Libri

POEZI TË PËRJETIMEVE TË THELLA QË LËNË VRAGË TË KOHËS

Recension
POEZI TË PËRJETIMEVE TË THELLA QË LËNË VRAGË TË KOHËS
Avdush Canaj: Edhe ëndrrat në pranga ( Lirika nga burgu), botoi SHN Armagedoni, Prishtinë 2022.
Mikel GOJANI
Avdush Canaj është një krijues shumëplanësh. Gazetaria, poezia për fëmijë dhe të rritur), kulturologjia, pasioni për gjuhësinë dhe artin e të shkruarit, dhe sidomos proza, poezia, tregimet, estetikja etj., përbëjnë substancën e librave të tij.
Të shkruash shumë dekada pa u ndalur është një gjë admiruese. Të mos ndjesh frikën e kryqëzimeve të kohës, të apelosh motive të brendësisë shpirtërore, të shpalosësh fosile nostalgjish nëpër kohë mijëvjeçare dhe një botë të tërë të një rrugëtimi të gjatë historik kombëtar, do të thotë të formosh individualitetin krijues, po edhe qenien poetike tek të tjerët; të emanciposh fjalën, madje një kohë edhe në heshtje. Heshtje që nuk e dëshiroi vetë, por ia imponuan të tjerët.
Edhe përkundër shumë pengesave, deri në burgosje, shkrimtari Canaj nuk ndali udhëtimin e tij letrar, i cili ishte një obligim sublime që i kishte dhënë vetes. Ky shtegtim ishte rrugëtim shpirtëror dhe i pakthim. Udhëtim në dukuritë dhe ëndrrat e njerëzve të thjeshtë, mirëpo më plot përjetime dhe synime të pakthyeshme.
Poezia e Canajt është një proces i brendshëm, një ritendosje , në pohim përtej dilemave; është lirikë që shpaloset si një mozaik që ka zë të brendshëm dhe të jashtëm plot këlthitës. Canaj ka tipologjinë krijuese të atdheut të tij, të popullit të tij, i cili ka kaluar nëpër katrahure, por kurrë nuk është gjunjëzuar, por e mbrojti gjithherë me dinjitet tokën e të parëve që vazhdimisht pushtohej nga të tjerët.
Gashi për librin: Canaj këtu na i dha shenjat e një horizonti para agimit të ri…
Të shkruash për vlerat ideoartistike të librit të Canajt, Edhe ëndrrat në pranga
(Lirika nga burgu), e të mos shkruash për vlerësimin që përçon shkrimtari i njohur, Adem Gashi, është një gjë që nuk mund të shmangësh. Megjithatë kësaj radhe nuk iu shmanga as unë. Shkrimtari dhe kritiku Gashi në parathënien e tij ndër të tjera shprehet: “Atmosfera e vargjeve të Avdushit pashmangshëm të nxit shoqërime idesh më atmosferën e Ferrit të Dantes. Zaten ferri e burg janë aty – aty me cerberë, ujq e qen-ujqër, me gjarpërinj e hiena. Derisa në librat e tjerë autori plot dritë e diell e lule e ngjyra, vallë tropesh, figurash e metaforash, këtu loja e dritëhijeve është e mezi dukshme në labirintet e qeli. Sepse këtu ka një fajs, një të pandehur për fajësi se dashka Nënën, Nanëloken, që i bie tagri i atdhedashurisë, dhe i lirisë kombëtare. Po a nuk na e tha që në krye të herës autori, në fjalën moto: Në një fije letre duhani, në qeli, shkruaj vjershën për Atdheun?…
Unë nuk di se c’ fshehtësi mban laboratori krijues i Avdush Canës, se ç’sjell e nesërmja e tij pas këtij libri, po i di se këtu na i dha shenjat e një horizonti para agimit të ri…,- shprehet shkrimtari Gashi.
Vargjet nga burgu si shenja kujtese: Në një fije letre duhani, në qeli shkruaj vjershën për Atdheun.
Duke i lexuar vargjet e poezive të këtij libri dhe kohën kur janë shkruar, na bie në kujtesë domethënia e shprehjes d o r ë sh k r i m që është shenjë e vetë kujtesës. Dorëshkrimet ruhen për t’i mbajtur mend kohën dhe njerëzit. Nëse koha lëviz vazhdimisht, herë duke e humbur kujtesën e herë duke e rikthyer atë, dorëshkrimi mbetet shenja e një kohem e cila flet për veten e saj, për njerëzi e për historitë. Ne ndryshojmë vazhdimisht, sikur realitetet jetësore që ndryshojnë po ashtu vazhdimisht, mirëpo dorëshkrimi është kujtesa jonë dhe busulla më autentike dhe përherë e pandryshuar. Ngaqë flet për një kohë dhe është i lidhur ngushtë me çaste dhe momente përjetësie.
Shkrimtari Canaj bën pjesë ndër ata shkrimtarë shqiptarë, që duke jetuar dhe shkruar në kushte tepër të jashtëzakonshme, nuk bën asnjë lloj kompromisi me skemën zyrtare të kohës. Do të thotë shkroi gjatë viteve të rënda, ku përcillej çdo krijim që shkruhej. Shkroi Canaj brenda qelive të errëta e të skëterrshme të burgjeve ose në kampin e madh të Mostarit, Sarajevës, Foçës etj., ndërsa gjendej duke shërbyer në ushtrinë jugosllave.
“Më 13 Maj 1983, pikërisht në Ditën e Sigurimit të Jugosllavisë, në Mostar ndodhi burgosja ime bashkë me disa ushtarë të tjerë shqiptarë, në moshën 2è-vjecare. Një muaj para ditëlindjes sime dhe dy muaj para se të kthehesha në shtëpi nga shërbimi ushtarak”, pohon autori Canaj. (fq.11).
Libri i A. Canajt, shpalos një histori realiste dhe vuajtjeve të ushtrave shqiptarë që i përjetonin në burgjet jugosllave, të cilat kronika të jetuara shndërrohen në paraqitje të gjallë, të dhimbshme, dramatike të ngjarjeve që njerëz të pafajshëm i përjetojnë dhe i bashkëvuajnë për të vetmin “mëkat” vetëm se ishin shqiptarë!
Dëshmitar, jo i vetëm i gjallë, është edhe vetë autori i cili nuk mund t’i lërë pa i kujtuar ato drama trazimi dhe plagë të shpirtit të përjetuara gjatë atyre viteve nëpër këto burgje të errëta sllave.
Libri i Canajt, Edhe ëndrrat në pranga (Lirika nga burgu, ndahen në katër kapituj: Syri i ferrit, Kur e përplasin derën e qelisë, Do vij me diellin në duar dhe Kur dola nga ferri. Brenda këtyre katër kapitujve janë të strukturuar 66 poezi që ngërthejnë vlera tepër cilësore ideoartistike.
Vëllimi, të cilin po analizojmë, fillon me poezinë, Për Nënën, në të cilën poeti ka shprehur artistikisht dashurinë e tij për “NËNËN ILIRIANË”, që nënkupton dashurinë për atdheun e tij për të cilin edhe i janë vënë prangat, por edhe jo edhe ligështuar:
M’i vunë pranga
ujqit përtej ane,
pse e desha shumë
NËNËN ILIRIANE.
I mallkova krejt,
NËNA ime është e shenjtë.
Poezia, Për Nënën, fq, 17.
Tek vjershat e Canajt vërejmë një shpërthim eruptiv i emocioneve dhe i gjakimit njerëzor e estetik. Kjo frymë vërehet sidomos te poezitë, si Në netët me trishtim, Gjarpërinjtë, Shqiponja në gjoks, Ëndrrat në pranga, Nga Gjykata Ushtarake në Sarajevë, Syri i ferrit, Edhe një vit burg për ëndërr, Pëllumb ëndrre, Të vritet qielli, Lapsit ia nxorën zemrën, Të përcjellin, Kinse, Vjershat i shkruaj tinëz etj.:
Vjershat i shkruaj tinëz
edhe nën batanije.
Një ditë më zunë
me pelë për dore.
Dhelparakut që më spiunoi
ia hoqën 6 muaj burgim,
në shpinën time i ngarkuan
pa gjyq.
(Burgu i Foçës, shtator, 1984)
Poezia, Vjershat i shkruaj tinëz, fq.49.
Canaj shpreh zërin e tij origjinal, dramën e tij e të epokës që përjetoi
Edhe në vijim të librit autori Canaj shpreh momentet e përjetuara brenda hekurave të qelive në kazamatet serbe: Mbi trupin e tij dhe të bashkëvuajtësve barti barrën e rëndë të vuajtjeve dhe të përjetimeve të rënda me esenca tragjike. Jeta e tij në qelitë të burgjeve ushtarake jugosllave është edhe jeta e shumë shqiptarëve që kaluan nëpër atë golgotë rëndë të dhunës dhe errësirës që mbizotëronin brenda atyre mureve të lara me gjakun e bijve shqiptarë.
Emocione, mbase shumë të ligjshme dhe tepër të natyrshme vërejmë në çdo varg të poetit, i cili derdh gjithë emocionet drithëruese, por edhe gjakimin për idealin më të shtrenjtë, idealin e lirisë. Një emocion eruptiv e hasi, sidomos te poezia, Letër nënës nga burgu:
Nënë, gozhdët m’i kanë ngulur,
thonjtë m’i kana shkulur,
syrin ma nxorën te dritaret,
aty tash, o nënë; fikin cigaret.
Këmbën ma thyen ditën e shtatë,
bishat mbi mua i lëshojnë çdo natë,
më kafshojnë, zbrazin vrerin
edhe zemrën duan të më nxjerrin…
Poezia, Letër nënës nga burgu, fq.64.
Kjo ndjenjë poetike përshkohet edhe në poezitë të tjera të librit, si Kur të kthehem (Kaltërinës), Do të vij me diellin në duar (Sime bijë (Klodianës), Te dritarja e burgut, Kur dola nga ferri, Nëna mallkonte Sarajevën, Ditëmira etj.:
KOSOVA
Më pranga s’ka,
u mund errësira
erdhi ditëmira
ç’gëzim.
Atje mes lulesh
fli i qetë,
vëllai im.
• Vëllai i poetit, Alush Canaj, vrarë më 1972 në Gjilan, nga dora e fshehtë e UDB-ës.
Poezia, Ditëmira, fq. 92.
Prangat në duart e Canajt nuk janë vetëm prangat e tij, por janë prangat të njeriut shqiptar përgjithësisht në një kohë dhe epokë të caktuar. Autori Canaj na përkujton se liria është më shumë gjendje shpirti, sesa çdo gjëje tjetër. Zëri i tij është zëri i shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve tjera në ish-Jugosllavi, të një kohe të dhimbshme. Me kuptimin e plotës të fjalës mund të konstatojmë se Canaj në thjeshtësinë e tij është kompleks, i thellë, shumdimensional, shumështresor, plot shpirt. Canaj me vargjet e tij të përvetëson me nivelet e mendimit të tij poetik, me fisnikërinë e ndjenjave, si he me aftësitë që të shprehet fuqishëm dhe ta thotë qartë botën e mendimit të tij.
Dhe krejt në fund lirisht mund të konstatojmë se libri i Canajt, Edhe ëndrrat në pranga (Lirika nga burgu ) është një libër mjaft interesant, mjaft me vlerë, që hedh dritë mbi një realitet të hidhur dhe me esenca tragjike.
Edhe ëndrrat në pranga (Lirika nga burgu), është një libër si pjesë e një të vërtete së përjetimeve në kohë tiranie.
Libri i Canajt, Edhe ëndrrat në oranga (Lirika nga burgu), është një libër me vlera të rëndësishme dhe që lexohet me përkushtim.
Klinë, më 8.4.2023

You Might Also Like