për tri ngjyrat e flamurit (kuq, zi, bardhë), të cilat, në vend të krenarisë, kanë sjellë tragjedi dhe ndasi. ’Në dasmën tënde/nuk patët luajtur Vallen e Kaçakëve/ Valle të tjera u kërcyen” dhe “Flamur/ Tri ngjyrash shkreptinë qiellit / Terrin e patën skuqur gjak” ku poeti “refuzon” (poetikisht) të marrë pjesë në këtë “ngjyrim” dasme, pse e sheh atë si përzierje simbolike që ka devijuar nga traditat.

c.
Duke lexuar poezinë “Ua fala gjysh” ndjejmë kontrast ngjyrash në kalimin nga figura e gjyshit tradicional tek realiteti modern, ku brez i ri ka humbur rrënjët e origjinës së tij për shkak të një bote plot hipokrizi dhe interesa: “Bëjani për hajër babës/ se/ S’kam pushkë për cunga me shoka / As për ato kravata n’qafëthata” ku “cungat” që përfaqësojnë traditën e dikurshme, rebeluese për shkasin më të vogël dhe “kravatave” që simbolizojnë shoqërinë e re të sofistikuar, por të korruptuar janë në një contrast të fortë.

3.
Të ve në mendime titulli metaforik “Lakmi ngjyrash” por në fakt kjo shprehje nuk i referohet dëshirës për lakmi të vërtetë ngjyrash në kuptimin fizik, por sugjeron etje për gjallëri, ndjenja, jetë. Në kontekstin e poezisë së Sherafedin Kadriut, kjo metaforë shpreh një ndjenjë boshësie dhe kërkimi për diçka të zbehur ose humbur. Pas një rileximi ndjen se titulli merr kuptim simbolik, që shkon përtej perceptimit estetik mbi ngjyrat, pse ndjen se shpreh një lakmi shpirtërore për diçka që mungon, diçka që nuk e zotëron në momentin poetik. Poezitë e shfaqin këtë lakmi në shumë forma: dëshira për identitet, për drejtësi, për kthim në atdhe, për qëndrueshmëri morale dhe për një jetë më dinjitoze. E lexuar në këtë aspect:

a.
Ngjyrat nuk janë thjesht elemente vizuale, por bartin ndjenja të ndryshme: errësirë, mungesë, dhimbje, iluzione dhe mashtrime. Hëna, e cila shfaqet në disa poezi, çuditërisht është simbol i një lakmie të pamoralshme, e pabesë dhe kusare :”Kusar e pa besë është hëna / s’ka terzi për shtatin e saj / rrugës madhe ta zbulon fërkemin”(“Nuk është përrallë”) Hëna këtu simbolizon mashtrimin, lakminë e fshehur pas një fasade të bukur, por që nuk sjell asgjë të mirë.(Shumë lehtë kjo hënë lexohet si një risi poetike e Kadriut). Ngjyrat e lakmisë janë të errëta, të përziera me dritë të rreme, një ndriçim i gënjeshtërt që nuk e shndrit rrugën, por e bën më të pasigurt.

b.
Duke zbritur te poezia “Festa e lakmisë”, ajo shfaqet si festë e përhershme hipokrizie, ku morali humbet përballë dëshirës për përfitim: “Hapat iknin tinëz para diellit / Se lakmia festonte moralin” ku lakmia është ndjesia e njeriut që braktis moralin për hir të interesave. Në këtë cikël, lakmia nuk është vetëm personale, por kolektive, madje dhe historike. Është lakmia e të huajve për tokën shqiptare, e pushtuesve për identitetin e popullit, por edhe e vetë shqiptarëve për jetë më të mirë, për fat më të ndritshëm. Në “Shtyllat”, lakmia shfaqet në formën e patriotizmit të shitur: “Për një trohë buke / Çanim gryka e male / Shitnim patriotizmin udhëve të pa rrahura”. Poeti ironizon një lakmi të rrezikshme, atë të atyre që shfrytëzonin atdhetarizmin për përfitime personale.

c.
Lakmia shprehet si një ikje në shumë poezi të ciklit, pse lidhet me mërgimin. Te poezia “Ikim trim”, ikja nuk është një arratisje fizike, por së pari një shkatërrim ndjesor: “Pragun e shtëpisë kush e puthi vallë, / Kush tha udhambarë, / Kujt i dridhet buza, / Me lotin n’qepallë?”. Ikja këtu është e lidhur me braktisjen, me lakmi për një nivel mirëqënieje që vendi yt nuk ta ofron. Poeti e sheh këtë lakmi jo si ndjenjë të thjeshtë, por si një mallkim të shoqërisë, një peshë që e ndjek njeriun përgjatë gjithë jetës.

Pra, në thelb titulli “Lakmi ngjyrash” nuk është për bukurinë e ngjyrave, por për paradoksin e tyre. Ngjyrat janë dëshirat e njerëzve, por edhe mashtrime për ata. Lakmia për diçka të paarritshme shndërrohet në përvojë tragjike, ku ngjyrat e shpirtit treten në errësirën e hënës së pabesë. Poeti na tregon se lakmia është udhë pa kthim, një ikje e përhershme drejt diçkaje që, ndonëse ndriçon, nuk e ndrin rrugën tonë.

4.
Te cikli i katërt, duke njohur poezinë e Sherafedin Kadriut natyrshëm lind pyetja: Pse titulli “Ngjyra fëminore”? Ç’lidhje ka ky titull me poezitë e ciklit? Në ciklin poetik titulli “Ngjyra fëminore” poeti ofron një kthim në kohën e fëmijërisë, një periudhë e plot ndjesi të sinqerta, kujtime të bukura dhe një botë të përjetuar çiltërsisht e naivisht. Poezitë janë shkruar me një ndjesi të ngrohtë dhe kanë fuqinë të të tërheqin te bota për të cilën flasin. Sinqerisht ndjejmë se është gjë e bukur të rikthehemi edhe një herë në fëmini. Në këtë cikël, poeti rikrijon kujtime nga shkolla fillore, përjetimet me mësuesit, dhe ndjesitë e asaj kohe për atdheun, duke na sjellë një realitet të thjeshtë, por të ngarkuar emocionalisht. Ngjyrat në këtë cikël nuk janë thjesht vizuale, por përfaqësojnë botën ndjesore të fëmijëve, gëzimin, habinë, ndjenjat e para të drejtësisë dhe padrejtësisë. Në poezi ngjyrat shfaqen si metafora të pjekurisë, varfërisë, nostalgjisë dhe dashurisë për mësuesit dhe atdheun.

a.
Shembull konkret i kësaj lidhjeje është poezia “Mësuesit tim të parë”, ku poeti e shikon fëmijërinë përmes kujtesës së një mësuesi të dashur: “E kam takuar vonë, në pleqërinë e thellë/I fortë si ajo skamja ditëve të sundimit klasik” ku, kujtimi nuk shfaqet vetëm për një njeri, por për një epokë të tërë, për një brez që u rrit në varfëri, por me respekt të madh për dijen dhe mësuesit. Gjithashtu, në poezinë “Shqipëria e mësues Nazimit”, figura e Shqipërisë përjetohet përmes mësimeve të një mësuesi të përkushtuar, e vizatuar në tabelën e zezë të klasës, si një metaforë e thjeshtë, por me ngarkesë të madhe emocionale: “Në klasën time ishte sa tabela e zezë/Vetë mësuesi e kishte vizatuar me dorën e tij.” duke na treguar se fëmijëria nuk është vetëm kujtim i ndjenjave të pastra, por edhe i mënyrës se si kuptohej bota në atë kohë,përmes simboleve të thjeshta e të fuqishme. Është një cikël poetik që ndrin nga çiltërsia fëminore, sa që pyet veten si e ka shfaqur me kaq shumë dritë poeti në gjëndjen e tij shëndetsore.

5.
Cikli poetik “Kur grisen ngjyrat” operon me një koncept simbolik: ngjyrat që grisen, thua se janë roba apo letër a diçka e grisëshme. Kjo shprehje poetike mund të kuptohet në disa nivele:

a.
Së pari me humbjen e intensitetit dhe emocioneve, ku grisja e ngjyrave mund të nënku-ptojë një zbehje të ndjenjave, kujtimeve e idealeve. Poezia “Kur vjen pranvera” e pasqyron këtë në mënyrë të ndjeshme:“Ngjyrëvjollca ta zbulonte bukurinë e fshehur / Më mirë se profili yt i rrallë/Asnjëherë nuk guxova të të shoh përballë/Se më ike thellësive” ku kujtojmë përjetimin e dikurshëm të ngjyrave dhe ndjesive (të moshës a dashurisë) që tani janë zbehur apo fshirë.

b.
Së dyti nëpërmjet shkëputjes nga e kaluara dhe kujtimet e saj, ku “grisja” e ngjyrave përfaqëson ndarjen nga një realitet i dikurshëm i gjallë dhe plot ndjenja. Në poezinë “Unë bohemi yt”, poeti shprehet: “Në Vjeshtë / Shikimi yt nazemadh do t’i thyejë ngjyrat e dheut / Ato vetëm copash do të farfuritin harkut të ylbertë / Pa u bashkuar asnjëherë” ku, grisja shfaqet si copëtim i një bote të dikurëshme, që nuk mund të ribëhet, ribashkohet më.

c.
Së treti nëpërmjet kohës dhe shpërbërjes së kujtimeve, ku koha është faktor i rëndësi-shëm në këtë cikël. Në poezinë“Si legjendë e re”, poeti përmend sesi vargjet mund të “rrëmbehen” nga kujtesa dhe të harrohen: “Mbamendja më ka ikur shtegut të harresës” duke shfaqur harresën si një formë e grisjes së ngjyrave.

ç.
Dhe së fundi nëpërmjet dëshpërimit apo zhgënjimit, si te poezia “Hënë mos ik”, ku ndjesia e boshësisë dhe paaftësia për të ndryshuar diçka shfaqet qartë: “Unë, / as shtëpinë s’ia rrëzoj dot fqinjit tim / as shoqëri të të bëj nëpër strehë mezhdash.” ku, grisja e ngjyrave mund të kuptohet si humbje force për të vepruar ose për të mbrojtur idealet dhe ëndrrat.

Si përfundim “Grisja e ngjyrave” në këtë cikël poetik është metaforë për zhdukjen e ndjesive, iluzioneve dhe kujtimeve dhe shfaqet si proces i natyrshëm i kohës, si një pasojë e ndarjeve, apo rezultat i trishtimit dhe zbrazëtisë shpirtërore. Nëpërmjet këtyre poezive, autori krijon një mozaik emocionesh që lëvizin mes shpresës dhe dëshpërimit, mes të të kaluarës së “ndritshme” dhe të tashmes që duket më e zbehtë, më e grisur.

6.
Titulli i ciklit “Ngjyrat e vdekjes” është një metaforë që e bën vdekjen të perceptohet jo thjesht si fund jete, por si proces që lë gjurmë dhe ndryshon perceptimin e jetës. Ngjyra sugjeron se vdekja nuk është ashtu siç thuhet, vetëm e zezë, por ka variacione ndjesore dhe simbolike: hidhërim, kujtim, mungesë, ndriçim të zbehtë. Poezitë e ciklit e trajtojnë vdekjen si kalim mes hapësirave të njohura e të panjohura, duke e përshkruar me një qasje të ndjeshme.

a.
Kështu, në poezinë “Ai i miri ynë”, vdekja vjen si një ndarje e papritur dhe dhimbja shfaqet në imazhe të ftohta e të errëta: “E puthi e zeza”, thua se është një plakë e veshur me të zeza që duke e puthur të ndjerin, i shkakton vdekje. Dhembja e humbjes lidhet me kujtimet dhe me raportin e poetit me të ndjerin. Paraqitja vizuale e varrit në dimër forcon idenë e përhershmërisë së ndarjes: “Dhe varrin e rrethuar me të ftohtë/As verdhësinë e përzier me të kaltrën e mbyllur” duke dhënë një përzierje ngjyrash të bardhën e akullit, të verdhën dhe të kaltrën, por gjithsesi në një klimë të ftohtë.

b.
Në vazhdimësi, te poezia “Kush kë e sheh të fundit”, vdekja paraqitet si një mister i pashmangshëm dhe si fenomen që e sfidon arsyen: “Vetëm një lot i ftohtë qenka jeta para vdekjes” ku raporti jetë-vdekje bëhet një përballje e vazhdueshme. Poeti e përjeton vdekjen e tjetrit si reflektim për ikjen e tij ndaj shprehet me një tis të hollë ironie: “Mbase nuk e di ti/Po, ka do vjet që jam nisur/Për ta kulturuar kancerin…” kur shprehet “për ta kulturuar kancerin” është tepër ironike, pse autori e ndjen përfundimin.

c.
Po të lexosh poezinë “Jep diçka me dorën tënde” has vdekjen tek hyn në hapësirën e ëndrrës, ku kufiri mes të gjallëve dhe të vdekurve është i paqartë. Takimi me Xhelalin ndodh në një realitet të përzier midis ëndrrës dhe kujtesës “Nuk ka natë të mos shihemi”, dhe fakti që më pas nuk e sheh më në ëndërr e thellon “frikën” e ikjes:”Tashmë nuk po e shoh në ëndërr Xhelalin!” Ajo që bën përshtypje te kjo poezi dhe ky cikël është përzierja e realitetit me doket zakonore të mortit, ku edhe titulli është pjesë e tyre, me kuptimin: jep diçka për të vdekurin, që mos të të marrë me vete kur e sheh në ëndërr. Në fakt, jeta shqiptare ka qenë një marrëdhënie e përherëshme ritesh e dokesh mes dy botëve, sa që shumë prej tyre janë shndruar në norma (të detyrueshme) kanunore.

ç.
Një gjetje të bukur shfaq poeti te poezia “Kush kë e sheh të fundit”, ku përmes një imazhi kozmik, autori shfaq një largim të vazhdueshëm, ku yjet shfaqen si metafora të jetëve që fiken: “Tre yje po m’i largon/Galaktika të reja po formohen”, ku ngjyrat e dritës së yjeve dhe errësira e universit krijojnë kontrast të fuqishëm, duke i dhënë vdekjes dimension të thellë kozmik.

Megjithatë duhet të shtojmë se: në ciklin poetik “Ngjyrat e vdekjes”, pavarësisht se poeti përshkruan dhimbjen e humbjes dhe pashmangshmërinë e vdekjes, ai nuk e lë poezinë e tij të mbetet në errësirë. Në vargjet e tij, përtej trishtimit, depërtojnë fasha drite dhe ngjyra shprese, duke i dhënë poezisë dimension të dyfishtë: pranimin dinjitoz të vdekjes dhe dashurinë për jetën. Kjo dritë e ndritshme shprehet jo vetëm në përshkrimin e ndjesive të tij, por edhe në mënyrën si e lidh kujtimin për të afërmit e humbur me një lloj përjetësie shpirtërore. Kështu p.sh në poezinë “Kush kë e sheh të fundit”, ai shkruan:”Hej, shoku im,/ Për pak frymëzim nuk e tradhtoj veten,/as ty/Aty më ke/Jam nisur/Do të vijë…” duke shfaqur një përpjekje për të mbajtur lidhjen me jetën, dudke përballuar sëmundjen jo me nënshtrim, por me një dëshirë për të vazhduar të krijojë dhe të lërë diçka pas. Sigurisht që ky është një autoportret i poetit Kadriu dhe ne e admirojmë. Po kështu dhe në poezinë “Jep diçka me dorën tënde” ku fton lexuesin në një akt simbolik dhurimi, sikur të kërkojë që kujtesa dhe dashuria të shndërrohen në një veprim konkret: “Jep diçka me dorën tënde/ Për shpirtin e tij” duke dhënë mesazhin se edhe në humbje, njeriu mund të krijojë diçka që mbetet, duke e bërë vdekjen më pak të errët. Sigurisht që ngjyrat e shpresës në këtë cikël poetik nuk janë të shndritshme e triumfuese, por të buta dhe të brishta, pse ato janë reflektim i një shpirti që ndodhet në kufirin mes jetës e vdekjes, por që ende dëshiron të ndriçojë, qoftë edhe në formën e një kujtimi të lënë pas.

7.
Cikli poetik “Ngjyrat e Lirisë” shpalos konceptin e lirisë si një përvojë e ndërlikuar, ku bashkëjetojnë vuajtja, sakrifica, dhe zhgënjimi. Autori e përjetëson këtë liri jo si moment triumfi të kulluar, por si një realitet me ngjyra të shumëfishta, ku hijet e sakrificës dhe pasojat e saj janë të pashmangshme. Vetë titulli “Ngjyrat e Lirisë” ofron qasje polivalente ndaj lirisë, e cila nuk është vetëm një fitore e bardhë dhe e pastër, por përmban brenda vetes dritë-hije dhe përvoja të ndryshme njerëzore. Liria shfaqet si gjendje e pasigurt, e përzier me dhembje plagësh, kujtime dhe kontradikta morale. Autori e sheh lirinë jo si një entitet statik, por si proces të përhershëm reflektimi dhe sfidash. Kështu:

a.
Në poezinë “Përtypja e Lirisë”, ajo trajtohet si diçka e vështirë për t’u përvetësuar dhe kuptuar: “Mashkull … se kaq lehtë përtypet Liria!!!/Ruana zot!/M’ka pas thënë gjyshi im:/ Sabër selamet!/Ma mirë se me ia ndez pushkë kresë/Për fjalë t’thanme n’erë” ku, pas një fjalori dialogimi original tradicional ndjejmë se liria nuk është e qartë dhe e lehtë për t’u shijuar, por një proces i përtypjes së vështirë, që sjell dilema dhe dyshime të mëdha. Sigurisht që kjo nuk është e vështirë vetëm për pleqtë e moshuar por shspeshs edhe për më të rinjtë, madje dhe aktivët në ardhjen e saj, të cilët e shohin si shteg oërfitimi.

b.
Poeti reflekton edhe mbi sakrificën për lirinë, sidomos përmes figurave historike dhe heronjve. Në poezinë “Shiu i Lirisë së munguar” kushtuar Agim Ramadanit, liria nuk është dhuratë që ra nga qielli, por një akt heroik, i vetëdijshëm se jeta mund të flijohet për atë qëllim më të madh. Vargu: “Zemra e përflakur për liri/Pa dashni për jetën nuk vdes”shpreh filozofinë e lirisë që nuk është e shkëputur nga dashuria për jetën, por që merr kuptim vetëm kur vjen si sakrificë për të ardhmen.

c.
Duke lexuar poezinë “Sikur të bisedoja me nanën”, liria lidhet me Nënës Terezë, një simbol i dashurisë dhe humanizmit. Te vargjet: “E ne/Me emrin tënd e ngjitnim Gurin e Sizifit/Për çdo ditë të lume/E s’jepeshim” shohim se liria shfaqet si përpjekje e vazhdue-shme, një ngjitje Sizifiane, ku çdo brez duhet të luftojë për të ruajtur atë dhe prurjet e saj.

8.
Titulli i ciklit “Kur preken ngjyrat” shfaq një hapësirë interpretimi të pasur. “Ngjyrat” këtu nuk janë thjesht elemente vizuale, por bartëse të një simbolike, që përfaqësojnë gjendje shpirtërore, fate njerëzore, kujtesën historike dhe dimensione të lirisë dhe fatit njerëzor. “Prekja e ngjyrave” nënkupton ndërveprimin e subjektit lirik me realitetin përreth, ”prekjen” ndjesore të ngjyrave si simbole të kohës, të jetës dhe të përballjes me fundin. Në këtë cikël poezitë kanë një qasje introspektive dhe ekzistenciale, duke eksploruar kufirin mes jetës dhe vdekjes, ëndrrës dhe zhgjëndrrës, së kaluarës e të tashmes. Pikërisht kjo prekje e ngjyrave është edhe një mënyrë shprehjeje e poetit për të shfaqur luhatjet e qenies njerëzore mes dritës dhe errësirës, mes shpresës dhe zhgënjimit, mes realitetit dhe metafizikës. Kështu:

a.
Titulli i poezisë “Pjekja me fundin” sugjeron mbritjen, arritjen e fundit, qoftë kjo pjekuri e arritur përmes jetës, por edhe ndjesinë e fundit të pakthyeshëm. Vetë titulli ngërthen idenë e pjekurisë që vjen përmes afrimit me fundin, që shpesh është motiv i reflektimit në poezi. Vargjet: “Gjithnjë fundi më ka nxitur/Se ngjarjeve edhe mund t’u kthehesha …” shprehin dyzimin ekzistencial, ku fundi nuk është thjesht një pikë mbylljeje, por një shkas për tu rikthyer në një dritë të re poetike. Poeti përdor një ngjyrim gri të mendimit, një ngërthim mes të shkuarës dhe të ardhmes, dikur: “Pak para se me mbërri” moment kur ngjyrat shfaqin një zbehje ( plakje të jetës) si pasojë e lodhjes: “E nesërmja po më plaket sy-ënjtur/Me do lot – va në mjekër/Që pikojnë e zhdavariten/Në udhëtimin e kthimit të hershëm.” Realisht këtu ka një përdorim të dritëhijeve, ku e nesërmja nuk është më një shpresë, por një rrudhje, një tretje e bardhësisë së syve në ënjtjen e lotëve. Poetika këtu përdor një tonalitet të zymtë, me përzierje të grisë dhe të verdhës së zbehtë, ndaj shkruan: “Tash e kuptova/Kot qenkam ngutur/ në fund të rrugëtimit.

b.
Te poezia “Liratë” titulli sugjeron një farë muzikaliteti dhe hyjnie, por poezia na sjell një kontrast mes dritës dhe errësirës: “Në ditë lindjesh/Qëndismat dritësojnë hije natën/ Siluetat valëzojnë thellësive të largëta monotone” ku drita dhe hija ndërthuren, dhe krijojmë një imazh lëkundës mes shpresës dhe braktisjes, madje :
“Qe, agu i paraverës vjen si skllotë/E ze rrezen mes dy pranverave/Pa e takuar vjeshtën asnjëherë. Në qoftë se te vargjet e mëparëshme ngjyra poetike është diçka si blu e errët e natës dhe një vezullim i artë që venitet, te kjo poezi është thjeshtë një dritë pranverë e vazhdueshme, që e shmang të vershën dhe të kuqen e vjeshstëss.

c.
Te poezia “Hija e frymëmarrjes sime” hija si motiv tregon një dritë të venitur, një ekzistencë që jeton në kufijtë mes pranisë dhe mungesës, që shfaqet te vargjet: “Më prit po deshe/Kam frikë se jam udhëtar udhëkryqesh.” Këtu, hija këtu ka një ngjyrë të ftohtë gri, që shpreh pasigurinë dhe përplasjet shpirtërore të poetit. Ky imazh është përforcuar me lëvizjet e papërcaktuara të rrugëtimit.

ç.
Rrënqethës shfaqet vargu i parë te poezia”Nuk m’u bë mik” kur shprehet: “Në terr e pashë/vdekjen/U trishtova…” ku ngjyra e errët mbizotëron në këtë poezi. Ajo nuk është vetëm sfond, por është një përfshirje e plotë e vetëdijes. Kontrasti midis verdhës së duhanit dhe errësirës së vdekjes krijon sfond të tensionuar mes jetës që tretet dhe fundit të pashmangshëm.

Duhet të themi se Sherafedin Kadriu është një piktor i madh i vargut poetik, që lot me hije-dritën dhe tonalitetin e ngjyrave, me të cilat mjeshtërisht krijon figura të përsosura artistike. “Ngjyrat” në këtë cikël nuk janë vetëm elemente vizuale, por edhe metafora të jetës, lirisë, kujtesës dhe të përballjes me fundin. Poeti krijon një univers poetik ku shpresa, zhgënjimi, frika dhe pritja e diçkaje më të madhe përzihen, duke ofruar një poezi të ndjerë dhe intelektualisht sfiduese.

9.
Cikli “Ngjyrat e Atdheut” ka një peshë të thellë simbolike dhe poetike, ku “Ngjyrat” nuk janë thjesht tone vizuale, por përfaqësojnë gjurmët e historisë, përvojën kolektive, sakrificat dhe ndjesitë e poetit ndaj atdheut të tij. Ato shprehin tragjiken dhe heroiken, dhimbjen dhe krenarinë, të kaluarën dhe të tashmen, duke krijuar një paletë emocionale dhe historike për Kosovën.
a.Në vargjet e ciklit, gjejmë ngjyra të ndryshme që mishërojnë elemente të veçanta të atdheut: E kuqja e gjakut dhe sakrificës, siç shfaqet në poezinë “Metonimi e fisnikëruar”: “Karadakun e larë me gjak / me të kalltë / e me të djegur / në Iseukaj”

b.
E verdha e flakës dhe e shkatërrimit, shihet në poezinë “Për rrugën pa emrin e gjyshit tim”: “Pa dymbëdhjetë plumba të Daut Ngillanit / Një mitraloz lakën i verdhë s’pat me nalë të korrmen atë ditë”

c.
E zeza e dhimbjes dhe burgosjes, e pranishme në përshkrimin e kalvarit të të burgosurve politikë në poezinë “Metonimi e fisnikëruar”: “Dhe qiellit lehtë iu bë / Kur ua ktheve shpinën atyre grilave / Që ta përcëlluan atë moshë të njomë”

ç.
Dhe e bardha e rrugëve dhe e shpresës, e cila përmendet në të njëjtën poezi:“U turr ajo lukuni xhadeve të bardha / pis i bëri me të zezën”. Në këtë mënyrë, poetikisht dhe simbolikisht, Kadriu e përshkruan atdheun përmes ngjyrave, duke i dhënë jetë emocionale dhe historike çdo aspekti të tij. Të folur qartë e shkurt për një histori të gjatë e bukuri të dashur.

10.
Titulli i ciklit “Kur fshihen ngjyrat” ngërthen në vete një simbolikë, ku ngjyrat përfaqë-sojnë dritën, gëzimin, vitalitetin dhe praninë e jetës. Fshehja e tyre sugjeron një periudhë të errët, humbjen, ose një përballje me mungesën e diçkaje thelbësore. Ky titull ngërthen një ndjenjë të zhveshjes nga e bukura dhe e ndritshmja, duke e lënë vendin kujtesës dhe reflektimit mbi dashurinë, mungesën dhe përjetimin e kohës që kalon.

a.
Në poezitë e ciklit, ngjyrat përdoren në mënyra të ndryshme, si metafora të ndjesive, kujtimeve dhe lidhjeve njerëzore. Kështu në poezinë: “Fisnikëroja me shpirt” vargu: “Në lulishte ngjyrat s’i kam kursy’”, ku ngjyrat simbolizojnë përpjekjen për të mbushur jetën me bukuri e dashuri, një gjest fisnikërie që shprehet jo vetëm me fjalë, por me përkushtim dhe shpirt.

b.
Poezia “Metaforë jete”, ka vargun: “Zbukuromani zbehjen e vjeshtës sime” ku vjeshta shfaqet si simbol i plakjes (vjeshta ime), si periudhë zbehjeje e ngjyrave të jetës, por dashuria e fëmijëve dhe familjes e kompeson zbehjen dhe sjellë një ndriçim shpirtëror.

c.
“Paravera e vashës” titullohet poezia që shpreh vargun “Paravera ka ngjyrë të gjelbër”, I cili simbolizon rilindjen, e cila shfaqet si kontrast ndaj fshirjes së ngjyrave, dhe jep dritë optimizmi.

ç.
Në poezinë prekëse “Kam qarë për ty motër” te vargjet:”Nga pikonin ata lot zemre/E nuk ndaleshin si kroje” edhe pse s’ka referencë të drejtpërdrejtë ndaj ngjyrave, shiu i lotëve krijon një imazh të ujshëm e të zbehtë: ndjenjë që i kundërvihet plotësisë së ngjyrave.

d.
Po ashtu në poezinë “Kur të kujtohem” autori i drejtohet djalit të tij duke reflektuar mbi jetën dhe vetminë dhe shprehet: “Se edhe vetmia kërkuaka pak jetë kur ikën para kohe”, ku vetmia dhe ikja para kohe simbolizojnë humbjen (fshehjen) e ngjyrave të jetës, duke nënkuptuar një zbehje të përvojave dhe emocioneve të gjalla.
Interesante është se te cikli “Kur fshihen ngjyrat”egziston një shpresë për rikthimin e ngjyrave, ndonëse nuk është shprehur drejtpërdrejt si kthesë karshi fshirjes, por si një prani e aluduar, që ruhet në kujtesë. Kjo vërehet në disa vargje ku, megjithëse flitet për humbjen, në vargje shfaqet një dritë të fshehtë që mbetet si fije shprese. Kështu te poezia: “Paravera e vashës” te vargu: “Paravera ka ngjyrë të gjelbër” ndonëse shprehet një cikël natyror e simbolik, pranvera vjen gjithmonë dhe sjell një ngjyrë të re.

Po kështu te poezia “Metaforë jete” vargjet:”Zbukuromani zbehjen e vjeshtës sime/Para shkëlqimit të së bardhës monotone”edhe pse vjeshta (simbol i plakjes dhe zbehjes) është e pashmangshme, ardhja e brezit të ri (mbesës dhe nipit) krijon një shkëlqim të ri, një dritë në monotoninë e bardhësisë. Interpretimi i vargut” “Kurdo që t’më përmendësh do të shëmbëllesh para Gurit vetëm dashni” te poezia “Kur të kujtohem” shpresa shfaqet përmes kujtimit dhe dashurisë, e cila mbetet e gjallë edhe pas largimit fizik. Pra në këto pasazhe vargjesh shpresa për rikthim të ngjyrave nuk është i shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë porn ë trajtën e një vazhdimësie brezash, dashurie dhe natyrës, që i jep ciklit poetik një nuancë të butë optimizmi.

11.
Cikli i titulluar “Ngjyrat e ngushëllimit” sugjeron një qasje poetike ku dhimbja dhe humbja përshkohen nga një spektër ndjenjash që përbëjnë një lloj ngushëllimi. Ngjyrat simbolizojnë jetë, ndjesi dhe ndryshime, ndërsa ngushëllimi përmban aktin e pranimit të dhimbjes dhe motivimin për përballimit e humbjes. Kadriu nuk paraqet një ngjyrë të vetme të ngushëllimit, por një shumësi emocionesh: dhimbje, mall, absurditet, dhe përpjekjen për të vazhduar jetën pas një tronditjeje shpirtërore. Siç edhe pritet,në këto poezi ngjyrat nuk janë të gjalla, por të zbehta, të errëta ose të shuara, ç’ka përfaqëson zhbërjen e jetës dhe shpirtit.

a.
Në poezinë “Përhumbje”, transformimi fizik i babait të tij (“Tinëz ta shikoja/ zverdhjen, e herë nxirjen”) është përshkrimi vizual i dobësimi fizik, një metaforë e ngjyrave të zbehura të ngushëllimit.

b.
Te poezia “Mos më thirr për te pishat”, refuzimi flet për një zbrazëti emocionale: “As më hahet / As më pihet / Tërë ditën vetëm…” mungesë dëshire që tregon një realitet të mpirë, pa ngjyra,( një sëmundje të rëndë). Këtu ngushëllimi nuk është proces i drejtpërdrejtë, por një zhvendosje mes pranimit dhe refuzimit të dhimbjes.

c.
“Rinis absurdi” quhet poezia ku ngushëllimi nuk shfaqet përmes kuptimit apo pajtimit me humbjen, por përmes një rinisjeje dhe ripërsëritje të pashmangshme të jetës: “Rinis buzëqeshja / Rinis puna / Rinis monotonia / Rinis absurdi që provohet e nuk mësohet” që tregon se ngushëllimi mund të jetë vetëm përsëritje e përditshmërisë, mënyrë të vazhduari të jetës edhe nëse absurdi i jetës shfaqet i pandryshuar.

12.
Titulli “Për ngjyrën e zezë” nuk është thjesht një referencë ndaj errësirës fizike apo trishtimit, por një koncept më i gjerë që përfshin aspekte të ekzistencës njerëzore, historisë kolektive dhe fatit personal. E zeza shfaqet në poezitë e ciklit si metaforë e vdekjes, vuajtjes , sëmundjes, kujtesës, madje dhe e përkohshmërisë së gëzimeve dhe triumfeve njerëzore. Në disa poezi, ajo lidhet me dimensionin filozofik të jetës dhe përballjen me vdekjen. Cikli poetik “Për ngjyrën e zezë” i Kadriut është një vepër që ndërthur elemente filozofike, ekzistenciale dhe sociale, duke shprehur në mënyrë të thellë ndjesinë e humbjes, vuajtjes dhe përballjes me vdekjen.

a.
Kështi në poezinë “Në vigjilje të Pavarësisë së Kosovës”, ngjyra e zezë shfaqet si shoqëru-ese e vdekjes dhe sakrificës:”Se unë ka kohë i kam pastruar plagët me pendlat bojë sterri” ku e zeza nuk është vetëm simbol i vdekjes, por edhe i një lloj pastrimi shpirtëror përmes vuajtjes.

b.
Në poezinë “Hija ime”, e zeza lidhet me kujtesën dhe përjetësinë: “Atë ditë kur pushonte hija ime / Nën qarrin e çafkave të zeza”. Realisht, çafkat e zeza janë shpesh të pranishme në poezitë e Kadriut dhe simbolizojn (ndoshta) lajmësit e fatit të keq ose vigjiluesit e jetës dhe vdekjes.

c.
“Vetmia” është poezia ku poeti e lidh të zezën me sëmundjen dhe përballjen me fundin, madje duke publikuar sëmundjen e rëndë:”Me kancerin në mushkëri / Me kollën që pështyn gjak të zi.” Këtu ngjyra e zezë nuk është simbolike, ajo është shndruar në një realitet mjekësor të prekshëm dhe fizik.

Ajo që duhet evidentuar dukshëm për ciklin poetik “Për ngjyrën e zezë” ëshstë fakti se ndonëse, ngjyra e zezë është dominuese dhe temat trajtojnë sëmundjen si një kartelë mjekësore, poezitë nuk janë të zhveshura nga shpresa apo formë pozitiviteti të cilat shfaqen në disa mënyra:

Kështu p.sh. edhe në përballjen me sëmundjen në shkallën më të lartë, poeti ka një vetëdije të fortë për jetën dhe për atë që ka lënë pas. Madje në poezinë “Kur kallet frymëmarrja” shfaqet një moment i vështirë, symbol triumfi i mbijetesës:”Hej, qenkam i gjallë”. Në këtë situatë poeti nuk e ka humbur ndjenjën e dashurisë dhe lidhjen me të dashurit e tij, e cila shprehet me vargjet:”Një ngjyrë dashurie ma kaplon shpirtin” te poezia “Në krye motmoti” Madje edhe çafkat e zeza, që në disa poezi shfaqen si paralajmërim i vdekjes, këtu marrin një ton më të butë, si pjesë e një realiteti të pranuar. Sigurisht që në gjendjen e rëndë të poetit, ironia dhe humori do jenë të fundit që normalisht do na shkojnë ndërmend, por leximi i vargjeve:”E mirë që unë nuk jam poet / Ndoshta shpëtoj nga ky dert” na bën të buzëqesshim, pse e dimë që Kadriu jo vetëm që është poet, por është një poet imrekullueshëm, por ne e miorëkuptojmë humorin dhe ironinë e tij si një mënyrë për të ruajtur një grimcë optimizmi në momente të errëta. Dhe na vjen mirë kur dëgjojmë të na thotë se: “Tani luaj për ta vrarë kohën i fundit” te poezia “Sot po lua(j)n shah” madje shton: “Si mbret i abdikuar pres ditën e mbrame”. Ta kam zili kurajën madhëria juaj, poet.

Pra, ndonëse cikli është i mbushur me imazhe të vdekjes, ka momente pozitiviteti, qoftë përmes mbijetesës, pranimit të fatit, dashurisë apo ironisë. Shpresa nuk është gjithmonë eksplozive, por ndodhet në mënyrën sesi poeti i qaset ekzistencës.
Në këtë libër Sherafedin Kadriu e shndërron përvojën e tij të gjatë me sëmundjen në poezi, duke e trasfformuar dhimbjen në art dhe përballjen në një akt poetik sfidues. Poezia e tij nuk është thjesht pasqyrim i vuajtjes, por është dëshmi e jashtëzakonshme e forcës njerëzore dhe aftësisë për ta përballuar tragjiken me vetëdije artistike. Në vend që të dorëzohet përpara sëmundjes, poeti e shndërron atë në një sfidë të hapur për sëmundjen, frikën, dhimbjen dhe vetë vdekjen përmes vargjeve.

Veç sa më sipër poezia bëhet për të një “mjekim” më i efektshëm se trajtimet mjekësore, një mjet për ta mbajtur veten të gjallë, jo vetëm fizikisht, por shpirtërisht. Këtë e shohim qartë në vargjet e tij, ku realiteti spitalor, trupi i sëmurë dhe frika nga fundi nuk janë vetëm tema, por pjesë e përditshmërisë që ai e përjeton dhe e përshtat artistikisht.

Cikli poetik “Për ngjyrën e zezë” nuk është një elegji, por është dëshmi e një jete që nuk dorëzohet. Poezia nuk është thjesht një kronikë e sëmundjes, por një akt rebelimi ndaj saj, një mënyrë për të mos ikur pa lënë gjurmë. Unë do të thoshja se në një kuptim më të thellë, përmes poezisë, Sherafedin Kadriu arrin të mbijetojë përtej kufizimeve që trupi i tij ka nga sëmundja dhe kjo është, në fund të fundit, fitorja e tij më e madhe.

Dëshiroj që poezinë e Sherafedin Kadrisë ta lexojmë në këtë dritare: si një akt i mbijetesës përmes fjalës, një përpjekje për ta sfiduar sëmundjen jo vetëm me forcën e mendjes, por edhe me një ironi të hidhur që e bën dhimbjen më të përballueshme. Kjo poezi nuk është një rrëfim thjesht personal, por një përvojë e jetuar e shndruar në art, ku secili varg bëhet një formë rezistence ndaj shuarjes.

Duke e lexuar në këtë mënyrë, ne ndiejmë dhe kuptojmë jo vetëm peshën e sëmundjes, por edhe një forcë të pashtershme krijuese që shfaqet edhe në momentet më të vështira. Ajo çka mbetet në fund nuk është vetëm trishtimi i një njeriu të sëmurë, por madhështia e një shpirti që, përmes poezisë, arrin të mbetet i gjallë edhe përtej kufijve të trupit. Ky është miku im Sherafedin Kadriu.

(Sarandë, prill 2025)

You Might Also Like