Volejbollistja kosovare dhe anëtarja e Kombëtares A të Kosovës, Venerë Kadriu, ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në Zvicër me ekipin BTV Aarau, duke qenë një nga protagonistet kryesore të suksesit historik të skuadrës.
Në sezonin 2025/2026, që ishte edhe sezoni i parë i klubit pas riorganizimit nga NNV Eaglets, BTV Aarau arriti të shpallet kampion i ligës, duke dominuar pothuajse tërësisht kampionatin:
• 23 fitore në 24 ndeshje
• Vendi i parë në tabelë
• 69 pikë të grumbulluara
• Set-raporti mbresëlënës 70:8
Një tjetër arritje madhore erdhi në Kupën e Zvicrës, ku BTV Aarau, ndonëse pjesë e Ligës B, shkëlqeu përballë ekipeve elitare të NLA-së.
Skuadra arriti deri në finale të Kupës, duke eliminuar rrugës kundërshtarë të fortë:
• Çerekfinale: fitore 3:1 ndaj Geneve Volley
• Gjysmëfinale: fitore 3:0 ndaj BIWI VFM
• Finale: ndeshje ndaj Neuchatel UC – vendi i dytë (
)
Përveç këtyre sukseseve, BTV Aarau siguroi edhe promovimin në NLA – Superligën e Zvicrës, duke e bërë këtë sezon edhe më të veçantë për ekipin dhe për vetë Venerë Kadriun.
Falë paraqitjeve të saj të mira, klubi ka vendosur t’ia vazhdojë kontratën edhe për një vit tjetër, ku ajo do të jetë pjesë e skuadrës në elitën e volejbollit zviceran për sezonin e ardhshëm.
Gjilanasja Venerë Kadriu, e cila është edhe lojtare e Kombëtares A të Kosovës, pritet të jetë pjesë e grumbullimit të radhës në muajin qershor, ku “Dardanet” do ti zhvillojnë sfidat e ardhshme ndërkombëtare.
Ky sezon shënon një hap të rëndësishëm në karrierën e saj, duke fituar përvojë të vlefshme dhe duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në sukseset e ekipit.



