Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” është përzgjedhur në mesin e pesë shkollave në Kosovë në projektin edukimit medial, në kuadër të këtij projekti, janë përzgjedhur vetëm 5 shkolla për të vazhduar në fazën e fundit, i cili parashihet mbajtjen e një trajnimi me nxënës të shkollës sonë.
Në kuadër të këtij aktiviteti, dy nxënëse, ambasadore të edukimit medial, Ina Geci dhe Zerina Ismajli kanë mbajtur një trajnim interesant me mbi 30 nxënës të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”.
Fillimisht, dy ambasadoret e edukimit medial kanë ngritur çështjen se për çfarë arsye është i rëndësishëm edukimi medial, duke theksuar se sot në botën e internetit jemi të vërshuar nga informatat që vijnë nga burime të ndryshme të informacionit. Andaj sipas tyre shumë me rëndësi është se prej nga i marrim këto informacione dhe a janë ato të besueshme. Geci e Ismajli kanë sqaruar se edukimi medial ka për qëllim zhvillimin e mendimit kritik, andaj ato kanë sugjeruar që të mos pranohen paraprakisht informacionet si të sakta, por të verifikohen ato.

Ato kanë folur edhe për lajmet e rreme, që në gazetari njihen si “fake news” se si përhapen ato, se si zakonisht kanë tituj sensacional, si manipulohen ato dhe dukuri devijonte të tjera. Duke marrë shembuj të lajmeve të rreme, ato kanë sqaruar se si duhet vërtetuar lajmet e tilla dhe si nuk duhet rënë pre e lajmeve të tilla.

Ato nuk lanë pa përmendur edhe tipet e çrregullimit informativ siç janë çinformimi, dezinformomi dhe keqinformimi, kanë folur për faktin e opinionin, duke marrë shembuj për këto dy terme dhe në fund kanë mbajtur një kuiz të shkurtër për nxënësit pjesëmarrës, të cilët me përgjigjet e dhëna kanë dëshmuar se e kanë kuptuar në plotësi këtë ligjëratë dhe kanë shprehur vullnetin edhe për trajnime të tjera të kësaj natyre.
Ky projekt është mundësuar në kuadër të kampanjës së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë “EU by Your Side” dhe i realizuar nga organizata hibrid.info.






