Me një manifestim madhështor, Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan ka shënuar 28–vjetorin e themelimit, në të cilin pos kryetarit të degës dhe nënkryetarit në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë edhe përfaqësues të partisë në nivel lokal dhe atë qendror.
Para të pranishmëve, kreu i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka kujtuar me epitetin më të lartë presidentin Ibrahim Rugova, themeluesit e Degës dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut deri në ditët e sotme.
“Ky përvjetor i madh i lindjes së degës sonë, shënon luftën dhe rezistencës politike në kohët më të vështira për Kosovën, në luftën për liri, pavarësi e demokraci. Kjo lëvizje politike në atë kohë theu tabutë e ish-Jugosllavisë si shtet dhe të ish-bllokut komunist nw Europën Lindore. LDK është partia e parë politike, e cila guximshëm u themelua nga grupi i intelektualëve të Kosovës dhe elitës kulturore, nga njerëzit e librave dhe të dijes. Periudha gati tre dekadëshe e LDK’së lidhet ngusht me veprimtarinë dhe udhëheqjen themeluesit tonë dhe themeluesit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë Haziri.
Haziri ka theksuar se Lidhja e Ibrahim Rugovës ka realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve me bërjen e shtetit të Kosovës.
“LDK është parti, e cila ka realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve. Rruga jonë për ta bërë shtetin është realizuar. Por, sa është ky shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik, prap neve si LDK na mbetet që ta vazhdojmë rrugën dhe ta frocojmë lirinë tonë, ta ruajmë kërcënimin e demokracisë sonë dhe ta shtrijmë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës. Duhet të vazhdojmë t’i kërkojmë të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. LDK duhet të vazhdoj të jetë udhëheqëse dhe bartëse e të gjitha përgjegjësisë dhe bartëse e proceseve. Pa këtë parti nuk është vendosur dhe nuk mund të vendoset për asnjë proces”, ka deklaruar Haziri.
Në emër të kryesisë qendrore kanë folur, Skënder Hyseni e Muharrem Sfarqa, e Arben
Gashi, të cilët thanë se LDK, në krye me Ibrahim Rugovën, e ka dizajnuar projektin e madh të pavarësisë së Kosovës, duke thënë se LDK është sinonim i shtetit të Kosovës dhe si i tillë, nuk do të ishte i mundshëm pa këtë parti.
Ata thanë se LDK e Gjilanit është shpresë për krejt Kosovës sepse “simbolikat të cilat i pëfaqëeson janë simbolika e guximit, vendosmërisë dhe e përkushtimit”.
Në këtë manifestim kanë aderuar në LDK 28 të rinjë, kryesisht studentë të sapodiplomuar.