Unë jam rritur me bukën e mërgimtarit – kjo është arsyeja pse rrugëtimin tim zgjedhor e nisa me mërgatën
Nuk ishte qëllim në vetvete vota, por respekti për baballarët e nënat, për vëllezërit e motrat, për nipat e mbesat tona, të cilët në vitet më të rënda për Kosovën sakrifikuan veten e tyre për të na mbajtur gjallë neve, për të na forcuar në rrugën e rezistencës dhe rreziqeve, të ekzistencës dhe mbijetesës, të luftës për liri e mëvetësi.
Vetë jam rritur në një familje mërgimtarësh. I kam provuar në shpirtin tim mallin, mërzinë dhe dhembjen për vëllain tim mërgimtar të viteve të para.
Zemra jonë si popull, është e ndarë në dy gjysma, që rrah këtu e atje larg….
Fëmijët tanë janë rritur pa i parë baballarët e tyre, sepse nuk mund t`i bënin letrat për t`u bashkuar si familje.
Disa prej tyre nuk mund të ktheheshin në shtëpi, sepse këtu ndiqeshin nga regjimi serb.
“Oj nanë, koka zvogëlu baba” – janë fjalët e mbesës time, e cila kishte reaguar e habitur kur e kishte takuar prindin në Zvicër, pas një periudhe të gjatë kohore.
Mërgimtarët nuk janë vetëm gjysma e familjes, ata janë gjysma e shpirtit, e dhimbjes dhe e krenarisë sonë.
Atyre nuk iu drejtova për votë, por për respekt, për mirënjohje, me përulësi ndaj Nexhatit, Nafijes, Naimit, Ibrahimit, Mefës, Belit, Shkëlqimit, Hajdinit, Erdinit, Jalldezes, Ahmetit, Isufit, Bashkimit, Blerinës, Afërditës, Ritës, Fejzullahut, Isufit, Kosovares, Rabijes, Dorëlirit, Bukurijes, Luljetës, Ardianit, Shpresës, Gramosit, Shqipes, Fikrijes, Fionës, Valonit, Nafijes, Nurijes, Maliqit…shumë e shumë të tjerëve, pa llogaritur këtu brezin e tretë që kanë lindur e janë rritur atje, numër ky që shkon në qindra.
Jeta na ka degëdisur në rrugë të ndryshme, po gëzimet dhe hidhërimet i kemi të përbashkëta.
Këta janë mërgimtarët e mi, janë margaritarët tanë.
Xhylije Ibrahimi 93
LDK 123





