Libri

NJË LITAR KAMBANE

NJË LITAR KAMBANE

Meti Rexhepi

avujt që lëshoje nga brendia

diku do t`i hidhte ekologjia

prej nga i ardhkan teshtimat

neurozat vetëtimat shkreptimat

*

fjalamanët përmbysnin kontejnerët e mendjes tyre

u rrëshqitnin në gracka përgojimesh duke shtuar stoqe inerte

bridhje së toku dhe kundërmimin ua tumirje

shqisat e ndjenjës kishin njëjtësuar shije

*

avujt e afsheve të reve

dolën pas lëpirjes së një rrëkeje

prore i ndiqte anarkia e erës

ç`t`i bësh asaj breshërime mbi vellon e nuses të verës

*

çlirimi u gjykua si ngjarje anarkike

do t`u shpërthejë pezmi dhuntive instinkte

se si i ngrehje ledhet për atë tjetrin

mes gjembash zilie vishje vetveten

*

të panumërta mësymjet ambicie

e ngushtuar hapësira kozmike

lajthitesh të zgjerosh ngastrën tënde kadastrale

në hapësirën e kaltër të përbindëshave

*

shtrënguar nga graviteti

të shtrembërohet fytyra në mijëra ngërdheshje

e pamasë gjithësia orbitat shtrijnë kufij

rrezet me duar të nxehta gatuajnë epshe

*

nuk mbaheshin dhe u binte pesha

çfarë t`u mbetej pos derdhjes së ndjenjave

puthjes së deteve dhe të vjella

mbi lumenj të vizatuar pa rrjedha

*

për t`i vënë frerin stuhisë

asaj përmase vigane

ti shpirt militarist je fare i brishtë

të mbeti në dorë veçse një litar kambane

You Might Also Like