Shëndeti

SHËNOHET DITA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË PACIENTIT NË KOMUNËN E VITISË

Sot, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti, me një aktivitet simbolik, ka shënuar Ditën Evropiane të të Drejtave të Pacientit, ku punëtorët shëndetësorë pacientëve të rastit u kanë shpjeguar për Kartën e të Drejtave të Pacientit, si dhe është biseduar rreth të drejtave, obligimeve të pacientëve, si dhe përgjegjësive që ata kanë brenda institucioneve shëndetësore.
18 prilli njihet si Dita Evropiane e të Drejtave të Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse për respektimin e të drejtave bazë të pacientëve, duke i bërë ata jo vetëm marrës të shërbimeve, por edhe pjesë aktive të sistemit shëndetësor.
Të drejtat bazë të pacientëve, të njohura ndërkombëtarisht, afirmojnë dhe garantojnë ushtrimin efektiv të tyre nga individët, përfshirë mjekësinë parandaluese, qasjen në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin, respektin për kohën e pacientëve, si dhe të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim.
Në Viti, në koordinim ndërmjet DSHMS-së, QKMF-së dhe AQH-së, është formuar edhe Këshilli i Pacientëve, i cili është pjesë aktive e QKMF-së.
Lajmi dhe fotot: QKMF-Viti

You Might Also Like