Pavarësisht se ligji për sponsorizim për sport ka kohë që ka kaluar në aspektin ligjor, mbetet ende larg jetësimit të tij, për faktin se shumë ekipe sportive nuk kanë përfituar asgjë nga ky ligj.
Për njohësit e kësaj fushe, kjo po ndodh nga mungesa e një kampanje vetëdijesuese, të një shtjellimi profesional dhe mungesës së informacioneve të nevojshme për bizneset.
Në anën tjetër, çdo ditë e më shumë ekipet sportive futen në kriza financiare, në mungesë të sigurimit të mjeteve materiale më bazike, e që ky ligj do t’i shpëtonte nga shuarja e tërësishme aktiviteteve sportive.
Për më tepër institucionet relevante qendrore dhe lokale duhet të kenë një bashkëveprim reciprok, një plan hartues për një fushatë ndërgjegjësuese, duke ua ofruar bizneseve një sërë metodash lehtësuese me kompetencë dhe profesionalizëm për t’i kuptuar sa ma mirë e më lehtë përfitimet e këtij ligji.
Ligji aktual për biznese parasheh që 10 % e fitimit neto të një ndërmarrje apo kompanie duhet paguar shtetit. Nga ky 10 % i tatimit neto në fitim, ligji për sponsorizim parasheh 30 % sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit. Që kjo të kuptohet me lehtë, nëse një kompani paguan tatim në fitim 10 mijë euro, atëherë 30 % kësaj vlere është 3000 euro, që do të thotë se një kompani XY mund ta ndihmojë një aktivitet apo klub sportiv me 3000 euro.
Të gjithë subjektet juridike kanë të drejtë të kontribuojnë në ligjin për sponsorizim, ndërsa bizneset individuale nuk kanë të drejtë.
Klubet sportive nuk duhet të abuzojnë nga ligji për sponsorizim, por të jenë korrekt dhe transparent.
Do të ishte mirë që sa më shpejtë përgjegjësit e dikastereve përkatëse komunale të nisin një plan hartues dhe t’ua bëjnë me dije bizneseve se ata që kontribuojnë në sponsorizim do të kenë masa lehtësuese.
Koha më e përshtatshme për të vepruar organet gjegjëse është tash para përfundimit të vitit kalendarik, por edhe atij fiskal.
Ligji për sponsorizim, përveç fushës në sport mund të aplikohet edhe në atë të kulturës dhe rinise, me 20% nga tatimi në fitim.
/Fehmi SYLEJMANI, ish gazetar profesionist i sportit, tani opinionist për çështje shoqërore (arsim, kulturë, sport, …)/