U PËRMBYLL FESTIVALI STAND UP KOMEDI 4 NGA VARG E VI
Festivali Stand Up Komedi, sivjet me edicionin e katërt, u hap në Teatrin e Gjilanit, të premten, më 26 dhjetor, në ora 19:00, për të vazhduar rreth 2 orë të plota, e për të vazhduar më pas me audiencën tjetër me stand up komedianët e njëjtë të performancës paraprake, dhe në natën e dytë, më 27 dhjetor, njësoj, me stand-up komedianët e tjerë të radhës.
Avni Shkodra si koordinator i festivalit, nga Varg e Vi, dhe njëherazi edhe stand-up komedian, e hapi festivalin, duke falënderuar në radhë të parë, Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës për mbështetjen financiare, Teatrin e Gjilanit për bashkëpunim për futjen e festivalit në repertorin e dhjetorit dhe hapësirën, ekipin e Varg e Vi-së, vullnetarët e Zërit Rinor-Gjilan dhe audiencën prezente.
Shkodra zhvilloi stand-up komedinë e re, bazuar në rrëfimet e copëzave të jetës së tij si fëmijë, pasionin dhe interesimin aktiv të kahmotshëm për futbollin; nostalgjitë për Kampionatin Botëror në vitin 1994, kur Roberto Baggio nga Italia e humbi penalltinë në finale kundër Brazilit; turniret e futbollit në gjimnaz, pjesëmarrjen aktive si senior i Dritës; futbollin e dikurshëm dhe mahinë mbi qenin që lidhej te shtylla e portës mbrojtëse për ta trembur kundërshtarin, pa lojë profesionale e referim amator; frikën për ndërhyrje të palejueshme pa sigurime shëndetësore; shakatë me frizurat e djelmoshave të rinj me gel si ngrirje me antipodin-antifrizin për krijim të shakasë; lidhjen e pasionit të futbollit edhe me bastoret, e deri në batutat për kualifikimin e Kosovës në Kampionatin e ardhshëm Botëror në SHBA e vende të tjera, si dhe me rekomandimin cinik se duhet dorëzuar lojën ndaj amerikanëve, duke krijuar të qeshura në sallën e kuqe të Teatrit të Gjilanit.
Më pas, Shkodra prezantoi stand-up komedianin e dytë për natën e parë, Ernest Zymberin, i cili doli me banane në duar bashkë me mikrofonin, duke krijuar që në fillim humorin për publikun, me bazë fallucentrizmin edhe në fruta, pemë, siç simbolizon kahmotshëm bananja tashmë penisin mashkullor dhe seksin oral, duke kulmuar me shakatë se disa “shpija” nuk blejnë, ose blejnë, por bananet i hanë veç burrat, për të mos krijuar atmosferë të pakëndshme për shkak të përfaqësimit fallucentrik të bananes si penis dhe ngrënies së saj, për simbolizim të seksit oral, e veçmas në shoqëri të frustruar seksuale, si kjo e jona. Disa shpi – tha ai, blejnë portokaj në vend të bananeve, për t’i ikur seksualizimit simbolik të bananes. Më pas shpotiti shoqërinë, maniakët seksualë, që nëse do të donin, edhe sarmet, do t’i shndërronin në fantazi seksuale. Duke zhvilluar satirën më tej, Zymberi tërhoqi paralele për frikën ose druajtjen e të folurit para publikut, me frikën nga vdekja, batutat për ligjërimin e imamëve fetarë, që kur flitet për vdekje, më shumë i drejtohen seksit mashkull të besimtarëve, sesa vajzave e grave. Dhe më pastaj, krijoi shumë batuta për raportet ndërmjet bashkëshortëve me bashkëshortet e tyre, ironitë që bashkëshortët kur janë me shokët e tyre, krijojnë krejt qëndrime të tjera ndaj tradhëtisë bashkëshortore që e dëgjuakan një histori të tillë, sesa kur janë me njëri-tjetrin si shokë, duke e arsyetuar atë. Në stand-up, Zymberi u mor edhe me stereotipin e burrave që gratë e duan shoping-un, ndërsa burrat krijojnë komunitet të veçantë e të përkohshëm, pranë dyqaneve të rrobave, duke i pritur bashkëshortet kur e përfunduakan. Çështjet si, ndrydhja seksuale, tradhëtia bashkëshortore, shoping-u etj., ishin disa nga kodet tematike të Zymberit.
Pas Zymberit, doli në skenë Euron Fetahi nga Kumanova, duke rrëfyer për lidhjen e shqiptarëve të Kumanovës me Gjilanin, qoftë për shkollim, qoftë për blerje në dyqane, nostalgji, kujtime, shoqëri e argëtim. E nisi gjithë rrëfimin me profilin e babait të tij në konflikt me nënën, për shkak të nostalgjive për të kaluarën e shakatë xheloze për të dashurat si adoleshent. Në sjelljen e nënës, përqendrohej në dëshirën për të blerë veçmas në dyqanet gjithçka 1 euro, qoftë edhe për blerje të gjatë, të mundimshme, duke shpenzuar mjaft shumë te “Durrësi” në Gjilan, por edhe blerjet e tepruara e të panevojshme, të nxitura nga shoqëri konsumeriste, ku stisen nevoja të rrejshme për konsumatorë. Edhe stand-up komedia e tij shpotiti me stereotipin për gratë që janë të fiksuara me shoping-un. Numëronte pjata, lugë, gota të blera, shuma të mëdha të shpenzuara në dyqane që presupozohet të kenë kosto të ulëta, me iluzionin gjithçka 1 euro, por që në fund, totali i çmimit bëhet mjaft i lartë. Më pastaj, tregoi për konfliktin fëmijë-baba, duke krahasuar pasurinë dhe arritjet në kapital social e kulturor të prindërve të fëmijëve të tjerë, madje ironia shkoi deri aty, sa babain e tij e kishin kaluar baballarët e tjerë që kishin më shumë se ai, edhe gra. Dhe në përmbyllje, përmendi atmosferën në prag të Zgjedhjeve të Përgjithshme më 28 dhjetor, duke lozur me stereotipin për mërgimtarët, teksa kishte parë disa prej tyre në veturë me shqiponje dhe duke vallëzuar, duke e përfunduar sërish me një stereotip drejt tyre, se mërgimtarët i dalloj nga dy gjëra: i frikësohen gruas dhe e duan Albin Kurtin!
Flakrim Fejzullahu, stand-up komedian shqiptar nga Suedia, u ngjit në skenë, me një ironi të hollë, teksa ankohej se bari nuk është i keq, por nuk është i mirë si dikur, nga hilet e tregut që po i përziejnë drogat me lloj-lloj përbërësi; erdhi me humor të zi, mbi nevojën për ruajtjen e traditës për rrahjen e fëmijëve si mjet pedagogjik dhe autizmin, duke krijuar ndjenja ambivalente te publiku, por dominoi e qeshura, pasi me një gjuhë, interpretim më unik, rrëmbeu publikun vazhdimisht, se si krijonte stand-up-in e tij. Në fillim, shpjegoi se do të kalonte nga një temë në temën tjetër, tamam si në skroll-in e TikTok-ut. Më pas, dominoi satira për ruajtjen e traditës së rrahjes së fëmijëve, “me diploma”, duke i quajtur vrazhdë, por duke e bërë të qeshte publiku, me “dreqnit e vogël”. Më pas, kaloi në përvojën me ish-të dashurën, e cila kundërshtonte fuqishëm dhunën ndaj fëmijëve, duke i premtuar, se ai do t’i rrahte fëmijët edhe në vend të saj. “Unë i rrah fëmijët edhe për veten time, edhe për ty, ti pusho zemër”. Më pas, ndërlidhi rrahjen e fëmijëve me reduktimet e energjisë elektrike, “rrahjen e dikurshme në terr”. Pas kësaj, tregoi se është arsimtar, qiraja e shtrenjtë në Suedi, humbjen e respektit të fëmijëve për më të rriturit, përfshirë edhe autoritetin e mësimdhënësit; batutat se edhe fëmijët po bullizuakan arsimtarët, kërcënimin për heqjen e mungesave, konfliktin kulturor shqiptar me atë suedez, siç qe rasti me një grua suedeze që kishte shprehur dhembje kur kishte rrëfyer për bërjen synet si mysliman. Humori i tij ishte unik në interpretim, komunikim me publikun, sakaq edhe humorin e zi, publiku e pranoi, madje shumë mirë. Natyrisht, në qendër të stand-up komedisë së tij, ishte konflikti kulturor, pasi po akumulonte përvoja nga dy mjedise të ndryshme kulturore, shqiptar dhe suedez, si dhe mesazhin se “ishte rrahur në fëmijëri” dhe trauma e kulturës që legjitimonte dhunën, tashmë ishte krejtësisht normale për të si i rritur.
Pas Flakrimit, radha ishte për Hasim Memishi Sopi nga Tetova, përqeshje për zgjedhjet, për deputetin shqiptar që ishte për 16 vjet për 4 mandate, në total prej 600 mijë eurosh dhe vetëm një herë kishte folur, kur kishte kërkuar që të ndalej ‘klima’ nga frika e kapjes prej “prymajes”, për të vazhduar më tej me batutat për mungesën e respektimit të rregullores për pauzat nga zyrtarët e shërbyesit civilë në administratë, në Maqedoninë e Veriut; për traditën e ushqimit me byrekë, gjevrekë dhe koston e rritur të jetesës, që në javën e parë çorbë, javën e dytë byrek me jogurt, javën e tretë gjevrek dhe javën e fundit të muajit kur vështirësohet jetesa nga pamjaftueshmëria e pagës, me agjërim, ramazan. Më tej, vazhdoi me susamin e tejpërdorur në hapësirat shqiptare të Maqedonisë, “susamin në gjak”, për 20 vjet pa asnjë ditë në vendin e punës, por që protestuan për kompensimet për transport, pa shkuar fare në punë, abuzimin e dyfishtë me paranë publike të zyrtarëve të administratës. Në fund, krijoi batuta edhe për paditurinë profesionale e teknologjike, me injorancë edhe për gjërat më të thjeshta në administratë, siç ishte mungesa e dijes elementare teknologjike, edhe për përdorim mausi dhe kursori.
Pas stand-up-it nga Tetova, doli në skenë Mentor Shuki nga Prishtina, i njohur për thyerje të çdo tabuje e vulgaritet, shprehje eksplicite, dobësimin me viagra, mjaltë, për “gratë elitare” që çmenden pas Ramë Lahajt; për stereotipat për Gjilanin e Tërnocin si dilerë të drogë, për përhapjen e aq shumë moteleve; për abuzimin me viagra e kamagra, për biznesmenët e zënë me neglizhencë seksuale dhe emocionale ndaj bashkëshorteve të tyre e lidhjes me dashnore jashtëmartesore, duke investuar më shumë në lidhjet e fshehta, sesa në bashkëshortet e tyre me kurorë martesore. Më pas, kaloi në stereotipa për bullgarët, për shqiptarët që shkonin dikur në Bullgari për prostitucion. Kah pjesa e mëtejshme, zhvilloi batuta për “gjyshet e dikurshme kosovare”, që një jetë të tërë e kishin kaluar pa një orgazmë të vetme, për kiçin kulturor të programeve të Vitit të Ri, për sfidat e stand-up komedianëve për ta bërë sot publikun të qeshte, për tullacët dhe mbjelljen masive të flokëve dhe për të krijuar humor të zi me rastin e fundit të lajmeve për vdekjen e një figure të njohur që nuk e përmendi me emër, por dha kontekst për ta identifikuar publiku, që sipas imagjinatës së tij artistike, “as nuk pagoi, e as nuk penetroi”; dhe së fundi, sërish u kthye në temën për abuzimin me droga dhe stereotipin për tërnovcasit si dilerë e abuzues drogash, duke ekzagjeruar me dëshirën për një nuse te miqtë që konsumojnë droga. Publiku tashmë e njeh Shukin në skenë, me batura për seks, tradhëti bashkëshortore, drogë, stereotipa për qytete e rajone, për autoritete fetare; për vulgarizime, sharje dhe nevojën për audiencë +18. Sidoqoftë, çdo stand-up komedian ka audiencën e vet dhe Shuki e gjen atë edhe në Festivalin Stand Up Komedi në Gjilan, për të dytin vit me radhë, me pjesëmarrjen e tij, duke i dhënë diversitet tematik dhe stilistik, festivalit.
Valina Muçolli ishte në radhë, duke krijuar shaka me inatin e shqiptarëve, obezitetin, lindjen e fëmijëve, për kultivimin e inatit që nga gjiri i nënës, të tipit “pije qumështin se ta merr tjetri”. Valina vazhdoi me batutat për profesionin e aktores, stereotipat që nxënësit e dobët shkojnë më shumë për aktrim, për mallkimin si kulturë e dikurshme e nënave, për frustrimin e grave të dikurshme shqiptare që burrat e tyre shkonin dikur në Bullgari, e deri në transformimet shoqërore të pasluftës, kur bashkëshorti puth publikisht barkun e nënës shtatzënë, e deri te festat e globalizuara kulturore të “Gender Reveal” (festa e njohjes nga rrethi familjar/miqësor, me seksin e fetusit në barkun e nënës), snobizmin kulturor. Muçolli është e njohur për detektim të etnopsikologjisë shqiptare; e njohur me stand-up komeditë që krahasojnë kohën e dikurshme me të sotme, shoqërinë kosovare tradicionale dhe kalimin në modernitet, duke rikujtuar shumë nga format e tejkaluara të komunikimit, si ajo me kollën, duke të paralajmëruar se WC-ja është e zënë; shfaqjen e autoritetit prindëror, burrëror e bashkëshortor përmes kollës, duke i dhënë asaj një funksion të shumëfishtë në komunikim të përditshëm familjar.
Në natën e dytë, Avni Shkodra performoi me stand-up komedinë e natës paraprake për audiencën e re. Pas tij, doli Kushtrim Qerimi, me një shaka për mërgatën, kontributin e saj dhe sforcimin e stereotipave mbi marrëdhëniet e kosovarëve me mërgimtarët; pastaj doli në temën e shitjes së banesave, e veçmas kulmoi me ironinë që kriteret e ndërtimit nuk respektohen, sakaq kur e kishte pyetur një klient për kriterin seizmik të objektit banesor, ia kishte rekomanduar “shehadetin”, jo në duar të Ligjit për Ndërtimin ose Udhëzimet Administrative për kushtet ndërtimore, por për lutje të Zotit që të mos kishte tërmete, sesa për ndërtime me kritere, do të bëhej kiameti! Lëndë tjetër tematike në stand-up komedinë e Qerimit, u bë dekonstruktimi literal i fjalëve të urta, duke i dekonstruktuar një nga një, si në fundamentalizmin e interpretimit të një teksti fetar, kur lexohet bukvalisht, e jo metaforikisht, alegorikisht. Sidoqoftë, dekontruktimin e bënte me shaka me lezet dhe publiku e duartrokiti shumë, për mjeshtërinë se si e bënte këtë, duke i bërë fjalët e urta, fjalë mjaft të serta.
Pas Qerimit, u shfaq para publikut në festival, Esat Shabani, i njohur për mënyrën tejet serioze të rrëfimit dhe interpretimit, sakaq nga dëgjimi aktiv për një rrëfim, plasnin të qeshurat e publikut. Krahasonte jetën e tij të dikurshme në fshat, si fëmijë, rrahjen e zakonshme nga më të rriturit dhe prindërit, traumën e synetimit dhe figurën e xharrahut, lojën e gjatë në lagje, ndëshkimin në shkollë, qoftë për vonesë, mungesë, apo mungesë disipline për kryerjen e detyrave shkollore në shtëpi. Rrëfente për brutalitetin dhe paradoksin e dikurshëm të dashurisë për kafshët, shpezët etj., veçmas pulat, që kishte tallje nëse do të ishit qyqar e nuk do të guxonit t’ia prisnit kokën, një pulës. Sentimentalizoi publikun me rrëfimin për pastrimin si fëmijë nga nëna dhe ku kishte kaluar në traumë për pastrim trupor, sepse aty në banjo, jepte të gjitha llogaritë për kundërshtimin e normave prindërore, duke u ndëshkuar edhe fizikisht e verbalisht.
Pas Shabanit, skena ishte për Alketa Sylën, e cila hyri me një cinizëm e ironi për zgjedhjet, Big Brother, për dekonstruktimin e atyre që tjetër gjë thonë, tjetër gjë mendojnë, tjetër gjë bëjnë, e krejt tjetërçka prezantojnë para të tjerëve, si në batutën “nuk e këqyri Big Brother, veç do video që m’dalin, se jo… Hej, Alba e teproi”, duke kulmuar me gënjeshtrën dhe mungesën totale të konsistencës në fjalë e sjellje. Ironizonte me vetë stand-up komedinë, aktrimin, demotivimin nga profesorët e dikurshëm në aktrim, përvojën e saj me aktivizimin, cinizmin për puthjet e famshme në hapësirë publike dhe komentet deri në sheriatike për “ta varur në shesh” etj. Luante me disa stereotipa për Gjilanin, Papakun, Valin, Adrianën, por sërish i kthehej dhe vetë i çmontonte ato, çka e bënte unike në këtë stil: e gjuante një stereotip, pastaj e shpërthente vetë në ajër. Kritikonte disa sjellje, si ato me petarde, armë e zhurmë për Vitin e Ri, për snobizmin e disa nënave e grave për Hallovinin, për stereotipat e disave për të drejtat e LGBTI-së, kinse janë të importuara nga të huajt… Alketa më së shumti kishte në kod tematik, kritikën ndaj pushtetit, por edhe kritikat për koston e lartë të jetesës, e veçmas faturat me çmime të larta për energji elektrike, dhe kritikat për analogjitë e dobëta të kryeministrit të deritashëm të Kosovës.
Leon Bixhaku performoi si stand-up komedian i ri, i cili në edicionin e tretë të festivalit, kishte mbajtur stand-up komedi vetëm për një audiencë të kufizuar familjare pas punëtorisë “Stand up-Në bërje”, ndërsa në këtë edicion, doli me një stand-up komedi para audiencës së gjerë. E nisi me origjinën nga Kopernica, ndërsa të tjerëve po u thoshte nga “kompleksi psikologjik rural”, se ishte nga Gjilani. Ironizonte që në Gjilan ka vetëm një semafor në qendër të qytetit, ndërsa kur studentët studiojnë e banojnë në Prishtinë, nga referenca e gabuar në Gjilan për vendndodhje, edhe në Prishtinë, orientohen me semaforët, ndërsa në Prishtinë, ka më shumë vende ku ka semaforë. Më tej, Bixhaku krijoi të qeshura me konfliktin e tij si fëmijë me prindërit, për mediet sociale dhe përdorimin e FB-kut të babait, duke bërë një herë, edhe një sherr, duke ndarë nga llogaria e babait, një fotografi të “motrave të Nexhatit”. E përfundoi rrëfimin, me dështimin në testin për patentë-shofer dhe postimin e rrejshëm që e kinse e kishte kryer, duke nxitur të qeshura në sallë, me: “Urime patentë-shoferi!”.
Nina Sopi gjithashtu stand-up komediane e re nga “Stand up-Në bërje”, e nisi rrëfimin me pasionin për çokolada dhe pasojat për dhëmbët nga to, duke shkuar për vizitë te dentisti, e për t’u ballafaquar me një të moshuar, që kishte ardhur për protezë të dhëmbëve, duke e keqkuptuar me protestë, e duke e keqkuptuar edhe për protezë të këmbëve. Më pas, Nina përqeshi kodin etik infermieror, duke qarë jo për pacientë, por për fatin e personazheve në seriale televizive në ordinanca e spitale.
Pas Ninës, sërish për audiencën e re të natës së dytë, doli Flakrim Fejzullahu. Pas tij, Lulzim Buca. Buca krahasoi jetën e dikurshme si fëmijë në bashkësi të gjerë familjare e dhoma të përbashkëta, me fëmijët e sotëm që kanë dhomën e tyre personale e private. Ironizonte me Kamenicën e dikurshme me tri ndërtesa të vetme dhe lidhjet e gjera farefisnore me njëri-tjetrin, me nevojën e kamenicasve për të ardhur e njohur dikë – vajza në Gjilan, ndërsa rrëfente se si djemtë e Gjilanit vinin në Kamenicë, për t’u njohur me vajzat në Kamenicë. Rrëfente shumë tregime nga fëmijëria e viteve të ’90-ta të shek. XX, jetën e përditshme, lojën me fëmijë, vështirësitë e prindërve për të gjetur zgjidhje për të bërë seks kur fëmijët i dërgonin te shitorja sa më larg, që të vonoheshin për kthim në shtëpi derisa ta kryenin aktin.
Med Sadria ishte mysafir special nga mërgata në Austri, i cili për herë të parë po realizonte një stand-up komedi në gjuhën shqipe, në festivalin e organizuar në Teatrin e Gjilanit nga Varg e Vi. E gjithë stand-up komedia e tij, ironizonte me sjelljet e familjarëve e kosovarëve në raport me ta si mërgimtarë, qoftë për dasma te dikush që nuk i njeh fare për hatër të prindërve; për ndërhyrje e ndërmjetësim për të gjetur partner etj., si dhe konflikti kulturor shqiptar me atë austriak, duke ironizuar se si kërkonte leje për dalje nga vendi i punës veç për dy orë, për vdekjen e më të dashurit, ndërsa për qenin me javë të tëra, duke përqeshur zoocentrizmin austriak karshi antropocentrizmit emotiv të shqiptarëve. Sadria tregonte se në stand-up komeditë e tij, ka thumbim si ndaj kulturës shqiptare, si ndaj kulturës austriake, madje kishte bërë batuta edhe për komunitetin mjaft të konsoliduar në Austri, siç janë serbët.
Pas çdo performance të stand-up komedive, përfshirë edhe natën përmbyllëse, publiku ka pasur mundësinë që të argëtohej me muzikë nga Cats Quartet, i cili është një ansambël xhezi kreativ, i formuar nga katër muzikantë nga skaje të ndryshme të Kosovës, që përzien xhezin bashkëkohor me ngjyrime ballkanike, tekstura modale dhe një ritëm lozonjar që është bërë shenja e tyre dalluese. Gjithashtu, shtëpiza prej druri e organizuar për pije të ngrohta e të ftohta nga Viva La, ofronte për publikun një atmosferë të ngrohtë në një natë dimri.
Festivali Stand Up Komedi, i themeluar dhe i organizuar nga Varg e Vi, për edicionin e vitit të pestë dhe të gjashtë, për dy vjetët e ardhshme, 2026 dhe 2027, gjithashtu nga Thirrja Publike për Mbështetje Trivjeçare e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës, ka siguruar mbështetjen financiare trivjeçare. Festivali vazhdon të konsolidohet dhe të bëhet i përvitshëm, në prag të çdo Viti të Ri, duke krijuar shumë partnerë, miq, përkrahës dhe audiencë të gjerë e besnike.





