OPINION

115 vjetori i Kongresit të Manastirit 

Shkruan: Erisa Bahtijari

Historia e alfabetit të shqipes lidhet ngushtë me fillimin e lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirim nga Turqia. Nis me alfabete të përdorura nga persona të veçantë, shkon deri më 14 nëntor 1908, kur në Manastir u mblodh Kongresi që kishte për qëllim vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm.

Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908 për të vendosur për çështjen e ndërlikuar të alfabetit. Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare.

Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.

Ndër pjesëmarrësit e shquar në Kongresin e Manastirit ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Thoma Abrami, Sotir Peci, Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri.

Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë antarësh nën kryesinë e Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar.

Nismëtar i kësaj frymën ishte Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.

Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.

Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.

You Might Also Like