Kryetari Haliti vizitoi Stadiumin e Qytetit, paralajmërohen investime të reja në infrastrukturën sportive
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, vizitoi sot Stadiumin e Qytetit në Viti, ku nga afër u njoftua me gjendjen aktuale, nevojat dhe prioritetet për investime të reja në këtë hapësirë sportive.
Në këtë vizitë, Kryetari Haliti ishte i shoqëruar nga drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Valmir Sahiti, drejtori i Shërbimeve Publike, Arton Musliu, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Me këtë rast, Kryetari Haliti theksoi përkushtimin e komunës për përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës sportive, duke bërë të ditur se së shpejti priten investime në stadiumet e komunës sonë, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për klubet sportive dhe grupmoshat e ndryshme që zhvillojnë aktivitetet e tyre.
Gjithashtu, në periudhën e ardhshme pritet të nisin procedurat për rregullimin e tribunave të stadiumit KF Vllaznia Pozheran.
Njëkohësisht, janë duke vazhduar punimet edhe në palestrat sportive shkollore në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti, si dhe në Sllatinë të Epërme.
Komuna e Vitisë mbetet e përkushtuar që përmes investimeve konkrete të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e sportit, aktivitetit fizik dhe përfshirjen e të rinjve në jetën sportive.


