Shkruan: Dr. Selim Sylejmani
GJUHA SHQIPE I ËSHTË NËNSHTRUAR AGRESIONIT: KEMI NEVOJË PËR NJË LIGJ TË VEÇANTË PËR MBROJTJEN E GJUHËS
Praktikisht në të gjitha fushat janë paraqitur huazime të huaja gjuhësore
Si qëndron puna me ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në shoqërinë bashkëkohore kosovare? Sipas mendimit tonë të thellë – katastrofikisht keq. Për më tepër, shkaqet e kësaj katastrofe, gjeneza e saj ka të ngjarë të mos jenë të natyrës gjuhësore, por mw shumë politike dhe ideologjike.
Zhvillimi i bujshëm, shpesh i pavetëdijshëm dhe kaotik i demokracisë në fillim të viteve 2000 në jetën publike të Kosovës, krahas ndryshimeve vërtet pozitive, dha edhe rezultate shumë katastrofike. Pushtimi shpërthyes në formë të një orteku të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe ka filluar të perceptohet, së pari, si ardhje e lirisë së plotë në jetën shoqërore, si rënie e të gjitha llojeve të “perdeve”, së dyti, si një shenjë e “emancipimit personal shpirtëror”, së treti, si preferencë ideologjike për standardet e jetesës perëndimore, përfshirë edhe ato gjuhësore. Të gjithë së bashku, çuan në neglizhencën e kulturës së gjuhës shqipe, në ngulfatjen masive të gjuhës, në ndarjen e saj nga të folurit e njerëzve të zakonshëm.
Praktikisht në të gjitha fushat e jetës po paraqiten huazime të reja nga gjuhë të huaja, të cilat nuk mund të arsyetohen assesi me rregullat objektive të fjalëformimit! Shembuj për këtë ka shumë, një mori. Kwshtu, fjala e zakonshme shqipe shtëpi po zëvendësohet shpesh me fjalën e huaj “house”. Prandaj në numër të madh kemi mbishkrimet: “cofee-house”, “the laundry house”, “home clothing”, madje edhe “children’s house”… Në sferën e sportit me terma të huaj zëvendësohen fjalët shqipe, të cilët janë plotësisht adekuate dhe historikisht kanë qenë pjesë e fjalorit të gjuhës shqipe: “Overtime” ose “Extra time” – koha shtesë; “play off” – kalim në finale etj. Në fushën e kulturës kemi, “prime time” (koha kryesore), “promoter” (nxitës), “poster” (afishe), “multipeks” (i shumëfsihtë) dhe shumë fjalë të tjera, të cilat po i zëvendësojnë fjalët shqipe, të cilat janë sinonime të tyre.
Shumë shpesh në titujt e shkrimeve, në reklama, në paraqitjet pulbike hasen shprehje të huaja pa përkthim. Me ç’rast fjalët e huaja përdoren në shqip në kuptim të gabuar: kështu, fjala “butik” në frëngjisht do të thotë “shitore e vogël, dyqan”, në shqip asaj i atribuohet domethënia e një dyqani ekskluziv dhe të shtrenjtë.
Krej kjo nuk mund të quhet ndryshe, pos agresion në raport me themelet shpirtërore të një kombi – gjuhës së tij. Zëvendësimi i shumtë i fjalëve shqipe me fjalë të huaja është një veprim politik, i orientuar në shtypjen e mentalitetit shqiptar – patriotizmit, krenarisë dhe mburrjes me kulturën kombëtare, duke e përligjur “shqiptarizmën”, në përpjekje për ta “dërguar” me dhunë shqiptarin në një mjedis të huaj.
Dikusht mund të kundërshtojë që gjuha shqipe gjithmonë ka vërtetuar aftësinë e saj të mahnitshme për të pastruar veten, andaj ai do ta përballojë edhe agresionin aktual. Po, është e vërtetë. Por, sipas mendimit tonë, këtu duhet pasur parasysh një sërë konditash të ndërlidhura.
Së pari, ekzisotn, nëse mund të themi kështu, një “pikë e pa-kthimit”. Nën presionin e fuqishëm mund të zhduken për një kohë të gjatë, nëse jo edhe përgjithmonë shumë fjalë autoktone shqipe, gjuha do të humbasë në masë të madhe domethënien e saj si themel i kulturës kombëtare. Dhe ne
mund ta humbasin një gjeneratë të tërë të rinjsh si bartës të fjalës së mirëfilltë shqipe. Së dyti, vetëpastrimi i gjuhës duhet të ndihmohet. Si mund të manfiestohet kjo ndihmë?
Para së gjithash, me krijimin e një atmosfere të shëndoshë në shoqëri. Forcat shoqërore në të gjitha format dhe manifestimet e tyre duhet të luftojnë për pastërtinë e gjuhës shqipe. Paraqitjet e mprehta, parimore dhe të vazhdueshme të njerëzve më të respektuar të profesioneve të ndryshme, intelektualët, shkencëtarët, politikanët, angazhimi i shoqatave të ndryshme, fondeve – “Në mbrojtje të gjuhës shqipe”, “Gjuha e pastër shqipe” dhe të ngjashme.
Një rol të veçantë luan qëndrimi parimor, qëndrimi i shprehur publikisht nga autoritetet dhe dokumentat normative që korrespondojnë me këtë pozicion. Edhe e para edhe e dyta te ne praktikisht mungojnë. Sipas mendimit tonë, duhet filluar nga një ligj specifik për gjuhën shqipe. Dihet që ligje të ngjashme në mbrojtje të gjuhës kombëtare shtetërore janë miratuar në disa shtete.
Në lidhje me këtë vlen të citohen një numër dispozitash të shkëlqyera, për mendimin tonë, të ligjit francez mbi gjuhën shtetërore– pa dyshim, shumë të dobishme për ligjëvënësit tanë në këtë fushë. Sipas dispozitave të tij, “mos përdorimi i gjuhës frënge në kushtet e parashikuara në ligj (kur ekziston analogu francez për një fjalë të huaj. – S.S.) në sistemin e shërbimit civil të institucioneve publike” parashikon lloje të ndryshme të ndëshkimeve administrative, deri në shkarkimin e atyre që janë përgjegjës. Në institucionet private, në ndërmarrjet tregtare, një shkelje e tillë dënohet me gjoba të mëdha.
“Mospërdorimi i gjuhës franceze për çfarëdo mbishkrimi ose shpallje, të postuar apo të shkruar në mur apo rrugë, në çdo vënd, të hapur për publik, ose transport publik dhe të destinuar për informim të publikut”, ndëshkohet në mënyrë të njëjtë. Nëse ndonjë firmë komerciale dëshiron të mbajë emër “në një gjuhë të huaj”, ajo duhet të paguajë taksa të veçanta, shumë të larta për këtë.
“Në rast të zbulimit të mallrave ose produkteve që nuk respektojnë këtë ligj (informacioni nuk është shënuar në gjuhën franceze. – S.S.), bëhet konfiskimi i këtyre mallrave ose produkteve që e karakterizojnë një seri të veçantë, ose mallrave e produkteve në tërësi”. Komentuesit tanë të këtij ligji vërejnë me të drejtë që, sikur ai të vlente te ne, do të duhej konfiskuar pjesën më të madhe të mallrave të importuara dhe të hiqej më shumë se gjysma e reklamave të rrugëve. Po tw kishte ligj pwr gjuhwn te ne, nw shtwpi do tw shkonin shumw “doktora e profesora” universitetesh e kolexhesh, do tw shtonim ne.
Qeveria franceze këtij problemi i kushtojnw vëmendje të vazhdueshme. Para pak kohësh, për shembull, Ministria franceze e financave njoftoi që në dokumentat zyrtare ndalohet përdorimi i disa termave të gjuhës angleze. Në “listë të zezë” të kësaj minsitrie hyrën, në veçanti, fjalë të tilla shumë të zakonshme si “file (skedar)”, “e-mail (postë elektronike)”, etj. Në shkresat zyrtare tani duhej të shkruhej “courierelectronique” (postë elektornike). Si rezultat i kësaj, sot në Francë gjithandej dhe kudo vërehet ajo që francezët e quajnë “triumf i gjuhës franceze” – mungesa pothuajse e plotë e përdorimit të paligjshëm të gjuhës së huaj.
Çka duhet të ketë në ligjin e ri të Kosovës për gjuhën shqipe? Para së gjithash, kërkesa më të rrepta rregullatore për ndalimin e përdorimit në të gjitha fushat e jetës publike – drejtësi, medie, reklama, tregti, shërbime etj. – të fjalëve të huaja, në rast se ekzistojnë analoge në gjuhën shqipe.
Pos kësaj, në ligjin mbi gjuhën shqipe nevojitet të ketë një dispozitë për përdorimin e saj kompetent. Sot, gjithandej, mund të gjesh gabime të patolerueshme drejtshkrimore, leksikore dhe
gabime të tjera gjuhësore.1 Është plotësisht e gabueshme që në shumicën e mediave është eliminuar pozita e korrigjimit /korrektorit. Askush nuk bart përgjegjësi për analfabetizmin e shkrimit publik shqip te ne! Po kështu vlen edhe për gjuhën e folur. Pa kurrfarë dyshimi, me ligj do të duhej ndaluar përdorimi publik i fjalorit jonormativ kudo – në rrugë, në libra, në medie, në teatër…
Dhe, natyrisht, në një ligj të tillë, duhet të përcaktohen masa të qarta dhe të rrepta ndëshkuese për organizata specifike, punëtorët përgjegjës për mosrespektimin e kërkesave të tij rregullative, në mënyrë që të mos zhvillohet ajo “loja” jonë klasike: ligjet miratohen por nuk zbatohen në praktikë.
Këtë shkrim dëshiroj ta përfundoj me fjalët e shkëlqyeshme për gjuhën amtare, të shënuara në ligjin francez: “Duke qenë gjuhë shtetërore e Republikës në përputhje me Kushtetutën, gjuha franceze është elementi kryesor i imazhit dhe trashëgimisë historike të Francës. Ajo shërben si gjuhë e arsimimit, punës, shkëmbimeve dhe shërbimeve në vend. Ajo është baza kryesore e lidhjes në mes të shteteve që përbëjnë komunitetin e popujve frëngjisht-folëse”. Natyrisht, do të ishte shumë më patriotike sikur të mund ta citonim ligjin e RK mbi mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe.
S’ka dyshim që pa një ligj të tillë që do të miratohej (dhe të zbatohej) sëumë shpejti, Kosova do të humb edhe atë pak dinjitet që e ka si shtet.