OPINION

Ndarja administrative e Gjilanit në fillim të shekullit XX

Enver Sadiku

Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX ishte periudhë kohore kur Perandoria Osmane kishte humbur fuqinë e saj të dikurshme dhe ndodhej para shpërbërjes. Trazirat brendapërbrenda Perandorisë dhe kryengritjet e vazhdueshme të shqiptarëve i kishin dobësuar themelet e saj në Gadishullin Ballkanik. Edhe në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XX, Perandoria Osmane vazhdonte që nën sundimin e saj të kishte territore në Ballkan. Territoret e banuara me shqiptarë nën sundimin osman ishin të ndara në katër vilajete: të Shkodrës, të Janinës, të Manastirit e të Kosovës. Vilajeti i Kosovës i krijuar në vitin 1873, fillimisht njihej si Vilajeti i Prizrenit, i cili përveç territoret e Kosovës së tashme, përfshinte territoret e sanxhakut të Dibrës, Shkupit dhe sanxhakut të Nishit. Në fillim të shekullit të XX, Vilajeti i Kosovës me territor ka qenë shumë më i madh se sa Kosova e sotme dhe në të janë përfshirë Kosova, Sanxhaku, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia Perëndimore. Shumicën dërmuese të popullatës e kanë përbërë shqiptarët, sikurse që ka pasur edhe pjesëtarë të popullatave të tjera, që kanë qenë dukshëm më pak në numër se sa shqiptarët.

Pas luftës ruso – osmane të viteve 1877 – 1878 e ndryshimeve territoriale, në përbërje të Vilajetit të Kosovës me qendër në Shkup (1888 – 1912), kanë qenë njësitë më të vogla administrative – sanxhaqet, të tilla ishin Sanxhaku i Shkupit, i Prizrenit, i Pejës, i Pazarit të Ri dhe i Prishtinës, të cilat i udhëhiqnin mytesarifët apo kryetarët e rretheve. Në kuadër të sanxhaqeve, njësi më të vogla administrative kanë qenë kazatë (rrethet), e në kuadër të kazave si njësi edhe më të vogla ishin nahijet.

Kazaja (Rrethi) e Gjilanit me rrethinë, sipas rregullimit administrativ, në fillim të shekullit XX ishte kaza në kuadër të sanxhakut të Prishtinës dhe kishte të gjitha zyrat si të gjitha kazatë tjera. Sipas sallnameve të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, Kazaja e Gjilanit kishte kapitalin e Arkës së Jetimëve, degën e Bashkisë së Bujqësisë, një shkollë qyteti me shtatë nxënës, një foshnjore vajzash dhe pesë shkolla fillore me 325 nxënës. E gjithë kazaja përbëhej prej 190 katundeve.[1]

Kazaja e Gjilanit ishte ndër rrethet më të mëdha të Vilajetit të Kosovës, ajo përfshinte territore të tanishme të komunave të Gjilanit, Dardanës (Kamenicës), Artanës (Novobërdës), Vitisë e në kuadër të kazasë hynin edhe territore të komunave të Kaçanikut, Prishtinës, Preshevës dhe Bujanocit. Për nga shtrirja gjeografike, kjo kaza përfshinte Malësinë e Karadakut dhe kufizohej me Luginën e Preshevës, nga Veriu e Verilindja ka kufirin natyror të Maleve të Gollakut dhe Maleve të Zhegocit nga Lindja dhe Perëndimi, përmes këtij territori shtrihet rrafshi i luginës së Lumit Morava.[2] Selia e kazasë ishte në Gjilan, që ishte kasaba (qytet). Qyteti përbëhej prej gjashtë mëhallëve (lagje): Mëhalla e Çarshisë, Mëhalla e Xhamisë së Vjetër, Mëhalla e Re (Mëhalla e Balecit), Mëhalla e Varoshit, Mëhalla e Poshtme (Dere Mëhalla) dhe Mëhalla e Romëve.[3]

Në Gjilan ishte e vendosur edhe administrata, ndërsa si organ kryesor administrativ në kuadër të kazasë ishte kajmekami, i cili drejtonte të gjitha punët publike, financiare dhe policore. Sipas këtij rregullimi administrativ, kazaja e Gjilanit kishte Gjyqin e Rrethit që kishte kryetarin (naibi), shefin e financave (defterdari) dhe sekretarin e korrespondencës (qatipi). Naibi, defterdari dhe qatipi përbënin Kuvendin e Kazasë, bashkë me anëtarët e zgjedhur që ishin tre qytetarë myslimanë dhe një i krishterë. Në kuadër të kazasë funksiononte edhe Gjyqi Civil i Shkallës së Parë për punët qytetare, ku kryetar i trupit gjykues ishte naibi dhe dy anëtarë të zgjedhur, një mysliman e një i krishterë. Gjithashtu në kuadër të kazasë vepronte edhe komisioni i regjistrimit të pasurisë, ndërsa kishte edhe nëpunës tjerë si: mbledhësi i tatimeve, dhënësi i pasaportave, qatipi i tapive, mydyri i telegrafit e nëpunës të tjerë.[4]

Kazaja e Gjilanit përfshinte një territor të gjerë, andaj për shkak të lëvizjeve të shumta kryengritëse në fillim të vitit 1910, me urdhrin e sulltanit, në kuadër të kazasë së Gjilanit u formuan dy nahije: Nahija e Moravës së Epërme me qendër në Lubishtë dhe Nahija e Moravës së Poshtme me qendër në Hogosht.[5]

 

Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912 – 1913” i autorit Enver Sadiku.

 

[1] Arkivi i Institutit të Historisë në Tiranë (më tej AIH), Fondi dokumente të sjella nga Arkivi i Stambollit (AS) dhe të përkthyera në shqip – Sallnameja e ndarjes administrative dhe territoriale të Perandorisë Osmane në vitin 1899, A-IV-93, f. 36. Varësisht nga sallnamet (vjetarët), numri i fshatrave në kazanë e Gjilanit ndryshon. Sallnameja e vitit 1873/1874 jep se Gjilani kishte 227 fshatra, ajo e vitit 1893/1894 jep të dhëna se kishte 200 fshatra.

[2] Gjilani me rrethinë – studim monografik. 2012. Kuvendi i Komunës, Gjilan: Proview, f. 35.

[3] Selmani, Aliriza. 2010. Gjilani në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillim XX. Vjetar 43-44. Prishtinë: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. f. 280 – 281.

[4] Rizaj, S. 1969. Kosovski Vilajet 1896-97. Në Buletini i Fakultetit Filozofik VI, Prishtinë, f. 349.

[5] Rizaj, S. 1974. Disa dokumente serbe mbi reformat administrative në Vilajetin e Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Në Vjetar i Arkivit të Kosovës VI-VII, Prishtinë, f. 108.

You Might Also Like