Arti pamor

Punime artistike që bartin brenda tyre kujtesën, krenarinë dhe identitetin tonë

Shkruan: Diora Salihu

Sot, në ambientet e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, u zhvillua një ekspozitë grupore me piktura të një niveli të lartë, e cila u shndërrua në një dëshmi të fuqishme të rolit që arti luan në ruajtjen, kultivimin dhe përcjelljen e identitetit tonë kulturor shqiptar.

Kjo ngjarje nuk ishte thjesht një paraqitje veprash, por një përjetim estetik dhe shpirtëror që preku thellë çdo të pranishëm. Ekspozita e sotme trajtoi temën: Arti dhe identiteti kulturor.

Nxënësit të cilët u prezantuan në këtë ekspozitë janë: Diar Salihu,Diora Salihu, Doaa Demiri, Eda Ajeti, Elona Maliqi, Endrin Tërstena, Endrina Tërstena, Erda Bajraliu, Erisa Toski, Etikë Emini, Natyra Zymberi, Zanë Kqiku dhe Yllkë Emini.

Përmes interpretimeve të veprave të mjeshtërve si: Nexhmedin Zajmi -“Skënderbeut” , Sali Shijaku – “Zadrimorja”, pastaj Simon Rrota – “Portreti i malësores”,“ Portë në Shkodër” dhe Guri Madhi “Portretit të Idriz Seferit”, nxënësit pikturuan me ndjeshmëri të veçantë, arti u shndërrua në një gjuhë të gjallë dhe të fuqishme, e cila ruan, pasuron dhe përcjell në mënyrë dinjitoze identitetin tonë kombëtar.

Një nxënës punoi kalanë e Artanës, tjetra punoi një moment nga dasmë shqiptare, pastaj tjetri “Roja me veshje kombëtare nga zona e Jugut të Shqipërisë”. Në këtë ekspozitë u përfshinë gjithashtu edhe imitime të punimeve nga Arti popullor shqiptar, punime leshi të realizuara në vegje: si Hejbe (Labëri), ndërsa torba (Malësi e Madhe), fragmente përpareje, duke rikthyer kështu në vëmendje vlerën e jashtëzakonshme të zejeve si pjesë e pandashme e trashëgimisë sonë kulturore.

Këto punime përfaqësojnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar rrënjët, për të ndjerë trashëgiminë dhe për ta shprehur atë me një gjuhë bashkëkohore artistike. Ato bartin brenda tyre kujtesën, krenarinë dhe identitetin tonë, duke dëshmuar se arti vazhdon të mbetet një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet brezave.

Merita të veçanta i takojnë profesoreshës së artit pamor, Magbule Xhemaili, për përkushtimin, udhëheqjen dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme, duke qenë frymëzim i palëkundur për zhvillimin artistik të nxënësve.

Një falënderim i thellë dhe i veçantë i shprehet MKRS-së, për mbështetjen e çmuar institucionale, besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj nismave që promovojnë artin dhe kulturën tek të rinjtë. Kontributi i tyre është një shtyllë e rëndësishme në fuqizimin e aktiviteteve të tilla, duke krijuar hapësira ku talenti zhvillohet dhe identiteti kulturor ruhet me dinjitet. Po ashtu, mirënjohje e sinqertë i drejtohet drejtorit të Institutit për Zhvillim dhe Integrim, z. Lulzim Sejdiu, për përkushtimin, mbështetjen e vazhdueshme dhe për ndarjen e certifikatave, duke motivuar dhe vlerësuar punën, kreativitetin dhe angazhimin e nxënësve. Falënderojmë drejtorinë e Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, po ashtu profesorët Enver Sadiku dhe Enver Rexhepi që me përkushtim të vazhdueshëm krijojnë hapësira frymëzuese për zhvillimin e talenteve të reja, duke dëshmuar se arsimi dhe arti ecin krah për krah në formimin e një brezi të vetëdijshëm dhe krijues. Kjo ekspozitë do të mbetet një moment i veçantë, një dëshmi e gjallë e faktit se arti është më shumë se krijimtari – ai është identitet, histori dhe një pasuri e çmuar shpirtërore që na përfaqëson dhe na bashkon. Mirë u takofshim në ekspozita të tjera.

You Might Also Like