ARSIMI

Akreditohet programi Edukim Fillor në Universitetin Publik “Kadri Zeka”

Në mbledhjen e 148-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e mbajtur më 20 prill 2026, janë shqyrtuar raportet e ekipeve të ekspertëve lidhur me programet e studimit të institucioneve të arsimit të lartë në vend.

Si rezultat i këtij procesi vlerësues, programi i studimit “Edukim Fillor” në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është akredituar për një periudhë prej tre (3) vitesh.

Ky vendim konfirmon përkushtimin e vazhdueshëm institucional të universitetit për zhvillimin dhe avancimin e programeve studimore në përputhje me standardet bashkëkohore të cilësisë në arsimin e lartë. Akreditimi dëshmon se programi “Edukim Fillor” plotëson kriteret e nevojshme akademike dhe profesionale për përgatitjen e mësimdhënësve të ardhshëm, duke ofruar një kurrikulë të harmonizuar me praktikat më të mira evropiane dhe nevojat e sistemit arsimor në vend.

Programi synon të pajisë studentët me njohuri të thelluara pedagogjike, metodologjike dhe praktike, duke i aftësuar ata për të qenë profesionistë kompetentë dhe të përkushtuar në edukimin e gjeneratave të reja. Përmes një kombinimi të balancuar të teorisë dhe praktikës, studentët përfitojnë përvojë të drejtpërdrejtë në mjedise shkollore, duke rritur kështu gatishmërinë e tyre për tregun e punës.

Ushtruesja e detyrës së Dekanes së Fakultetit të Edukimit Prof. Asoc. Dr. Nerxhivane Krasniqi, ka vlerësuar këtë arritje si një hap të rëndësishëm në forcimin e cilësisë akademike dhe në përmbushjen e misionit të universitetit.

“Akreditimi i programit “Edukim Fillor”’ është një dëshmi e punës së palodhshme të stafit akademik dhe administrativ, si dhe e përkushtimit tonë për të ofruar arsim cilësor dhe të krahasueshëm me standardet ndërkombëtare. Ky sukses reflekton vizionin tonë për të përgatitur mësimdhënës të denjë, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit arsimor në vend”,  tha Prof. Asoc. dr. Nerxhivane Krasniqi.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në sigurimin e cilësisë, në avancimin e programeve studimore dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët, duke synuar që përmes arsimit cilësor të kontribuojë në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.

You Might Also Like