Gjilan

Tejkalohet ngërçi në Kuvendin e Gjilanit, KPF dakordohet për rendin e punës më 27 tetor 

 

Gjilan, 19 tetor / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend raportin financiar janar-shtator 2022, draft-vendimin për caktimin e normave tatimore në pronat e paluajtshme për vitin 2023 si dhe propozim-vendimin për disa ndryshime dhe plotësime në KKSB.

Fillimisht, Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit Komunal e ka ftuar opozitën për bashkëpunim dhe koordinim, në mënyrë që të tejkalohet situata e krijuar, e cila e ka sjellë Kuvendin në një ngërç politik, duke nënvizuar se mbarëvajtja e punës në vendimmarrjen komunale, është interes i qytetarëve.

Opozita (LDK-AAK), e cila e ka shumicën në KPF, ka kërkuar të vazhdohet me seancën e tetë, duke insistuar se nuk mund të thirret seancë e re pa përfunduar ajo paraprake, e cila ishte ndërprerë për mungesë kuorumi.

Pas një konsultimi të përbashkët, KPF u dakordua që seanca e ardhshme e Kuvendit të mbahet më 27 tetor dhe të fillojë me pikat e seancës së tetë, për të vazhduar tutje me pikat e seancës së dhjetë.

Përndryshe, më 27 tetor, në rend dite do të jenë: Kërkesa nga Policia e Kosovës për dhënien në shfrytëzim të objektit të ish QKM-së (pa rekomandim të KPF), raporti i punës i Kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor 2022, raporti i punës për vitin 2021 i  Komisionit Komunal të aksionarëve në KRM “Higjiena”, NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu”, propozim vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve”, “Tregu” dhe KRM “Ecohigjiena”, propozim vendimi për shpalljen e interesit publik për pjesën e parcelës nr.309-0 ZK Stublinë, propozim vendimi për themelimin e Komisionit për zgjedhjen e Këshillave lokale, informata për korrje-shirjet, informata e Komisionit për ndarjen e bursave, raporti financiar janar-shtator 2022, propozim vendimi për caktimin e normave tatimore në pronën e paluajtshme për vitin 2023, propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit 01.Nr.016-55950 të dt.26.05.2022 për themelimin e KKSB, të gjitha këto si rekomandime të Komitetit për Politikë dhe Financa, nga tri takime të tij radhazi.

You Might Also Like