Muzikë

Anna Krasniqi, ylli që premton: Në janar do të incizoj në Romë, ëndrrat e mia po marrin formë  

Flonja Haxhaj

Për Anna Krasniqin, vajzën 14 vjeçe nga Prishtina, viti që po e lëmë pas do të mbetet si viti që ka trasuar rrugën e saj artistike, rrugë që ia vulosi një juri ndërkombëtare në Ragusa të Italisë, e cila triumfoi në një konkurrencë me mbi 50-të këngëtarë nga shtete të ndryshme të botës, ku Annës iu ndanë dy çmimet kryesore të festivalit, çmimi Grand Prix dhe çmimi “Jimmy Fontana”, ku ky i fundit i siguron Anna Krasniqit regjistrimin e këngëve në Romë të Italisë. 

Dhe ky sukses e ka siguruar Annën që pasioni për muzikën, është pasion suksesi, e që këtë angazhim e ka nis qysh prej moshës pesë vjeçe.

Muzika ishte pjesë e pandashme e jetës së saj që në fëmijëri. Ajo është rritur mes aktiviteteve kulturore, koreve të fëmijëve dhe një ambienti familjar që e ka ushqyer vazhdimisht me dashuri për artin.

Sot, Anna Krasniqi po zhvillohet gradualisht si një nga zërat e rinj premtues, jo vetëm në Kosovë, por edhe në skena ndërkombëtare. Angazhimi i vazhdueshëm në shkolla muzikore dhe puna e vazhdueshme në teknikën e zërit, janë dëshmi e një rruge që po ndërtohet hap pas hapi. Në një intervistë për KultPlus, ajo rrëfen fillet e saj në muzikë, përvojat e deritanishme, emocionet dhe ëndrrat e saj për rrugën muzikore që po e pret.

Fillimet e Annës në muzikë lidhen ngushtë me një fëmijëri të mbushur me këndim, instrumente, balet…, shumë më përpara se ajo ta kuptonte këngën si synim profesional. Lidhja e saj me muzikën lindi brenda ambientit familjar duke u konkretizuar edhe më shumë me korin e fëmijëve, ku ajo jo vetëm që nisi të mësojë bazat e këndimit, por edhe të ndërtojë raportin e parë me skenën dhe publikun.

“Mami më ka treguar se unë qysh e vogël kam pas vesh për muzikë, më ka provokuar gjithmonë muzika. Kam përcjell ritmet që më kanë rrethuar.  Më pas, në moshën 5-vjeçare, mami na dërgoi mua dhe motrën time Ninnën, në korin e Drita Rudit ‘Xixëllonja’. Mami ka vërejtë talentim tim, por qëllimi i saj ishte më shumë që të socializohemi, të kemi një adresë tjetër të angazhimit, përpos kopshtit, se atëherë të dyja kemi qenë në kopsht.  Në ‘Xixëllonja’ unë dhe Ninna patëm realizuar edhe këngën e parë, e që titullohet “Një pëllummb i bardhë” e që mbetet një kujtim shumë i bukur për mua. Me atë këngë patëm fituar vendin e parë në një garë për fëmijë në Mitrovicë”, tha Anna Krasniqi për KultPlus.

Ajo thotë se muzika ishte përherë pjesë e fëmijërisë së saj, duke mos u fokusuar në një zhanër apo gjuhë të vetme. Që në moshë të hershme, ajo u rrit duke dëgjuar artistë të ndryshëm botërorë, gjë që ndikoi në ndërtimin e shijes së saj muzikore dhe në zgjerimin e horizontit artistik, duke e bërë muzikën pjesë të përditshmërisë së saj.

“Mami, mua dhe motrën time na ka rritur gjithmonë me zhanre të ndryshme të muzikës, gjithmonë na ka vënë në gjumë me këngë. Adele, Rita Ora, Dua Lipa, Ermal Meta kanë qenë këngët që i kemi dëgjuar shpesh, sikurse që i kemi dëgjuar edhe këngët e Muharrem Qenës, Vaçe Zelës e këngë të tjera që mbeten si këngë të rritës sime”, shtoi Krasniqi.

Përballja e parë me një skenë erdhi herët, përmes paraqitjeve me korin, duke i dhënë Annës kontaktin e parë me publikun dhe emocionet që e shoqërojnë performancën live. Edhe pse frika dhe emocionet ishin të pashmangshme për një fëmijë, këto përvoja u shndërruan në kujtime të bukura, por që në të njëjtën kohë e ndihmuan të krijojë më shumë siguri në paraqitjet skenike.

“Dalja ime e parë në një skenë ka qenë me ‘Xixëllonjat’. Unë në këtë kor kam qëndruar për katër vite. Prej aktiviteteve, koncerteve që i kemi pasur nëpër televizione, nëpër sheshe, megjithë stresin e frikën që i kemi pasur si fëmijë, prapë i kujtoj si momente shumë të bukura”, tregon Anna.

Pas ‘Xixëllonjave’, angazhimi i Annës në korin e fëmijëve ‘Okarina’ ishte një tjetër moment i rëndësishëm kalimi nga përvoja fillestare drejt një faze më të pjekur të zhvillimit në muzikë. Ky hap e vendosi atë përballë skenave më të mëdha, publikut më të gjerë dhe kërkesave më të larta interpretative, duke e sfiduar jo vetëm teknikisht, por edhe emocionalisht. Pjesëmarrja në koncerte më të mëdha dhe bashkëpunimet me artistë të njohur i dhanë kësaj eksperience një peshë të veçantë, duke e bërë Annën të ndjejë për herë të parë dimensionin real të një angazhimi serioz muzikor.

“Me korin ‘Okarina’ kam filluar në vitin 2022. Fillimisht kemi shkuar në Kërçovë, në Maqedoninë e Veriut. Aty kam pasur koncertin e parë. Më pas kemi pasë koncertin me Rame Lahaj, e kjo për mua ka qenë diçka shumë e madhe, duke e ditur se Rame Lahaj është një këngëtar i njohur,  dhe të jemi pjesë e koncertit të tij që është mbajtur në sheshin e Prishtinës, për neve ka qenë diçka shumë e madhe”, tha ajo për KultPlus.

Përtej pjesëmarrjes në kor, përvoja me ‘Okarinat’ u shndërrua edhe në një hapësirë ku u vërejt dhe u vlerësua individualiteti i saj artistik nga drejtuesja e korit Elikona Hysaj. Përzgjedhja e shpeshtë për të interpretuar pjesë solo brenda korit dëshmoi jo vetëm për aftësitë vokale, por edhe për besimin që dirigjentët dhe drejtuesit artistikë i kanë dhënë, pavarësisht moshës së saj të re. Kjo përgjegjësi e forcoi vetëbesimin e Annës dhe e ndihmoi të pozicionohej natyrshëm në skenë.

“Përgjatë paraqitjes time me ‘Okarinat’, jam përzgjedhur shumë shpesh që të performoj solo dhe kjo për mua ka qenë një vlerësim i madh. Zakonisht unë jam përzgjedhur në grupin e më të rriturve, e megjithëse isha më e vogla në mesin e tyre, ka qenë kënaqësi që më është besuar çdo pjesë, pavarësisht moshës”, tha Anna mes emocionesh.

Përveç Rame Lahaj, Anna Krasniqi, bashkë me korin ‘Okarina’ patën paraqitje edhe me artistë të tjerë të mirënjohur, e të gjitha këto, i dhanë Annës edhe më shumë përvojë dhe mundësi për t’u bindur drejt fokusimit të saj në muzikë.

“Secili hap, si me ‘Xixëllonjat’ si me ‘Okarinat’ kanë qenë hapa që më kanë ndihmuar shumë që të lirohem edhe më shumë në skenë dhe t’i marr ato hapat e parë. Përveç me Rame Lahaj, kemi pasë mundësinë që të këndojmë edhe me emra të njohur të muzikës, ku jemi prezantuar në mbrëmjet artistike “Ta zbardhi ftyrën” që organizohen nga KultPlus, e që jemi prezantuar në mbrëmjet me artsitët e mëdhenj si: Gëzim Myshketa, Elbenita Kajtazi…Po ashtu edhe me këngëtarin La Fazani, i cili na ka ftuar që të kontribojmë në albumin e tij, e aty kam pasë një pjesë solo”, tregon ajo.

Pas përvojës së saj me korin e fëmijëve ‘Okarina’, Anna këtë vit u bë pjesë e shkollës së muzikës ‘Amadeus’. E ky angazhim, ajo thotë se po i ndihmon çdo ditë e më shumë që ta përsos zërin e teknikën në rrugën muzikore që ajo po zhvillon.

“Në janar unë mbush një vit që kur jam bërë pjesë e shkollës ‘Amadeus’. Dhe është një shkollë që po më plotëson shumë, si në aspektin profesional ashtu edhe emocional. Unë aty shkoj për solo-këndim, solfexho dhe  jam pjesë e korit të kësaj shkolle. Unë kam qenë në piano për katër vite, dhe ky vijim në këtë shkollë vec sa po ma plotëson dëshirën për realizimin e ëndrrave. Së fundi, patëm koncertin me fondacionin Rame Lahaj në Katedralen e Nënë Terezës në Prishtinë , e që u prezantuam nën përcjelljen e dirigjentit Vehbi Shosholli”, tha ajo teksa shtoi se në kaq pak kohë që është pjesë e kësaj shkolle, ka pasur aktivitete e paraqitje të shumta, që përveç se është zhvilluar akoma më shumë, edhe është kënaqur shumë.

Një nga momentet më kulmore të deritanishme në këtë rrugëtim ishte pjesëmarrja në Hybla Music Contest – Concorso Internazionale di Canto që është mbajtë në Ragusa të Italisë, festival në të cilin kanë marr pjesë artistë nga Kosova, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zelandës së Re, Maltës, Estonisë, Spanjës e Italisë, e ku Anna u përballë për herë të parë me një konkurrencë ndërkombëtare dhe me standarde të larta profesionale. E në këtë paraqitje, ajo fitoi dy prej çmimeve kryesore.

“Kjo ka qenë gara e parë jashtë vendit në të cilën unë kam marrë pjesë, si një garë prestigjioze. Ka qenë një garë serioze e që është dashtë me punu shumë. Dhe gara me kaq shumë talentë prej moshave të vogla e deri te të rriturit më ka bërë të kuptoj dhe të besoj se unë duhet të besoj në zërin tim, sepse, juria profesionale në përbërje të shumë shteteve më ndanë dy çmimet kryesore, atë të Grand Prix dhe çmimin “Jimmy Fontana” e që me këtë të fundit e kam të siguruar të vijoj incizimin e këngëve në Romë”, shpjegon Anna me emocione, e sidomos që ky çmim bartë emrin e ikonës së muzikës italiane.

Ndërkaq, kthimi në Kosovë pas këtij suksesi i dha Annës një vetëdije të re për peshën e arritjeve të saj. Reagimet, urimet dhe vëmendja institucionale e bënë të kuptojë se puna, talenti dhe përkushtimi i saj në muzikë, tashmë kishte marrë akoma më shumë vëmendje.

“Kur erdha në Prishtinë, u ftova në shumë intervista. Mora shumë urime si në shkollë, si nga njerëzit që njoh, dhe kjo vëmendje më dha më shumë përgjegjësi që unë asnjëherë nuk duhet të pushoj së punuari”, thotë Anna, e cila kujton si moment të mirë edhe pritjen nga ana e ministrit të kulturës, Hajrulla Çeku.

E në themel të gjithë këtij rrugëtimi, për Annën qëndron mbështetja e palëkundur familjare, veçanërisht ajo e nënës, e cila ka qenë e pranishme në çdo hap të zhvillimit të saj artistik, duke e mbështetur  dhe inkurajuar vazhdimisht.

“Përkrahjen më të madhe gjithmonë e kam marrë nga mami, e cila asnjëherë nuk ka ndalur duke më mbështetur në këtë aspekt. Gjithmonë është munduar të na dërgojë në aktivitete të ndryshme në mënyrë që ne të marrim përvojë prej secilës. Më ka përcjellë në shkolla digjitale, balet kam qenë për gati tri vite, kam qenë pjesë e teatrit të kukullave, kurse të pianos, solokëndim, ka qenë përkrah meje në çdo aktivitet, duke më shtyrë të vazhdoj e të mos ndalem. Sa herë që jam në skenë, kur e shoh mamin, të gjithë të tjerët zhduken, veç sytë e mamit i shoh. Mbështetje kam prej gjithë familjes,  gjithmonë, mirëpo mami ka qenë ajo shtylla kryesore”, tregon Anna, e cila thotë se me inkurajimin e nënës së saj, tani ajo po punon me vocal coach Luan Durmishin për të përsosur akoma më shumë teknikën e saj.

Mëgjithatë, pavarësisht angazhimeve të shumta artistike, Anna ka arritur të ruajë një balancë të qëndrueshme mes shkollës dhe muzikës, e krejt kjo falë një rritjeje të familjarizuar me aktivitete kulturore që i ka realizuar krahas shkollës, prandaj, për të kjo nuk është shumë e vështirë.

“Unë prej e vogël jam mësuar gjithmonë me aktivitete. Kemi shkuar në punën e mamit, kopësht, dhe shumë aktivitete, nuk kemi qenë fëmijë të mbyllur. Mami na ka marrë me vete si në teatër, galeri, promovime të shumta, ekspozita, që me marrë përvojë prej secilës. Prandaj, nuk e kam pasur të vështirë asnjëherë që t’i balancoj të gjitha, sepse jam rritur në atë sistem, që të kem përvojë prej secilës, pak shkollë, pak aktivitete mas shkollës, aktivitete kulturore, e mendoj që mund t’i përballoj të gjitha. Unë vijoj mësimet në shkollën ‘Don Bosko’, e edhe në shkollë janë të njohur me talentin tim në muzikë dhe gjithmonë më përfshijnë në këndim nëpër ceremoni të ndryshme, si në ceremoni të diplomimit, festa të fundvitit, e ky vlerësim ma bën më të lehtë edhe balancimin”, shtoi ajo.

Në përmbyllje, ëndrrat e Annës për të ardhmen janë të mëdha, por të ndërtuara mbi punë të vazhdueshme dhe një vizion të qartë për zhvillimin e saj artistik.

“Sigurisht që me muzikë dua të shkoj sa më lart që të jetë e mundur. Shumë shpesh më thonë se zëri im ngjason me Dua Lipën, ose më thonë Dua Lipa e dytë, e shpresoj shumë që të mund të arrij sa ajo. Karrierën në muzikë dua ta vazhdoj, ndoshta të ardhmen do të mund të shkoj të studioj për muzikë jashtë vendit, e shpresoj në Amerikë, aty ku po bëhet zhvillimi i muzikës çdo ditë e më shumë”, përfundon Anna Krasniqi./KultPlus.com

You Might Also Like