Kryqi i Kuq i Kosovës, dega në Gjilan para nxënësve të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” ka demonstruar se si duhet të jepet ndihma e parë.
Leonora Kqiku – Kryeziu, instruktore e ndihmës së parë në Kryqin e Kuq të Gjilanit ka organizuar një aktivitet me nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, në të cilin në mënyrë teorike e praktike është demonstruar se si duhet të jepet ndihma e parë.

Ligjëruesja Kqiku- Kryeziu para nxënësve ka shpjeguar se në cilat raste duhet të jepet ndihma e parë, si e parasheh legjislacioni i Kosovës mosdhënien e ndihmës së parë, por edhe mënyrën se si jepet e ndihma e parë.

Ajo ka shpjeguar të gjitha hapat se si duhet t’i qasemi personit që ka nevojë për dhënien e ndihmës së parë, mënyrën se si duhet të kontrollohet e të sigurohet vendi ku jepet ndihma e parë, cilat janë hapat e parë që duhet ndërmarrë, si duhet të dallojmë shenjat e jetës të të aksidentuarit, si kontrollimi i pulsit, frymëmarrja apo edhe hapat që të dallojmë se a e ka ai vetëdijen. Si duhet të veprohet në rast të aksidentit, sit ë veprohet në reanimimin e pacientit, si jepet frymëmarrja artificiale, si të veprohet në situata të ndryshme dhe në lëndime të ndryshme, çfarë duhet të përmbajë kutia e ndihmës së parë dhe si duhet të përdoren ato, si të veprohet te të rriturit, te fëmijët e te foshnjat dhe shumë situate të tjera.

Instruktorja Leonora Kqiku – Kryeziu krejt këto i ka demonstruar edhe në mënyrë praktike, kurse nxënësit me vëmendje e kërshëri i kanë përcjellë të gjitha aktivitetet e saj, duke u kyçur edhe ata në mënyrë aktive.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 15 nxënës, vajza dhe djem, të cilët më pas kanë formuar një grup prej pesë nxënësish, të cilët do t’a përfaqësojnë shkollën tonë në gara komunale në mes të shkollave të mesme të Gjilanit.
Ligjërata të tilla janë tejet të rëndësishme për nxënësit dhe adoleshentët, ngase me dhënien e ndihmës së parë mund të shpëtohen jetë, andaj Kryqi i Kuq dhe shkollat edhe më tej duhet të veprojnë e bashkëpunojnë në këtë aspekt.






