Libri

U prezantua krijimtaria letrare e Nazmi Rrahmanit

Në kuadër të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit” këtë të shtunë në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli” është prezantuar krijimtaria letrare e shkrimtrait të mirënjohur kosovar Nazmi Rrahmani, i cili  u lind më 7 Maj 1941 në Ballofc të Podujevës. U shkollua në Podujevë dhe në Prishtinë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Prishtinë. Pas studimeve punoi si gazetar në Radio-Prishtina e më pas te gazeta “Rilindja”, për të vazhduar në redaksinë “Jeta e Re” dhe më pas në redaksinë e botimeve “Rilindja”.

Aktualisht jeton në Prishtinë. Ka botuar këto romane:

Malësorja, 1965,

Pas vdekjes ( apo Kthimi i njeriut të vdekur), 1975,

Tymi i votrës së fikur, 1969,

Toka e përgjakur, I,II,1973,

Rruga e shtëpisë sime, 1978.

Këto romane, nga fillimi i viteve shtatëdhjeta e këndej, jo vetëm që janë ribotuar sa herë, por edhe u bënë pjesë e lekturës shkollore, e seminareve dhe punimit të diplomave në nivelin e arsimit universitar por edhe e studimeve të thella letrare, shkruan kryelajmi.com.

Shkrimtari e kritiku, Prend Buzhala, ka thënë se Nazmi Rrahmani është më i lexuari në letërsinë kosovare dhe se romanet e tija janë shkruar nga viti 1965 deri më 1978. Buzhala ka veçuar tri anë të botës letrare të Rrahmanit, duke thënë se në romanet e tija ai trajton tema shqiptare, patriarkalizmin, fatkeqësinë njerëzore, tematika sociale, luftën në raport me pushtetin, konfliktin për tokën, vetëdijen e zgjuar e tema të tjera dhe sidomos botën psikologjike të femrës.

Ajete Zogaj është ndalë sidomos te Romani i parë “Malësorja”, që ishte pikënisje e romanit tek ne e në të cilin autori trajtoi tema e dukuri për të cilat duhej guxim e dituri. Ajo tha se romani “Malësorja” mbetet ndër veprat më të lexuara të kohës e Nazmi Rrahmani i ngriti monument artistik femrës.

Shkrimtari Arsim Halili kishte një punim mbi “Veçoritë narrative në romanin “Toka e përgjakur” nga pikëpamje teorike e narrative, derisa studiuesja Liridona Mehmeti foli për disa aspekte gjuhësore që i ka pikasur në romanin “Toka e përgjakur”, duke thënë se autori ka përdorur varietete të ndryshme të shqipes, fjalë nga e folmja e vendlindjes, shprehje frazeologjike, fjalë të urta, kompozita etj.

Ibrahim Kadriu, shkrimtar i njohur i yni tha se kur ishte botuar “Malësorja” autori ishte ushtar dhe shumë pak dihej për të, por që shumë shpejt kjo vepër u bë më e lexuara. Ai evokoi kujtime për botimin e romanit, kurse foli edhe për Nazmi Rrahmanin, redaktor, më i miri e më i kujdesshmi.

Anton Nikë Berisha, për Nazmi Rrahmanin, tha se është autor bashkëkohorë e klasik dhe se cdo libër i tij rritej me librat e tjerë, derisa vetë autori Nazmi Rrahmani, ka falënderuar Ars Club “Beqir Mulsiun” që drejtohet nga Sabit Rrustemi dhe u shpreh i lumtur që u fol për të gjithë librat e tij. Ai tha se fjalët që u thanë dhe u lexuan e kanë kthyer mbi 60 vite prapa, në moshën e rinisë dhe shtoi se letërsia nuk është ajo që e paraqet jetën reale, por se ajo jep kom binime e ngjarje që kanë ndodhur e që mund të ndodhin.

Studente nga Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” kanë deklamuar pjesë nga romanet e Nazmi Rrahmanit./kryelajmi.com/.

You Might Also Like