Shefqet Dibrani
BUKURITË TRONDITËSE
(Fragment nga studim më i gjatë për librin me poezi ORFEIANA të Beqir Musliut, edituar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2004 )
Parantezë
Libri Orfeiana, i Beqir Musliut befason me mënyrën e shtjellimit poetik, si dhe për shtrirjen e gjerë të temës dhe të tematikës që e trajton. Si të themi, prologu në poezinë e Beqir Musliut “realizohet në trajtën e dialogut mitik me muzat, me historinë dhe me legjenden.”[1] Por autori befason më shumë për gamën e gjerë të njohjes së mataforës, simbolit dhe simbolikës poetike, aspektet gjuhësore si dhe për njohjen që ka pasur ai për antikitetin, realitetin dhe surrealitetin. Pastaj shprehjet e rralla, ato më pak të rralla që herë pas here janë përdorur në poezinë shqipe, figurat letrare e ato stilistike, shprehjet gjuhësore etj. P.sh.: “Zjarri nga hiri i ringjalli tre fylltarë/ Bota u harroi mbas ndriçimit, Këngëtar/…/ Nga ajo që shkoi mbeti tërmal/ Mund të shikoj botën ashtu të gjorë/ Hirit iu ktheva sërish nëpër fjalë// E si mund t’ia kthej lulëzimin lules në vesë/ Kur shëmtia vetë ia gëlltit në mungesë.”[2] Kjo mënyrë e shkrimit poetik të sfidon, sidomos dallgët e metaforave që duken si tallaze deti, herë të prajshme e herën tjetër më rrëmbyese, por gjithësesi mbresëlënëse. “Nëpër lëkurën time m’i vizatuan edhe tri tatuazhe/ Thanë Tash mund të jesh prapë në atë pelegrinazh// The Merr/ Ç’të marrësh dhe tatuazhin ma le në fytyrë.”[3] Vetëm pas leximit të librit të parë, të këtyre Shtatë Librave në Një Vëllim të Vetëm, fillon ambientimi me formën e shtjellimit, dhe të konceptimit poetik, e pasi të sfidohet frika, rikthehet pasioni për të vazhduar, mbase kjo ndodhë “për shkak të mënyrës së shkrimit, thurmës gjuhësore dhe diskursit të shkrimtarit”[4] që padashje, shpeshherë kësaj poezie iu ka vë epiteti jo në përputhje me kritikën letrare.
Njohja me poezinë e Beqir Musliut
Beqir Musliun e kam njohur nëpërmes poezisë së zgjedhur te “Libri i Anatemave”[5]. D.m.th. me poezinë më të mirë të atyre Shtatë Librave të botuara në Një Vëllim të Vetëm, i sajuar nga librat e botuar gjerë atëherë të cilët u “formësuan në një tërësi të një libri”[6] siç ishte Libri i Anatemave. Poet i rrallë dhe i papërseritshëm! Pastaj erdhi vdekja e poetit dhe kujtimi i madh që iu bë nga shkrimtarët dhe miqtë e shumtë, e rikthyen mendjen për të dhe veprën e tij. Botimi i kolonës së krijimtarisë që e kishte lënë të gatshëm në vitin 2004, krejtësisht në rrethana të tjera, bëri që emri dhe krijimtaria e Beqir Musliut, përseri të rikthehet në tryezën e shqyrtimeve dhe të studimeve letrare! Pjesë e kësaj kolone është edhe Libri me poezi Orfeiana, një vepër e kompletuar gjithashtu nga Shtatë Libra të cilët përbëjnë librinë më kapital të poezisë në letërsinë shqiptare. “Krijues i jashtëzakontë, jashtëserik dhe jashtëkonvencional, Beqir Musliu, parasegjithash ishte poet, madje i veçantë, kudo në krijimtari, në çdo vepër, po ashtu thuaja gjithkund brenda zhanreve letrare që kultivonte!”[7] Beqir Musliu, ishte një krijues i veçantë, “me aspekte të mendimit filozofik, por gjithnjë duke i dhënë sharm asaj bote që quhet këmbëtare.”[8] Madje, qysh nga fillimet e para, në vitet e gjashtëdhjeta, “me pikëpamje dhe formë insistuese, që nuk ishin të rëndomta për atë kohë,”[9] kjo poezi, ka zgjuar interesimet e studiuesve dhe të kritikës letrare duke u bërë mjetë shqyrtimi për shumë hulumtues.
Beqir Musliu, ka shkruar të gjitha gjinitë dhe llojet letrare: poezi e prozë, dramë dhe kritikë letrare e teatri si dhe eseistikë e publicistikë. Si duket kjo mënyrë e shkrimit poetik e letrar, për rrethanat që kalonte Kosova, atij iu gjet për t’iu shmangur shkrimit të angazhuar, dhe me këtë edhe nënshtrimit ndaj diktatit e diktimit sugjerues, e aq më pak lejonte për t’u instrumentalizuar. Por të bëshë një kritikë letrare për poetin e këtyre përmasave dhe sidomos për një libër me vlerë kapitale siç është Orfeiana, i kompletuar nga Shtatë Libra në një volum prej 458 faqësh është sfidë. Gjithsesi konceptimi i këtyre Shtatë Librave në Një të Vetëm, detyrimisht të rikthen te “Libri i Anatemave”, i cili përbëhet nga Shtatë Libra me poezitë më të mira të përzgjedhura nga Ibrahim Rugova, siç thuhet në tekstin sqarues, në konsultim me poetin, dhe me ndryshime në gjuhën letrare dhe me plotësime e rikthime të shumë poezive të censurizuara nga mentaliteti imponues, që ia kishin hequr ose shkurtuar nëpër botimet paraprake.[10]
Të bësh kritikë të poezisë elitare dhe njëkohësisht t’i trajtosh njëherësh të Shtatë Librat e autorit të futur në brendësinë e Librit Orfeiana, do të thotë, përballje me sfidën e madhe profesionale, qoftë për formë dhe qasjen kritike, për të nxjerrë në pahë elementet e rëndësishme të kësaj poezie apo për t’i trajtuar elementet kreative e të domosdoshme me interes për kritikën dhe studimet letrare.
******
Përfundim
Libri Orfeiana i Beqir Musliut, me tematikën që ka trajtuar, ashtu edhe me mënyrën se si i shtronte problemet poetike, anën artistike, estetikën e vargut, kuptimësinë metaforike e faktografinë, të sjella si kompozicion ka synuar të krijoj imazhin e Perandorit si përfytrim artistik, andaj sistemi rigoroz i vargut abstrakt, mitologjik e antik i ka thyer konvencat e tërë poezisë së gjertanishme e shkruar në hapësirën kombëtare, (jo vetëm në Kosovë, por edhe tej Shqipërisë), dhe si e tillë kjo poezi përfaqësonte poetin e ri në vitet e ’60-ta dhe të pjekurisë në vitet e ’70-ta, i cili me sukses e ka ndërtuar rrugën e komunikimit letrar e artistik me lexuesin dhe shoqërinë edhe në vitet e ’80-ta duke u perfeksionuar gjatë viteve të fundit të jetës që e jetoi në vitet e ’90-ta. “Ky poet edhe përnga struktura e vargut mbetet një individualitet që nuk ka bërë ndërrime e oscilime, ka mbetur përherë i vetes.”[11]
Ligjërimi poetik në Librin Orfeiana, të Beqir Musliut, është drama e udhëtimit historik në udhën e vet, si të themi: “Sintetizim poetik i çështjeve historike”[12] rrëfim ky me mënyrën e tij, unikat dhe i papërseritshëm duke e lënë edhe Librin Orfeiana si testament për tu botur vetëm pas vdekjes, ndoshta me qëllim për të mos i dëgjuar lavdatat të cilat i munguan për të gjallë. Ky narracion poetik është tërësia e dramës etike dhe etnike të cilës estetikisht, gjatë gjithë jetës iu përkushtua Beqir Musliu! Pra siç ka shkruar vet poeti: “Le të mbetet edhe ky Libër sëmundje në botë/ Derisa po mbështillemi me misterin e tij/ Çdo kaptinë le të shpërndajë nga një germë/ Të kryhen aventurat metafizike nëpër botë/ Të atyre që lan gjurmë para Beqir Musliut,”[13] në anën tjetër poeti mendon se “kush arriti ta shfletojë këtë libër i gjallë/ Mund ta nënvizojë emrin e vet në një pikë” pasi sipas tij, “Bozhuret do t’i lulëzojnë në majë të gjuhës.”[14]
E gjithë mitologjia tematike, metaforika nga Antika e gjer më sot, janë pjellë e mendjes së ndritshme të poetit Beqir Musliu, i cili Librin Orfeiana e ka përmbyllur me këtë Testament: “Unë Jam Kipci Yt i Ndritshëm Purpuror, mbase ka mundur të jetë vet Elvan Jusufi, imzot. Amin. Në vend të Këtij Autori Anonim apo Elvan Jusufit, këtë Orfeianë e lexoi dhe e transliteroi për ju: Beqir Musliu, d.v. (Gjilan – Prishtinë, 1965 – 1990).[15]
BioGrafi(k)a e poetit
Beqir Musliu u lind në Gjilan të Kosovës, ditën e hënë më 11 qershor të vitit 1945 dhe vdiq po ashtu ditën e hënë më 24 qershor 1996, në Prishtinë dhe u varros në Gjilan. I ri, me vetëm 51 Vjet e Dy Javë Jetë. Iku për të mos u kthyer kurrë më. Pas vetës la Familjën Biologjike dhe Familjën Letrare. Kaq!
( St. Gallen, Shkurt-Mars 2022 ).
______________________________________
[1] Prend Buzhala, “Muza e zemrës”, shkrime kritiko-letrare për poezinë, botoi “Rozafa”, Prishtinë 2006, faqe 12.
– Krahaso edhe: Prend Buzhala, “Beqir Musliu – Shkrimi i alkimisë letrare”, botuar në librin: “MBRETI I METAFORËS”, Simpoziumi Letrar për Beqir Musliun, 23 Qershor 2011, Botoi Ars Clubi “Beqir Musliu, Gjilan 2011, faqe 56-78.
[2] Beqir Musliu, Libri “Orfeiana”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2004, poezitë (Hiri) dhe (Shëmtia), faqe 48-49.
[3] Beqir Musliu, “Orfeiana”, poezi, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2004, faqe 23.
[4] Nehas Sopaj, “Individualitete letrare 1 – Beqir Musliu”, studim, botoi Shtëpia Botuese, “Rozafa”, Prishtinë 2008, faqe 24.
– Po ashtu krahaso: Nehas Sopaj, “Beqir Musliu – Një shfaqje fenomenologjike në letërsinë shqipe”, botuar në librin: “MBRETI I METAFORËS”, Simpoziumi Letrar për Beqir Musliun, 23 Qershor 2011, Botoi Ars Clubi “Beqir Musliu, Gjilan 2011, faqe 39-55.
[5] Beqir Musliu, “LIBR I ANATEMAVE”, botoi “Rilindja”, Prishtinë 1987.
[6] Ibrahim Rugova, “KRITERET E ZGJEDHJES”, parathënie e librit me poezi të zgjedhur të Beqir Musliut, “LIBR I ANATEMAVE”, botoi “Rilindja”, Prishtinë 1987, faqe 34.
[7] Musa Ramadani, “Asket i lumtur apo Hedonist i vetmuar”, botuar në librin: “MBRETI I METAFORËS”, Simpoziumi Letrar për Beqir Musliun, 23 Qershor 2011, Botoi Ars Clubi “Beqir Musliu, Gjilan 2011, faqe 14.
[8] Ibrahim Kadriu, “Beqiri Ynë”, botuar në librin: “MBRETI I METAFORËS”, Simpoziumi Letrar për Beqir Musliun, 23 Qershor 2011, Botoi Ars Clubi “Beqir Musliu, Gjilan 2011, faqe 18.
[9] Ibrahim Rugova, “OPUSI POETIK I BEQIR MUSLIUT”, parathënie e librit me poezi të zgjedhur të Beqir Musliut, “LIBR I ANATEMAVE”, botoi “Rilindja”, Prishtinë 1987, faqe 8
[10] Shih po aty: Ibrahim Rugova, “KRITERET E ZGJEDHJES”, tek libri me poezi të zgjedhura të Beqir Musliut, “LIBR I ANATEMAVE”, botoi “Rilindja”, Prishtinë 1987, faqe 33-36.
[11] Sabri Hamiti, “Vepra letrare 9”, faqe 316.
[12] Ibrahim Rugova, “Strategjia e kuptimit”, botoi Rilindja, Prishtinë 1980, faqe 257.
[13] Beqir Musliu, Libri “Orfeiana”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2004, faqe 134.
[14] Beqir Musliu, Libri “Orfeiana”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2004, faqe 37.
[15] Beqir Musliu, Libri “Orfeiana”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2004, poezia “Orfeiana e Alkimisë”, faqe 449