Meti REXHEPI:
LIBRI I NËNKRESËS
(Homazh për krijuesin Sherafedin KADRIU)
Të nderuar familjarë të Sherafedinit, e nderuara Zymrije, bija e bijë, miq e dashamirë!
Ju shpreh ngushëllimet e mia të thella e të sinqerta për bashkëshortin, babin, vëllamin e gjyshin tuaj Sherafedin Fetah KADRIU!
Miku ynë Sherafedin KADRIU luftoi gjatë dhe durueshëm për jetën përball “sëmundjes së keqe” dhe, më 8 prill të kësaj pranvere, të stinës që shpërfaq ngjyrat e fshehura, mbylli sytë. Përkushtimi juaj ndaj të ndjerit është i pamatshëm… Vatra e pikëllimit, e mërzisë dhe e krenarisë ndodhet te ju, te familja juaj, por shpërndahet edhe te ne, miqtë e jetës, të letrave, të dijes dhe të kulturës.
Lufta kundruall kaplimit dhe largimit të sëmundjes nam-keqe për Sherafedinin u bë një përditshmëri e rëndë! Vetë Sherafedini e kishte paranderë dhe paralajmëruar te rrethi më i afërt. Kjo sëmundje ishte tinëzare dhe i mori Atij kohën më të çmuar të jetës. Fundin e trupit e kishte pritur, por jo edhe dorëzimin shpirtëror e moral të këtij përfundimi. Parandjenja e fund-jetës haset dendur në vëllimin e tij mbresëlënës poetik “KUR VDESIN NGJYRAT”, i botuar përmes SHB “Beqir Musliu”, më 2025. Pa dyshim një meritë të përkrahjes, jo vetëm për këtë libër, e ka poeti, botuesi dhe miku i Sherafedinit Sabit RRUSTEMI, ndonëse përkrahjet mes tyre shfaqeshin edhe në planet e ndërsjella të shkrimit.
IDENTIFIKIMI ME TË HIRTËN
Motivimet e parandjenjës së përcjelljes së parakohshme për në botën e pasosur të amshimit në librin “KUR VDESIN NGJYRAT”, shtrihen te ciklet: “Kur u grisën ngjyrat”, “Ngjyrat e vdekjes”, “Kur preken ngjyrat”, “Kur fshihen ngjyrat”, “Ngjyrat e ngushëllimit”, “Për ngjyrën e zezë.” Krahas kësaj tipologjie dhe pamjeje estetike të ngjyrimit të hirtë të jetës, kemi kontrastin e bardhësisë së dritës: “Lakmi ngjyrash”, “Ngjyra fëmijërie”, “Ngjyrat e lirisë”, “Ngjyrat e atdheut”…
Motivet e parandjenjave të zjarrit të dhimbjes, të frymëmarrjes përcëlluese reflektojnë në vargje thellësisht të përjetuara, pa asnjë fije poze për t’i përjetësuar jo si apati ose vajtim, jo si rezignatë dhe assesi si pesimizëm që sjell fund-jeta e parashikuar, kur i duhej më së shumti intelektualit, arsimuesit, studiuesit dhe poetit tonë.
Çfarë i mbetej këtij poeti kur i vdisnin ngjyrat? Ato janë trajta të përhitjes së dashurisë për më të dashurit, për brezin e nipërve e të mbesave, për anames të së bukurës në jetë e në magjiken e libër-shkrimit; për përmbushjen e lirisë së shqiptarëve aq shumë të gjakuar dhe, e lagur me sakrifica të gjakut të brezave.
Pengu i jetës njerëzore të Sherafedin KADRIUT mbeti te përmbushja e atyre dhuntive, që ngërthente personaliteti plotësisht i pjekur dhe i vetëdijesuar për t’i përjetësuar interesimet, dijet dhe, për t’i nxjerr në pah shtresimet e madhërishme dhe bukurinë njerëzore në jetë dhe në art, në mjedisin ku frymoi jeta e Tij.
JASHTË SHABLLONEVE TË VLERËSIMIT
Fushë – veprimtaria e interesimeve të Sherafedin KADRIUT ishte e gjerë në letërsi, në kritikë letrare, në trashëgiminë gojore të trevës së Gjilanit dhe të rrethinës, në trashëgimi historike – kulturore e materiale, në arkeologji ku arriti gradën e Masterit. Në të gjitha këto fushë – shtrirje, Ai shfaqi pasionin kërkimtar duke u pajisur me të dhëna e njohuri të sferave përkatëse profesionale. Përdori burime relevante të literaturës autoritare shkencore, tezat dhe sintezat dhe përmbylljet përkufizuese. Megjithatë, asnjëherë nuk u pajtua të mbetej, veçse një vështrues syprinash. Kësisoj tejkaloi vartësinë e një lexuesi sistematizues. Si? Kështu. Duke sjell shqyrtime krahasimtare konstatimesh, nxori pohime mbi disa përfundime faktesh të pasakta për akëcilën të dhënë, për akëcilin fakt, për akëcilën dukuri të luajtshme apo të paluajtshme të qëmtimit shkencor.
FRYMA E NGROHTË E MIQËSISË
Si karakter njerëzor Sherafedin KADRIU përçonte frymë të ngrohtë mes miqsh, afri dhe gjallëri dialogimi, gjithnjë pa sedrën e mbizotërimit apo të përçmimeve tekanjoze ndaj secilit prej nesh. Dijen dhe kompetencat intelektuale e profesionale nuk i ruante, as i konservonte vetëm për vetvete; ishte i prirur t’i shpërndante në çdo mjedis, veçmas me qartësinë që e karakterizonte.
Miku ynë shquhej me mënyrën se si i kapte porositë ose mesazhet e ndërlikuara dhe, i shtronte e qëronte lëvozhgat e trasha të moskuptimit, deri në thjeshtësimin e admirueshëm të kuptimit. I tillë ishte në mësimnxënie e mësimdhënie, i tillë ishte në zbërthimet e ngërthesave teorike – letrare të figuracionit poetik, i tillë ishte edhe në përdorimin e terminologjisë së diskurseve gjuhësore, kritike – estetike, hermeneutike e filozofike.
LIBRI I HAPUR NË NËNKRESË
Pa të zgjatur më tej, ka çka të thuhet mjaft për mikun tonë, krijuesin Sherafedin KADRIU. Është domethënës akti kur mu në çastin e dhënies së shpirtit, te koka iu kishte gjendur i hapur libri në nënkresën e Tij.
PËRKUJDESJE
Personalitete si Sherafedin KADRIU nuk i përkasin vetëm familjarëve apo vetëm miqve, por të këtillët janë begatia jonë dhe, duhej t’u përkisnin përkujdesës edhe të institucioneve shtetërore për trashëgiminë krijuese të tyre.
Sherafedin KADRIU e deshi familjen, e deshi atdheun, e deshi librin, i deshi dhe miqtë. Atë dashuri të Tij ia kemi borxh ta kultivojmë të përhershme në mesin tonë.
Qoftë e ndritur kujtesa për krijuesin dhe mikun tonë Sherafedin KADRIU!
Gjilan, më 16 prill 2026



