Në një ceremoni të veçantë është bërë promovimi i ribotimit të monografisë “Myderriz Haki efendiu (1914 – 1948)”, një vepër dedikuar rrugëtimit jetësor dhe veprimtarisë së klerikut dhe atdhetarit të shquar, Haki ef. Sermaxhajt.
Libri, i cili vjen i përgatitur nga autorët Aliriza Selmani dhe hfz. Avni Aliu, riktheu në vëmendje kontributin e jashtëzakonshëm të myderrizit në fushën e arsimit dhe në çështjen kombëtare.
Ngjarja mblodhi bashkë personalitete të njohura të jetës fetare, akademike dhe institucionale. Sipas njoftimit nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ky libër ka një rëndësi të veçantë pasi ndriçon jetën e një njeriu që shkriu veten për edukimin e brezave. I pranishëm në këtë ngjarje, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, e vlerësoi lart figurën e myderrizit. Ai e përshkroi Haki efendiun si një personalitet të rrallë që ndërthuri intelektin, besimin dhe dashurinë për atdheun.
“Ai reflekton themelet e identitetit tonë kolektiv dhe përfaqëson tipologjinë e një dijetari erudit që doli nga populli. Gjithë jetën e tij ai e kaloi duke u angazhuar për edukimin e brezave dhe forcimin e vetëdijes fetare e kombëtare,” u shpreh Tërnava.

Rëndësinë e kujtimit të këtyre figurave e theksoi edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili tha se Haki efendiu simbolizon sakrificën sublime të një njeriu për besim dhe atdhe. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i Këshillit të BIK-ut në Gjilan, Naim Aliu, duke e cilësuar myderrizin si një model të përjetshëm frymëzimi.

Nga këndvështrimi shkencor dhe historik, rëndësinë e monografisë e trajtoi historianja dhe panelistja e këtij promovimi, Sabile Keqmezi-Basha. Ajo nënvizoi dimensionin e gjerë të kësaj figure, duke thënë se jeta e Haki Sermaxhajt është një dëshmi e gjallë e qëndresës kolektive shqiptare. Sipas saj, botime të tilla janë jetike për shoqërinë, në mënyrë që e kaluara jonë e lavdishme të mos mbulohet nga pluhuri i harresës.





